Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Dua” që kthen kohën, godet në Cannes, e pret rrugëtim i gjatë

Skenë nga filmi “Dua” nën regji të Blerta Bashollit

Skenë nga filmi “Dua” nën regji të Blerta Bashollit

Një vit më herët, regjisorja Blerta Basholli tok me ekipin do të aterronin në Cannes për ta bindur secilin se sa peshë personale kishte rrëfimi që synonin ta shndërronin në film. Të mërkurën, janë rikthyer aty me premierën botërore të filmit “Dua” i cili sapo ka ndezur ekranin e madh, ka goditur me të parën. Është në vendin e duhur: në seksionin e kritikës dhe shenjat e para janë pozitive: salla e mbushur plot, qasje pozitive gjithandej dhe ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të historisë për fatin njerëzor të shqiptarëve që e kthen kohën në vitet ‘90

Është një realitet të cilin e ka përjetuar thuajse secili adoleshent që fati e ka përplasur me vitet ’90 në Kosovë. S’ka qenë i lirë të dalë në një “pub” apo disko për të testuar veten në vallëzim apo për t’u njohur me dikë. E kur ka dalë, është përballur me ndjekjet e policisë serbe, gjoja për prishje të rendit publik. Por telashi i pushtetit të asaj kohe kishte të bënte veç me etninë. Shqiptari paraqiste rrezik edhe nëse vallëzonte. Edhe nëse i ofronte një puthje dikujt.

Dua (Pinea Matoshi), si personazh 13-vjeçar i filmit që mban po këtë emër, s’arrin ta ketë as puthjen e parë pa presionin për t’i ikur policisë serbe. Sikur puthja të ishte ndonjë krim. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këtë realitet dhe ndjesi, të mërkurën mbrëma e ka parë edhe një pjesë e publikut të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes. Aty filmi “Dua”, nën regji të Blerta Bashollit, u dha premierë botërore në seksionin e veçantë “Java e Kritikës”, që është program paralel i festivalit në rivierën franceze.

Pallati “Miramar” priti mysafirët e tregimit të Kosovës. Në film paraqiten vitet që shpërfaqin jetën e adoleshentëve në fund të viteve ’90 të shekullit të kaluar – ata që ëndërronin për liri, ndërsa kreativiteti u ishte shtypur nga regjimi i Slobodan Milosheviqit. Është pikërisht ajo gjeneratë që tash po rrëfen atë që ka ndodhur, me një kreativitet që po pranohet edhe nga kritika franceze. Blerta Basholli kësaj radhe ka bërë një film thuajse autobiografik.

“Para një viti ishim këtu në Cannes duke u munduar të flasim dhe të bindim secilin se sa i rëndësishëm dhe sa personal është ‘Dua’ për ne. Më pas u kthyem dhe bindëm Pinean të luajë rolin, sepse ajo nuk donte ta bënte këtë. Kurse sot ndihem shumë e nderuar, krenare dhe e përmbushur”, ka thënë ajo para të pranishmëve që kishin mbushur sallën pak para se të ndizej ekrani i madh. Ajo është edhe skenariste e filmit në bashkëpunim me Nicole Borgeat.

Festivali i Cannes është përplot me rrëfime nga e mbarë bota. Por sivjet e ka edhe një rrëfim mbi traumën e adoleshentëve që në Evropën e fund shekullit të kaluar janë përballur edhe me spastrim etnik. Botës së lirë, që intervenoi për t’i dhënë fund një gjendjeje që arriti deri në përmasa të gjenocidit, tash po i përgjigjen me kreativitet dhe filma që bashkojnë para ekranit kritikën franceze dhe jo vetëm.

“Ka qenë një premierë e jashtëzakonshme. Radha ka qenë e gjatë për ta shikuar filmin. Kërkesa ishte aq e madhe sa nuk kishte mjaftueshëm vende. Seksioni po konsideron të shtojë edhe një shfaqje. Ishin përfaqësues të kinematografisë franceze, zvicerane…”, ka thënë producenti Valon Bajgora pas premierës gala. Filmi është shfaqur edhe të mërkurën paradite dhe do të ketë edhe një shfaqje tjetër të enjten.

Sipas tij, është e veçantë të shihet një film kaq personal që komunikon jo vetëm me audiencën kosovare, por edhe me atë ndërkombëtare. 

Kritikët francezë e kanë vlerësuar shumë, ndërsa Bajgora ka shtuar se kjo premierë tregon se filmi do të ketë një rrugëtim të gjatë.

“Emocioni i aktrimit ishte jashtëzakonisht i madh dhe audienca e ka pritur shumë mirë Pinean dhe të gjithë kastin. Distributori francez na tregoi se ka interesim nga mbi 30 shtete. Kjo tregon se filmi ka potencial”, ka thënë Bajgora për KOHËN. Ka shtuar se nuk ishte e lehtë të xhirohej një histori jo shumë e largët e Kosovës me një produksion kaq kompleks.

