Pas më shumë se një dekade nga krijimi i tij, Parkut Industrial në Frashër të Mitrovicës i është vënë gurthemeli. Projekti prej afro 1 milion eurosh synon të krijojë kushte për prodhim, investime dhe punësim, ndonëse raportet institucionale nxjerrin në pah vonesa të gjata, mungesë infrastrukture dhe sfida në menaxhimin e zonave ekonomike në vend
12 vjet pas hartimit të legjislacionit të nevojshëm dhe nisjes së punimeve, të enjten i është vënë gurthemeli Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, projekt ky në vlerë prej afër 1 milion euro.
Më 2014, Ministria e Tregtisë bashkë me Komunën e Mitrovicës i filluan investimet e para në të, por që parku nuk u finalizua për mungesë të buxhetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMë 2024 filloi edhe lidhja e kontratave me bizneset për t’u vendosur aty, dhe veprimtarinë e filloi një biznes, ani se parku nuk ishte i përfunduar.
E dy vjet pas kryeministri në detyrë, Albin Kurti, premtoi krijimin e kushteve më të favorshme për prodhim, investim dhe punësim.
“Në këtë mënyrë ne po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që ia kemi Mitrovicës, e cila i dha aq shumë zhvillim e kulturë jo vetëm Kosovës, por edhe mbarë kombit shqiptar. Dhe, tash, ne po ia kthejmë këtë me një investim këtu në Frashër, në shumën e gjithmbarshme prej afër 1 milion euro për këtë park industrial, në të cilin do të mund të vendosen bizneset e ndryshme nga Mitrovica, nga Kosova, por edhe investitorë të huaj, ashtu që të rritet prodhimtaria e të shtohet punësimi”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se në tre vjetët e ardhshëm Qeveria do të investojë mbi 30 milionë euro në 14 parqe industriale në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë nga 12 zona ekonomike të krijuara në funksion janë 4 sosh, Parku i Biznesit në Drenas, ai në Mitrovicë, Parku Teknologjik në Shtime dhe Parku Industrial në Suharekë.
Në një raport të publikuar në mars të këtij viti nga kjo Ministri, thuhet se zonat ekonomike përballen me disa sfida dhe se kryesorja lidhet me zhvillimin e infrastrukturës brenda parqeve.
“Një nga sfidat kryesore lidhet me zhvillimin gradual të infrastrukturës brenda parqeve, pasi në shumë raste investimet publike në infrastrukturë realizohen në faza dhe vendosja e bizneseve fillon para përfundimit të plotë të saj. Një sfidë tjetër lidhet me modelin e menaxhimit të parqeve, ku mungesa e strukturave të specializuara menaxhuese në disa zona mund të ndikojë në koordinimin e shërbimeve dhe në zhvillimin e mëtejshëm të parkut”, thuhet në raportin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
E një raport i Institutit GAP i publikuar kohë më parë, tregon se vendimet qeveritare për themelimin e zonave ekonomike më shumë kanë qenë të motivuara politikisht sesa të bazuara në studime dhe analiza të efekteve të tyre.
“Qeveria ka shfrytëzuar zonat ekonomike edhe si mjet për shpronësime të pronave private për përfitime të grupeve të caktuara. Punimet në finalizimin e infrastrukturës në zona ekonomike kanë zgjatur për shumë vite dhe shumë biznese kanë prishur kontratat për t’u vendosur në këto zona për shkak të zvarritjes së punimeve. Edhe pse mbi 76 biznese janë vendosur në këto zona dhe zonat ekonomike zënë së paku 422.5 hektarë hapësirë, nuk ka një analizë të detajuar të përfitimeve ekonomike, rritjes së investimeve dhe punësimit”, thuhet në raportin e GAP-it.
E sipas analizës së kryer nga ministria, parqet kanë potencial të zhvillimit ekonomik, por duhet të forcohen strukturat e menaxhimit të tyre e të krijohen mekanizma për monitorim.