Dy javë pasi disa prej zonave të Kalasë së Prizrenit janë mbyllur për vizitorë, pasi sipas Ministrisë së Kulturës paraqesin rrezik, monumenti ku prej vitit 2019 kanë munguar investimet për mirëmbajtje, është vizituar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Pasi ka lëvduar monumentin pa përmendur mbylljen e disa zonave, kryeministri në detyrë ka folur për një investim në ujësjellësin e qytetit që prek edhe Kalanë.
I pari i Qeverisë ka qëndruar të mërkurën në Prizren së bashku me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, zëvendësen e saj Nora Arapi Krasniqi, ministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, dhe ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Po i përgjigjemi pozitivisht një kërkese për zhvendosjen e një infrastrukture të ujit jashtë hapësirës së kalasë, sepse ajo shkakton probleme të sigurisë dhe në të njëjtën kohë nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për përpunimin e ujit për furnizimin e katër lagjeve të Prizrenit”, citohet të ketë thënë kryeministri në detyrë, bazuar në komunikatën e Qeverisë. Kurti ka sqaruar se bëhet fjalë për një instalim që daton para Luftës së Dytë Botërore.
“Ndërkaq, në anën tjetër, edhe kapaciteti është i vogël, rreth 480 metra kub ujë, ndërkohë që me investimet e reja, të cilat kapin vlerën prej afër 450 mijë euro, do të ketë më shumë se dyfishim të kapacitetit, në 1000 metra kub. Këtu jemi bashkë për të treguar mbështetjen tonë për Prizrenin, e në veçanti për Kalanë e Prizrenit, e cila është vend i turizmit kulturor, siç po e shohim, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës dhe të rajonit, por edhe për vizitorët e huaj, disa prej të cilëve i takuam gjatë rrugës për këtu”, citohet të ketë thënë ai.
Madje, sipas pamjeve, kryeministri në detyrë ka vizituar edhe Muzeun e Kalasë. Vetëm të dielën e kaluar, vizitorët nuk kanë mundur t’i qasen këtij muzeu. Ndërkohë, Ministria e Kulturës sivjet dy herë ka anuluar konkursin për ciceronë në Kala, duke e lënë një prej monumenteve më të vizituara në vend pa udhërrëfyes për vizitorë.
“Andaj, mund të llogarisni në mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës që Kalaja e Prizrenit të ketë investime, të ketë siguri dhe gjithnjë e më shumë vizitorë, të cilët jo vetëm e mbështesin komunitetin ekonomikisht, por edhe na bëjnë nder, pasi kemi shumë trashëgimi kulturore e historike që na bën krenarë dhe dëshirojmë që këtë ta njohin edhe sa më shumë të huajt”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ndërsa ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, më pas në “Facebook” ka përshkruar vizitën, por nuk ka qenë në sinkron me shefin e saj – të paktën sa i përket shumës prej 50 mijë eurosh.
“Rezervuari, i vendosur aty që nga viti 1939, ka shkaktuar rrjedhje të vazhdueshme të ujit brenda mureve, duke dëmtuar gradualisht strukturat e lokalitetit dhe duke rrezikuar sigurinë e vizitorëve. Projekti për zhvendosjen e tij tashmë është hartuar, me vlerë prej 500 mijë eurosh, dhe procedurat për realizimin e tij do të nisin së shpejti”, ka shkruar ajo.
Për problemin me rezervuarin, KOHA ka raportuar disa herë, ndër to edhe në vitin 2021. Pesë vjet pas shembjes së një pjese të murit verior, probleme të ngjashme ishin paraqitur në një pjesë të anës juglindore në janar të vitit 2021. Kishte pasur shembje të murit rrethues në juglindje, ku rreth 6 metra katrorë të murit qenë shembur si pasojë e rezervuarit të ujit.
Tash, lajmi për mbylljen e disa zonave të Kalasë së Prizrenit për vizitorë ka shpërfaqur degradimin e monumentit dhe moskujdesin e shtetit ndaj njërit prej aseteve më të vizituara të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Megjithatë, prej dy javësh, Ministria e Kulturës dhe Turizmit, si dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës, nuk kanë treguar se në bazë të cilit raport është arritur deri te ky përfundim, as cilët do të jenë hapat e ardhshëm.
Për ata që janë marrë drejtpërdrejt me Kalanë, kjo gjendje dëshmon moskujdesin e institucioneve përgjegjëse për monumentin, ku janë investuar mbi një milion euro.
Më 2014, në monument janë investuar 700 mijë dollarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përkatësisht nga Fondi i Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës, investimet e këtij institucioni pas luftës në këtë aset të trashëgimisë kulturore kalojnë një milion euro. Plani i menaxhimit, i miratuar në fund të vitit 2020, ka qenë pesëvjeçar, por Ministria e Kulturës nuk i është përmbajtur plotësisht këtij plani, dhe monumenti ka ardhur në gjendjen që të mbyllet në disa pjesë.
KOHA ka raportuar disa herë për gjendjen jo të mirë në këtë aset. Kalaja e Prizrenit, ende pa hyrë brenda rrethojës, jep përshtypjen e një lokaliteti të braktisur. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët, nuk marrin informacione. Tabelat informuese i ka dëmtuar koha dhe shërbejnë vetëm si pamje të shëmtuara, dëshmi e moskujdesit të shtetit. Shtigjet e drunjta janë degraduar deri në atë masë sa rrezikojnë vizitorët. Janë riparuar me dërrasa, por si një zgjidhje e përkohshme që e ka shëmtuar hapësirën dhe vetëm pak e ka rritur sigurinë.
Vitet e fundit, ky aset dhe shumë të tjera shpesh kanë mbetur edhe pa roje dhe pa mirëmbajtje.