Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav kanë vizituar disa prej 14 shtëpive të vjetra që janë duke u restauruar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse e ringjalljes ekonomike në Janjevë”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Kulturës dhe implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Krahas kësaj vizite Kurti bashkë me shefin e Zyrës se BE-së në Kosovë, Avio Orav morën pjesë edhe në hapjen e Panairit të Janjevës, “Mirëserdhët në Janjevë”, ku zejtarë të kësaj ane prezantuan ushqime e veshje të ndryshme e vegla pune.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se si qeveri përmes tri ministrive po investojnë në Janjevë.
Kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se përmes restaurimit të shtëpive në Janjevë, kësaj qyteze po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe gjallëria ekonomike.
Kurti nënvizoi se projekti për restaurimin e shtëpive nuk është vetëm ndërhyrje fizike e infrastrukturore, por është tregues i angazhimit për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore dhe për kthimin e saj në mirëqenie për popullin dhe zhvillim ekonomik për vendin.
“Nëpërmjet investimeve të realizuara shtëpive të vjetra shumë shekullore të kësaj qyteze po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe së bashku me këtë edhe gjallëria ekonomike. Shtëpitë e restauruara do të jenë të gatshme për të shërbyer qoftë për banim, bujtina, gastronomi e shitje të prodhimeve vendore që i prodhojnë bujqit e artizanët e vyeshëm të këtij vendbanimi. Këto projekte nuk janë vetëm ndërhyrje fizike e infrastrukturore janë tregues i angazhimit dhe përkushtimit tonë për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore dhe për kthimin e saj në mirëqenie për popullin dhe zhvillim ekonomik për vendin. Pas përfundimit të plotë të punimeve qendra historike e Janjevës do të shndërrohet në një destinacion joshës”, tha ai.
Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav tha se panairi i sotëm në Janjevë është prova e mirë se traditat e kroatëve ende mund të ringjallen dhe madje të ofrojnë vende pune.Orav shpreson që Janjeva të bëhet destinacion turistik dhe mundësi për rikthim të qytetarëve.
“Është e pasur me kulturë, dhe mbetjet e trashëgimisë natyrore të qytetit të vjetër të Janjevës janë të shënuara nën mbrojtjen e përkohshme të trashëgimisë kulturore, Janjeva ishte e njohur për artizanët, tregtarët dhe themeluesit e saj, dhe ky është fshati që ende pret një komunitet të vogël të kroatëve të Kosovës. Pra, duke pasur parasysh të gjitha këto, kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian së bashku me Qeverinë e Kosovës financuan këtë projekt. Dhe panairi i sotëm këtu është prova e mirë se traditat e kroatëve ende mund të ringjallen dhe madje të ofrojnë vende pune. Pra, projekti i financuar nga Bashkimi Evropian së bashku me Qeverinë e Kosovës do të përfundojë sot, por shpresoj shumë që ne mund të vazhdojmë dhe që Janjeva të bëhet destinacion i shumë turistëve, e pse jo edhe disa nga ata që janë larguar të kthehen”, tha ai.
Përfaqësuesi i përhershëm i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Nuno Queiros u shpreh se përmes projektit që u është besuar nga BE janë hedhur themelet për një të ardhme më të ndritshme për Janjevën dhe Kosovën.
Queiros theksoi se UNDP mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fuqizimin e komuniteteve në Kosovë.
“Do të doja të theksoja se kjo nuk ka të bëjë vetëm me realizimin fizik, ka të bëjë me punën me komunitetin, ka të bëjë me përpjekjet kolektive për t'i lejuar ata të fitojnë aftësi të reja dhe të zhbllokojnë mundësi më të gjera për të ardhmen e tyre, për zhvillimin e tyre socio-ekonomik. Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi sot këtu si një festë e pasurisë kulturore dhe unitetit dhe duke ofruar një platformë për artizanët dhe prodhuesit vendas që të shfaqin punën e tyre të jashtëzakonshme dhe pikat e forta që lidhen brenda komunitetit. Një fjalë për ta, ata kanë punuar shumë për të qenë sot këtu, nuk është një proces i lehtë, dhe të gjithë artizanët, të gjithë prodhuesit, të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces, ne mendojmë se kemi ardhur si me magji këtu dhe gjithçka është gati, por ka muaj të tërë pune dhe nuk ka mbaruar akoma; 12 muaj….Ne me të vërtetë presim mbështetjen tuaj të vazhdueshme në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm që sapo ka filluar. Mendoj se së bashku kemi hedhur themelet për një të ardhme më të ndritshme për Janjevën dhe Kosovën, dhe ne si UNDP mbetemi thellësisht të përkushtuar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, fuqizimin e komuniteteve dhe zhvillimin e turizmit kulturor në mbarë Kosovën”, tha ai.
Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisiq u shpreh se Qeveria e Kosovës po përpiqet t’i bëjë kroatët të qëndrojnë në Kosovë.
Sipas saj, mbijetesa e komunitetit kroat në Kosovës është e rëndësishme jo vetëm për kroatët, por edhe për Kosovën.
“Falënderoj Qeverinë e Kosovës që o bënë përpjekje që me të vërtet edhe kroatët, si një komunitet i vogël, të qëndrojnë këtu, sigurisht natyrisht me Qeverinë kroate, sepse vetëm bashkë, sepse shoh se këtu ka nacionalitete të ndryshme, të feve të ndryshme, por të gjithë jetojnë së bashku dhe të gjithë jetojnë mirë, dhe vetëm kështu së bashku mund të përparojmë. Më duhet të pranoj se isha shumë skeptike kur thanë se do të fillonte rinovimi i disa shtëpive, sepse duhet shumë kohë për të parë rezultatin, por tani kur e shihni vërtet rezultatin që shtëpitë janë aty, se janë të rinovuara, tani ata po na thërrasin të gjithë neve që t'i rindërtojmë këto në mes për të zgjeruar atë numër të shtëpive të rinovuara, dhe sigurisht t’i kthejmë banorët këtu për të punuar dhe për të parë të ardhmen, për të parë të ardhmen përsëri këtu në Janjevë”, tha ajo./KSP