“Blerta Basholli ka bërë një punë shumë të madhe në këtë film. Ky film do të mbetet në historinë e kinematografisë duke treguar një histori të patreguar të vendit tonë”, ka thënë ai.

Një pjesë e kastës së filmit “Dua” para premierës botërore në seksionin e veçantë “Java e Kritikës” në Festivalin e Filmit në Cannes

Bashkëproducenti i filmit, Yll Uka, e ka përshkruar premierën si diçka të pazakontë.

“Sapo dolëm nga kinemaja dhe ishte e pabesueshme. Audienca e ka përjetuar shumë mirë. Ishte jashtëzakonisht mirë”, ka thënë ai me entuziazëm.

Me kastën e aktorëve, ku ndër të tjerë bëjnë pjesë Arben Bajraktaraj, Kaona Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Fiona Abdullahu dhe Mila Saviq, “Dua” ka marrë vëmendje të madhe. Të mërkurën, “Screendaily” ka publikuar një kritikë për filmin. Kritikja Wendy Ide shkruan se adoleshenca e hershme është një periudhë e vështirë edhe në rrethanat më të mira, por për 13-vjeçaren Dua, që rritet në Prishtinën e ndarë etnikisht në fund të viteve ’90, kjo është edhe më e rënduar nga stresi.

“Navigimi në ‘fushën e minuar’ sociale të shkollës së mesme bëhet edhe më i ndërlikuar kur merren parasysh barrierat e padukshme mes shqiptarëve etnikë si Dua dhe fqinjëve të tyre serbë. Puthja e parë në një disko adoleshentësh është mjaftueshëm ngjarje në vetvete, pa pasur edhe rrezikun që policia ushtarake serbe të bastisë aktivitetin”, shkruhet në tekstin e titulluar “Blerta Basholli përcjell ‘Hive’ me një dramë të ngjeshur, të vendosur në sfondin e tensioneve të Kosovës së viteve ’90”.

Kritikja thekson se filmi bazohet kryesisht në përvojat personale të Bashollit, si dhe të familjarëve dhe miqve të saj, me Duan që shërben si një lloj alter-egoje e saj. Ajo përshkruan edhe skenat, duke vlerësuar mënyrën se si Basholli eksploron me finesë dinamikat shoqërore.

“Në disa skena, fytyra e saj është në plan të parë: një skenë tronditëse drejt fundit të filmit tregon se si dhuna e nënkuptuar fillon të marrë formë fizike…”, shkruan Ide, duke përshkruar një episod ku babai i Duas ndalohet nga policia ushtarake serbe dhe rrihet brutalisht.

Krahas filmit “Dua”, i përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe i shfaqur në seksionin paralel të festivalit, Kosova sivjet ka vazhduar traditën e pjesëmarrjes me shtand në “Marché du Film”
 

Sipas saj, filmi – me producentë Valon Bajgorën dhe Yll Ukën nga “Ikonë Studio”, si dhe bashkëproducentë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin nga “Alva Film” në Zvicër dhe Amaury Ovise nga “Kazak Productions” në Francë – është një rrëfim shumë i sinqertë.

Krahas filmit “Dua”, i përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe i shfaqur në seksionin paralel të festivalit, Kosova sivjet ka vazhduar traditën e pjesëmarrjes me shtand në “Marché du Film”. QKK-ja, bashkë me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, ka hapur shtandin për herë të 15-të.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Cannes edhe sivjet, në edicionin e 79-të, sjell filma nga e mbarë bota, përfshirë edhe nga regjisorë të njohur si Paweł Pawlikowski, Ryusuke Hamaguchi dhe Pedro Almodóvar. Regjisori rus Andrey Zvyagintsev rikthehet në garë me filmin “Minotaur”.

Në krye të jurisë që do të vendosë fituesin e “Palmës së Artë” sivjet është regjisori koreano-jugor Park Chan-wook, ndërsa anëtarë janë edhe Demi Moore, Chloé Zhao dhe Stellan Skarsgård.

Festivali u hap me filmin francez të viteve ’20, “The Electric Kiss”. Në ceremoninë hapëse, Cannes ka nderuar me çmimin për karrierë “Palma e Artë” regjisorin Peter Jackson.

Kosova i është kthyer Cannes pas dy vjetësh. Më 2024, filmi “Rrugës” nga Samir Karahoda ishte pjesë e konkurrencës zyrtare për filmin e shkurtër. Ndërsa më herët, me “Pa vend”, ai bëri histori si produksioni i parë vendor që garoi për “Palmën e Artë” në vitin 2021.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit të Cannes, i 79-ti me radhë, nisi më 12 dhe përfundon më 23 maj. “Java e Kritikës” sivjet shënon edicionin e 65-të. Por rrëfimi i “Duas” nga Kosova pritet të vazhdojë edhe në festivale të tjera. Ky është vetëm fillimi për “Duan” i cili ka shkundur botën e filmit sapo ka ndezur ekranin e madh.