Në rreth gjysmë ore, kryeministri Albin Kurti ka përmbledhur pothuajse pesë vjetët e tij në krye të Qeverisë dhe ka listuar zotimet për mandatin e tretë. Ekspozeja që e prezantoi në Kuvend, u cilësua ambicioze në organizatën që monitoron përmbushjen e premtimeve nga ekzekutivi.
Prodhimin e dronëve luftarakë, vettingun, reforma në digjitalizim, themelimin e Bankës Zhvillimore, pesë diga e spitale të reja, janë disa nga zotimet që kryeministri Albin Kurti i ka bërë, për t’i realizuar në mandatin e tretë.
Në ekspozenë e paraqitur në Kuvend para votimit të tij si kryeministër, Kurti ka premtuar edhe themelimin e Prokurorisë së re të specializuar për çështje të krimit të organizuar e korrupsionit.
“Reforma në drejtësi nuk ka qenë vetëm synim, ajo ka nisur të bëhet realitet. Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet të ecë përpara së bashku me vettingun ashtu që drejtësia të bëhet edhe e drejtë, edhe e shpejtë, edhe e besueshme”, ka thënë Kurti në ekspozenë e tij të mërkurën.
Premtime ka dhënë edhe për dyfishim të prodhimit të energjisë elektrike, investime në turizëm, sport, e infrastrukturë.
“Duke përfunduar rrugët që kemi nisur dhe duke filluar projekte të reja strategjike: Unazën e Prishtinës, Autostradën Gjilan-Prizren nga Banulla në Qafë të Duhlës, dhe Magjistralen e Dukagjinit, ne po ndërtojmë infrastrukturën e cila i jep kuptim zhvillimit, që shpërndan begatinë në çdo rajon dhe që e bën shtetin funksional për çdo qytetar”, ka premtuar ai.
Por, drejtoresha e “Lëvizjes Fol”, Mexhide Demolli-Nimani, i cilëson ambicioze zotimet e kryeministrit Kurti. Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë dëgjuar edhe më parë.
“Për disa nga premtimet si për fondin zhvillimor qoftë për disa të tëra që përmenden e që kanë qenë pjesë e programit të qeverisë së kaluar konsideroj që z. Kurti do të duhej të ishte i sinqertë dhe të tregonte arsyen se pse ato nuk janë realizuar gjatë mandatit të kaluar”, ka thënë ajo.
Sipas të dhënave të ofruara nga Demolli-Nimani, në katër vjetët e qeverisjes së Kurtit, është shënuar rënie në përmbushjen e premtimeve.
Nga 56 për qind aktivitete të përmbushura në vitin 2021, në 49 për qind më 2022 e 36-38 për qind më 2023 e 2024.
Qeveria Kurti 3 mori 66 vota të martën mbrëma, e kundër votuan 49 deputetë.