Të enjten është procesuar pagesa për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të shumës prej 100 eurove, ka njoftuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti. 

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se janë gjithsej 49,623 studentë përfitues të të gjitha drejtimeve e institucioneve arsimore, publike e private që janë procesuar me grupin e parë.

“Pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret për përfitim do të shqyrtohen dhe procesohen me grupin e dytë në ditët në vijim”, ka njoftuar Kurti.

Qeveria ka ndarë këtë vit nga 100 euro për çdo student aktiv në universitete publike e private të akredituara, me aplikim përmes platformës e-Kosova deri në fund të tetorit, ndërsa pagesat do të ekzekutohen në faza pas verifikimit të listave nga institucionet arsimore.

Abdixhiku: Regjimi i frikësuar po i trajton studentët si material shitblerje zgjedhor

21 min. më parë / 6 nën 2025 18:02
Mbledhja e LDK-së

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ndarja e nga 100 eurove për secilin student, tre ditë para balotazhit, është tentim për blerje të votave nga qeveria në detyrë.

“Të ardhmen që ua vodhi, në shtetin më të varfër e më të izoluar në Evropë, me arsimin ndër më të fundit në botë, provon t’ua blejë me 100 euro për votë - tre ditë para balotazhit. Një regjim i frikësuar dhe në rënie të lirë, po trajton studentët e Kosovës si material shitblerje zgjedhor. Studentët drejtojnë kohë, rrëzojnë regjime e përcaktojnë epokë.  Prandaj, këta SMS ‘cringe’, para zgjedhjeve nuk blejnë as heshtjen, as shpresën. As votën. I keni nënçmuar. Do t’iu kthejnë përgjigje këtë të diel me votë. 💙 Kosova është shumë e mençur se sa po e trajton kryepopullisti sot!”, ka shkruar Abdixhiku të enjten në Facebook, në ditën kur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se ka nisur ekzekutimi i mjeteve për një pjesë të studentëve.

Qeveria ka ndarë këtë vit nga 100 euro për çdo student aktiv në universitete publike e private të akredituara.

Çitaku për 100 eurot për studentët: Manipulim për nevoja elektorale

1 o. më parë / 6 nën 2025 16:58
Vlora Çitaku

Photo: Driton Paçarada

Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratikë të Kosovës, e ka quajtur manipulim e panik ndarjen e shtesave prej 100 euro për secilin student të Kosovës, sipas vendimit të Qeverisë në detyrë.

Të enjten nisi shpërndarja e mjeteve për grupin e parë të studentëve. E Çitaku tek e ka publikuar mesazhin që u ka shkuar studentëve për këtë njoftim, ka thënë se ky është abuzim me taksa për nevoja elektorale.

“Ja si duket abuzimi me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për nevoja elektorale të Kryetarit të LVV. Vetëm tre ditë para zgjedhjeve, me paratë e qytetarëve të varfëruar, të cilëve ua ka shtrenjtuar rrymën për t’i shërbyer mafias energjetike, ai shpërndan nga 100 euro për studentët. Ky nuk është as kujdes social, as mbështetje për rininë. Është mashtrim. Është manipulim. Është papërgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, është panik”, ka shkruar ajo në Facebook.