Kulturë

Nënkryetarja e Prishtinës: “Sunny Hill” duhet të mbahet në Prishtinë

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinë, Donjeta Sahatçiu, ka këmbëngulur se Festivali “Sunny Hill” duhet të mbahet në kryeqytet.

“Sunny Hill Festival duhet të mbahet në Prishtinë. Shtëpia e Duas është Prishtina. Prishtina e ka hapë zemrën për Duan. Çfarëdo aventure tjetër politike është e papranueshme”, ka shkruar ajo në Facebook.

Fajin për zhvendosjen e festivalit në Tiranë, Sahatçiu ia ka lënë Qeverisë.

"Qeveria e Kosovës e detyroi zhvendosjen e festivalit në Tiranë, pas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për t'a mbajtur aty ku duhet, në Prishtinë dhe vetëm në Prishtinë".

“Sunny Hill” nuk do të organizohet në Prishtinë sivjet. Ky festival do të zhvendoset në Tiranë. Organizatorët kanë fajësuar institucionet e shtetit për dështimin e organizimit në Kosovë.

Deri të martën ka qenë afati që institucionet në Kosovë t’i përgjigjen për dhënien në shfrytëzim të lokacionit. Në njoftimin zyrtar të Festivalit është konfirmuar se zhvendosja në Tiranë është bërë për shkak të vonesave për përgjigje nga autoritetet për dhënien e lejes së pronës për shfrytëzim.