Kulturë

Shtetit i rrafshohet monumenti nën mbrojtje të përhershme në Prizren

Tri objekte brenda “Kompleksit Saraji i Vjetër – Prizren” nuk janë më, ani pse mbroheshin përhershëm. Komuna e Prizrenit ka lëshuar leje ndërtimore për këtë zonë. Ka shfrytëzuar afatin administrativ, pasi Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve kishte vonuar përgjigjen për investitorin. Nuk kishte dhënë pëlqim për realizmin e projektit. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës të paktën publikisht ka heshtur. Është i pari rast kur shtetit i rrafshohet monumenti i mbrojtur përhershëm

Diku me leje e diku me heshtje, shteti i është dorëzuar nismës së një investitori që të rrënojë një kompleks monumental dhe në vend të tij të ngrejë shumëkatëshe. Nisma e vitit 2019 që në vend të ish-Farmakosit, brenda kompleksit të mbrojtur përhershëm si aset i trashëgimisë kulturore, ka nisur të konkretizohet tash. 

Buldozerët e mjete të tjera të rënda të martën kanë rrënuar edhe pjesët e fundit të kompleksit që në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme mbrohet nën emrin “Kompleksi Saraji i Vjetër – Prizren”. Përderisa këtë status e ka marrë në mars – pasi për disa vjet është mbrojtur përkohshëm – Kompleksi është gati të bëhet rrafsh. 

Komuna e Prizrenit ka lëshuar leje ndërtimore për këtë zonë. Ka shfrytëzuar afatin administrativ, pasi Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve kishte vonuar përgjigjen për investitorin. Nuk kishte dhënë pëlqim për realizmin e projektit. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës të paktën publikisht ka heshtur përballë cenimit të trashëgimisë kulturore që mbrohet me ligj dhe demolimi paraqet vepër që sanksionohet me Kodin penal të shtetit.

Objekt kolektiv në vend të monumenteve 

Të martën puna ka vazhduar me kapacitet. Një buldozer ka punuar në hyrje të kompleksit të ish-fabrikës së barnave “Farmakos”, e një tjetër në pjesën më lart duke rrënuar objektin me tulla. 
Janë tri ndërtesa që janë rrënuar: ish-fabrika e barnave, ajo që njihej si Burgu i Vjetër dhe një shtëpi e fundit të viteve ’20. Këto bashkë me Internatin dhe Postën e Vjetër që gjenden në anën tjetër, kanë formuar kompleksin monumental “Saraji i Vjetër – Prizren”. 

Gjatë pasdites, punëkryesit i kanë kërkuar ekipit të KOHË-s që të mos xhirohet procesi i rrënimit. Dy prej punonjësve e kanë bërë këtë me arsyetimin se nuk është biseduar me pronarët. Kanë vajtur brenda punishtes për të thirrur investitorët. Një prej tyre ka dalë dhe i ka mbledhur punonjësit.

“Largohuni derisa të shkojë kamera”, ka urdhëruar ai. Me t’u zhvendosur ekipi i KOHË-s në anën tjetër, kanë rifilluar punimet për rrënim. Stafi i atyshëm është kujdesur që të mbyllen dyert e ish-Fabrikës dhe të izolohet pak zona, në mënyrë që të mos ketë mundësi vëzhgimi nga rruga. 

Për këtë rrënim, investitori Avzilatif Xhemali, pronar i biznesit individual me emër tregtar “Rimed”, ka shfrytëzuar Vendimin për leje ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prizrenit më datë 4 prill 2024. I njëjti në fund të vitit të kaluar kishte kërkuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pëlqim për zhvillimin e parcelave që gjenden në zonën e dytë të mbrojtur në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit. IKMM-ja nuk kishte dhënë pëlqim. Ka shfrytëzuar afatin administrativ prej 15-ditësh – pasi IKMM-ja e kishte vonuar  përgjigjen – dhe nëpërmjet Lejes së Komunës ka nisur të çojë projektin e tij përpara në kurriz të monumenteve. 

Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit hapësinor në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha, ka nënshkruar lejen që i jep të drejtë investitorit të ndërtojë “Objekt kolektiv – me shumë funksione”. Sipas Vendimit të cilin e posedon KOHA, leja ndërtimore lejon dy kate bodrum, përdhesen plus tri kate të tjera.

Ndalimi i punimeve në vesh të shurdhër

Në fund të javës së kaluar, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka lëshuar vendim nëpërmjet të cilit ka urdhëruar ndaljen e punimeve që demolojnë ndërtesat. Ka hasur në vesh të shurdhër. Nuk është përkrahur nga Policia e as nga Prokuroria me arsyetimin se investitori ka leje nga Komuna. 

