Futboll

Premtohen 12 milionë euro për stadiumin në Prizren

stadiume

Të tjera fotografi të stadiumeve se si do të duken pas përfundimit të punimeve janë publikuar të premten. Të tjera premtime për investime janë bërë po ashtu. 

Por, përveç stadiumit “Fadil Vokrri”, që ka 13 mijë ulëse e që është i vetmi aktualisht në shfrytëzim për ndeshje ndërkombëtare, asnjë tjetër nuk është i përfunduar. Disa ndeshje të nivelit më të ulët ndërkombëtar luhen edhe në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në Podujevë. 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të premten njoftoi se në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren do të investohen mbi 12 milionë euro. Dhe tani shifra e investimeve në stadiume, sipas Kurtit, do ta kalojë shifrën e 200 milionë eurove. 

“Kontrata është nënshkruar. Punët përgatitore kanë nisur. Tribunave në lindje dhe perëndim të ‘Përparim Thaçit’ do t’iu shtohen edhe ato në veri e jug. Do të jetë një nga arenat sportive më moderne në vend, dhe vendi ku tifozët besnikë dhe sportdashësit e shumtë do të mund të mbështesin klubin e tyre të qytetit, KF Lirinë, nga gati 7.800 ulëse. Po investojmë mbi 200 milionë euro në stadiume të futbollit gjithandej Republikës. Kosova do ta ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon”, ka shkruar kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Postimit ia ka shtuar shumë fotografi. 
Stadiumi në Prizren është njëri prej katër projekteve kapitale të Qeverisë së Kosovës, pasi janë aprovuar edhe projektet për rinovimin e stadiumit në Vushtrri, Pejë dhe Ferizaj. 

Në MKRS në muajin nëntor janë zotuar se investimet në infrastrukturën sportive do të përfundojnë para organizimit të lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”. 

Sipas MKRS-së, punimet në këto stadiume, që parashihen të jenë stadiume të “kategorive të larta, të gatshme për lojë”, do të përfundohen brenda dy vjetëve. 

Punime në infrastrukturën sportive, përkatësisht në futboll, janë duke u bërë edhe në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në stadiumin e qytetit në Gjakovë dhe atë në Drenas. 

Ka edhe shumë stadiume e objekte të tjera sportive në Kosovë që janë në plan për t’u rinovuar. Disa prej tyre janë rinovuar, por ka pasur vërejtje të shumta lidhur me investimet që janë bërë. Dhe shumë miliona kanë shkuar huq. 

Palestra në Istog, për shembull, aktualisht është e pashfrytëzueshme, njësoj si stadiumi i qytetit në Gjilan.