Qeveria e Kosovës në detyrë ka vënë gurthemelin e Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, projekt për të cilin do të investohen afër 1 milion euro, ndërsa në tri vitet e ardhshme janë planifikuar mbi 30 milionë euro investime për 14 parqe industriale në gjithë vendin, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se investimi në Parkun Industrial në Frashër është pjesë e mbështetjes për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës dhe krijimin e kushteve për prodhim dhe punësim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në këtë mënyrë ne po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që ja kemi Mitrovicës, e cila i dha aq shumë zhvillim e kulturë jo vetëm Kosovës, por edhe mbarë kombit shqiptar. Dhe tash ne po ja kthejmë këtë me një investim këtu në Frashër, në shumën e gjithëmbarshme prej afër 1 milion euro për këtë park industrial, në të cilin do të mund të vendosen bizneset e ndryshme nga Mitrovica, nga Kosova, por edhe investitorë të huaj, ashtu që të rritet prodhimtaria e të shtohet punësimi”, tha ai.
Kurti shtoi se qeveria synon të modernizojë infrastrukturën për bizneset prodhuese dhe të rrisë eksportet.
“Sa më shumë që bizneset prodhojnë, aq më shumë krijohen kushtet për rritje të eksporteve dhe për zëvendësim të importeve, për përmirësim të bilancit tregtar dhe për progres të gjithëmbarshëm socio-ekonomik. Në tre vitet në vijim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të investojë mbi 30 milionë euro për 14 parqe industriale anembanë Kosovës, sepse dëshirojmë që infrastruktura për bizneset që prodhojnë e punësojnë të jetë sa më moderne. Këtu në Frashër, punimet tashmë kanë nisur dhe po ndërtohet infrastruktura bazike, e pas kësaj infrastrukture themelore do të kemi edhe infrastrukturën tjetër, e cila e modernizon parkun industrial dhe e bën atraktiv për bizneset”, tha ai.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, tha se fokusi i qeverisë është rritja e prodhimit vendor dhe zhvillimi i industrive me vlerë të shtuar.