Të martën për këtë çështje ka heshtur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili në mars të këtij kishte nënshkruar vendimin që “Kompleksi Saraji i Vjetër – Prizren” të gëzojë mbrojtje të përhershme që është edhe statusi më i lartë ligjor që mund të ketë një monument në Kosovë. Po ashtu, kanë heshtur edhe zyrtarët e MKRS-së, ata të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, ata të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe Komuna e Prizrenit. Nuk kanë dhënë përgjigje as Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore e as Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Objekti në të majtë, ish-“Farmakosi” dhe djathtas objekti i njohur si “Burgu i Vjetër” nuk ekzistojnë më. Në këtë mes është rrafshuar edhe shtëpia e viteve ’20 po ashtu brenda kompleksit

Historia e nismës për rrënim

Historia e nismës për rrënimin e kompleksit është e vjetër. Zë fill në vitin 2019, kur ndërtesat gëzonin veç mbrojtje të përkohshme, që sa i përket ndërhyrjes, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, procedurat për investim dhe sanksionet ndaj veprimeve të paautorizuara janë të njëjta. 
Asokohe, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte dhënë pëlqim. Por MKRS-ja si shkallë e dytë kishte menduar ndryshe. 

Në nëntor të atij viti, Institucioni më i lartë kulturor në vend kishte shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, që i hapte rrugë ndërtimit të objektit në zonën e mbrojtur përreth aseteve të trashëgimisë kulturore, që janë Posta e Parë e Qytetit dhe Kazerma e Vjetër, që njihet ndryshe edhe si “Internati”. Për këtë kishte vendosur Komisioni për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në procedurën e dhënies së lejeve dhe pëlqimeve në trashëgiminë kulturore arkitekturore.

“Shfuqizohet vendimi nr. 67/2019 i datës 14.10.2019 i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, shkruhet në pikën e 3-të të vendimit të Komisionit që kryesohej nga Vjollca Aliu, asokohe  drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Krejt çfarë mund të bënte investitori asokohe ishte ankesa në afat prej 30 ditësh në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Burime të afërta me investitorin i kanë thënë KOHË-s ai thirret në një Vendim të Gjykatës që gjoja i jep të drejtë për ndërtim. Por prej asaj kohe ka ndërruar gjendja e monumentit. Nga Lista e përkohshme ka kaluar në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent. Në këtë rast, institucioni kompetent është Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. 

Burgu i Vjetër i Prizrenit 

“Institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore”, shkruhet në pikën 4.15 të nenit 4 të Ligjit. Në këtë rast, urdhërimi për ndaljen e punimeve është bërë nga Inspektorati i trashëgimisë kulturore.

“Cilido person fizik apo juridik që dëmton trashëgiminë kulturore, pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre pronësore me të, dënohet ose sanksionohet nё bazë të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, Ligjit për kundërvajtje dhe në pajtim me nenin 11 të këtij ligji”, përcaktohet në pikën 4.11 të Ligjit. Kurse në nenin 11 përmenden edhe gjobat. 

“Mosbindja ndaj dispozitave të këtij ligji në lidhje me autorizimin e veprimtarive do të gjobitet nga gjykata kompetente me minimum prej 1.000 (një mijë) Euro dhe maksimum prej 500.000 (pesë qind mijë) Euro për secilin veprim të paautorizuar”, shkruhet në këtë nen.

Zonë me vlerë edhe si lokalitet arkeologjik

Komisioni i MKRS-së në vitin 2019 kishte analizuar gjatë krejt zonën. Në arsyetimin e vendimit të Komisionit të MKRS-së sqarohej se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve sa i përket pëlqimit që i ka dhënë kompanisë “Rimed”, nuk e ka vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe nuk janë marrë parasysh kufizimet ligjore, të cilat ekzistojnë në hapësirat në të cilat
është planifikuar ndërhyrja.

“Komisioni vëren se bazuar në Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, shtojca 2, kompleksi Pantelia dhe Potokmahalla janë zonë me status të mbrojtjes”, shkruhet në arsyetim.

Komisioni po ashtu kishte konstatuar se lokacioni ku ishte planifikuar të ndërmerren aktivitete ndërtimore në përmasat sa është aprovuar projekti ideor është brenda zonës mbrojtëse dhe ushtrohet ndikim në dy monumente të tjera që kanë status të mbrojtjes, si Posta e Parë dhe Kazerma e Vjetër ose “Internati”. Komisioni po ashtu e kishte konstatuar se  objekti i propozuar për ndërtim, ndër të tjera, nuk korrespondon me vlerat dhe karakteristikat e zonës ku është planifikuar ndërtimi. Përmendej fakti se krejt këto gjenden në kuadër të kompleksit të “Nënkalasë”, “Pantelisë” dhe “Potok Mahallës”.

“Lokacioni ku është paraparë të ndërtohet kompleksi banesor është njëkohësisht edhe një lokalitet arkeologjik i pahulumtuar sa duhet, derisa dihet se në shekullin XIX aty ka qenë Saraji i Mahmud Pashës me objekte përcjellëse të kohës...”, shkruhet në pikën e 3-të të arsyetimit. Aty zinte vend  ndërtesa e vitit 1963, që dikur ishte fabrikë e barnave “Farmakos”. Sipas përshkrimit që i ka bërë QRKT-ja, ajo paraqet vlerë të zhvillimit social të Prizrenit dhe Kosovës në përgjithësi. Objektet përreth janë vetëm dykatëshe e kësisoj, sipas Ministrisë së Kulturës ndërtimi i lartë e degradon zonën.
Në shkurt të 2020-s zjarri kishte kapluar shtëpinë e ndërtuar më 1929 që ishte në kuadër ish-Farmakosit dhe kishte shërbyer si ndërtesa e Entit për Mbrojtën e Shëndetit.

LEXO EDHE: