Kryeministri Albin Kurti, në ekspozenë e tij para deputetëve të mërkurën para zgjedhjes së Qeverisë, ka paraqitur një sërë premtimesh për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke vënë theks të veçantë në forcimin e mbrojtjes, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e rolit të Kosovës në rajon.
Një nga zotimet kryesore është investimi prej 1 miliard eurosh në mbrojtje gjatë katër viteve të ardhshme. Sipas tij, këto mjete do të shërbejnë për forcimin e aleancave strategjike, rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe shumëfishimin e numrit të oficerëve. Po ashtu, ai ka premtuar funksionalizimin e fabrikës së municionit, zhvillimin e industrisë ushtarake vendore dhe prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Kosova”, duke synuar rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe vetëqëndrueshmërisë së vendit në fushën e sigurisë.
Në planin e politikës së jashtme, Kurti ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të vazhdojë përmes dialogut konstruktiv dhe kreativ, mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Ai ka nënvizuar se ky proces shihet si rregullim i marrëdhënieve mes dy shteteve sovrane, pa ndërhyrje në çështjet e brendshme, duke premtuar se qeveria do të mbrojë dhe zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në çdo pjesë të territorit të Kosovës.
Kurti ka konfirmuar gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme për Procesin e Berlinit dhe për tregun e përbashkët rajonal, mbi parimet e barazisë dhe përfaqësimit të barabartë. Sipas tij, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për paqen dhe sigurinë, ndërsa qeveria do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që veprojnë mbi bazën e respektit të ndërsjellë.
Kurti ka thënë se në mandatin e ardhshëm për herë të parë, Bruto Produkti Vendor për kokë banori në Kosovë do ta tejkalojë vlerën prej 10,000 eurosh.
Gjtihashtu ka thënë se do të themelohet Banka Zhvillimore, projekt që sipas tij, tashmë është negociuar me Bankën Botërore në vlerë prej 50 milionë eurosh, për të mbështetur zhvillimin industrial dhe ndërmarrjet prodhuese.
“Trepçën do ta rikthejmë në funksion të zhvillimit, përmes investimeve të reja dhe të mëdha strategjike, në bashkëpunim me një kompani me renome nga vendet mike, duke e kthyer atë në motor të ekonomisë sonë. Do të ndahet një fond prej rreth 50 milionë euro për skanimin e plotë të burimeve tona natyrore dhe futjen e tyre në ekonomi në funksion të zhvillimit”, është shprehur Kurti.
Ka premtuar fillimin e ndërtimit të linjës hekurudhore Gjakovë – Shkodër në kuadër të asaj Prishtinë – Durrës, dhe projektimin e linjës hekurudhore që lidh Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin dhe Bujanocin. “E nisim po ashtu përgatitjen të linjës Prishtinë – Aeroport Ndërkombëtar i Prishtinës 'Adem Jashari'”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka premtuar decentralizim në tërësi të shërbimeve shëndetësore. “Do të ndërtojmë spitalin e ri në Mitrovicë dhe në Ferizaj. Poliklinikat specialistike do të ndërtohen në Drenas, Sharr, Viti, Rahovec dhe Leposaviq. Modelin e keni tashmë në Podujevë. Do të hapim poliklinikat specialistike stomatologjike në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe Podujevë. E, për listën esenciale të barnave, buxheti do të rritet deri në 100 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.
Në aspektin social, ai ka premtuar vazhdimin e politikave për zvogëlimin e pabarazisë, duke përmendur mbështetjen për lehonat dhe nisjen e projektit “Superpuna për gratë”. Ky projekt parasheh që për çdo grua të punësuar, qeveria të subvencionojë pagën minimale prej 500 eurosh për gjashtë muaj. Gjithashtu, është premtuar mbështetje shtesë për gjyshërit që kujdesen për fëmijët, me nga 100 euro shtesë mujore mbi pensionin bazë, me synim forcimin e familjes dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Kurti ka premtuar dyfishim të shtesave për fëmijë. “Shtesat për fëmijë sot janë 30 deri në 45 euro për çdo fëmijë, ndërkaq në mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë ato. Pra, nga 0 sa i gjetëm në 45, dhe në mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për fëmijë për familjet me tre e më shumë fëmijë. Me këtë rritje, do të lëmë prapa edhe disa shtete të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijë”, ka deklaruar ai.
Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur edhe kabinetin e tij qeverisës. Ndryshe prej mandatit të kaluar, ky kabinet do t’i ketë 19 ministri, katër më shumë se kabineti i kaluar.