Afati prej 99 vjetësh për dhënien në shfrytëzim të hapësirës në Bërnicë, në versionin e Qeverisë, është vija ndarëse me organizatorët e “Sunny Hillit”, përderisa zhvendosja në Tiranë për ta qe befasi. “Vetëm para disa ditësh, ne ishim duke diskutuar këtë çështje me ta. Dhe u duk se kishte një pranim për ta rimenduar për çështjen afatgjate të kontratës së kësaj toke”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Nëse toka ka qenë ajo që i ka shtyrë në ikjen për sivjet nga Prishtina, organizatorët kanë thënë se kjo s’është pyetje për ta. “Këtë pyetje duhet me ia drejtu MAPL-së, sepse ende nuk kemi marrë përgjigjen e shumëpritur”, ka thënë për KOHËN Alban Kastrati, nga “Sunny Hill”. Por Tirana si opsion ishte përmendur më herët, përderisa për Prishtinën fondacioni “Sunny Hill” ka një listë projektesh që nuk janë konkretizuar
Paralajmërimet se “Sunny Hilli” mund të zhvendoset nga Prishtina nuk janë të reja. I fundit qe ai i muajit të kaluar nga Komuna e Prishtinës. E shenjat jo të vogla janë dhënë edhe vitin e kaluar. Në versionin e Qeverisë pika ku janë “thyer” organizatorët e Festivalit dhe përfaqësuesit e qeveritare është te 99-vjetëshi i shfrytëzimit të 17 hektarëve që janë ndarë për “Sunny Hill Festival” në Bërnicë të Poshtme të Komunës së Prishtinës. Përderisa organizatorët kanë thënë se ende po presin përgjigje nga Qeveria, një çështje tashmë është e mbyllur: edicioni i sivjetmë i Festivalit do të mbahet në Tiranë.
Qysh në ditën e dhjetë të majit kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kishte paralajmëruar se “Sunny...” mund të zhvendosej në Shqipëri. Atë ditë Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte marrë vendim që kompanisë, e cila e organizon Festivalin, t’i jepen prona në shfrytëzim për 99 vjet.
“‘Sunny Hill Festival’ është Dua Lipa, e cila e ka përfaqësuar Kosovën më së miri. Nëse ne nuk e marrim ashtu, mundet të shkojë në Tiranë, në Shkodër. Nuk i vyen Prishtina ‘Sunny Hillit’, por Prishtinës i vyen ‘Sunny Hill Festival’”, kishte paralajmëruar Rama.
Problemet janë nisur të dalin në pah kur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka nisur shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të Komunës. Mungesa e përgjigjes pozitive nga MAPL-ja ka bërë që organizatorët e Festivalit të vendosin që ngjarja të zhvendoset në Tiranë në edicionin e vet të tretë.
Sipas Qeverisë së Kosovës, bashkëpunimi me organizatorët ka qenë shumë i mirë. Por në versionin e tyre, i vetmi problem ishte afati i shfrytëzimit të pronës komunale.
“Nuk do të duhej të ishte shkas, as ndonjë arsyeje e mjaftueshme një çështje të cilën kemi thënë ta rimendojmë, çështjen afatgjate të marrjes së asaj toke, për ta bërë një lëvizje kaq të shpejtë, sepse vetëm para disa ditësh, ne ishim duke diskutuar këtë çështje me ta. Dhe u duk se kishte një pranim për ta rimenduar për çështjen afatgjate të kontratës së kësaj toke. Dhe kaluan shumë pak ditë dhe ndodhi kjo që u paralajmërua dje”, ka thënë të mërkurën ministri Kulturës, Hajrulla Çeku, një ditë pasi u dha lajmi se “Sunny Hill Festival” do të zhvendoset në Tiranë.
Ministria e Kulturës, sipas Çekut, ka qenë pika ndërlidhëse e organizatorëve dhe Qeverisë. Ka treguar se ai vetë ka thënë se në parim çështja e ndarjes së tokës për një periudhë kaq të gjatë, nuk duhet të bëhet në ngut, pasi duhet vlerësuar interesi publik dhe aty ku ka interesa private në raste të caktuara.
“Ne kemi qenë në komunikim me organizatorët e festivalit të ‘Sunny Hill” dhe si MKRS u kemi ofruar që të shërbejmë si pikë referente për të gjithë ministritë që ata kanë punë”, ka thënë ai.
Për krejt këtë situatë ka shprehur zhgënjim raportuesja për Kosovën në Parlamentin Eropian, Viola von Cramon.
“Jam e pikëlluar që festivali ‘Sunny Hill’ s’do të mbahet në Prishtinë këtë verë. Është një gabim strategjik, pasi që sjell njerëz në Kosovë dhe promovon rininë. Qeveria e Kosovës do të duhej të sigurohej që ‘Sunny Hill’ të mbahej në Prishtinë dhe shpresoj që do të rikthehet aty”, ka shkruar ajo në “Twetter”. Zhvendosja e Festivalit që u konfirmua nga një letër e gjatë e Dukagjin Lipës dërguar institucioneve të shtetit, ka marrë vëmendje edhe nga media botërore. Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka shkruar për këtë rast dhe lajmi është shpërndarë gjithandej.
Çështja është politizuar qysh në ditën e 10 majit kur Kuvendi Komunal ka marrë vendimin për të miratuar dhënien e pronës në shfrytëzim. Asamblistët e Vetëvendosjes, ata të AAK-së dhe të AKR-së kishin kundërshtuar zëshëm. Ata të VV-së qenë ankuar edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Bile asamblistë të kësaj partie në Komunë e edhe anëtarë të tjerë të VV-së që nuk mbajnë pozita publike kanë qenë të pranishëm edhe në takimin e Qeverisë me organizatorët e Festivalit. Kundërshtimi i tyre, sikurse i Qeverisë, ishte dhënia në shfrytëzim me hapësirës prej 17 hektarësh për 99 vjet.
Por stafi i “Sunny Hill Festival” nuk e ka përmendur afatin e dhënies së pronës në shfrytëzim si problemin kryesor. Kanë folur për procedurat.
“Këtë pyetje duhet me ia drejtu MAPL-së, sepse ende nuk kemi marrë përgjigjen e shumëpritur”, ka thënë për KOHËN Alban Kastrati nga “Sunny Hill”.
Problemet procedurale e kishin përcjellë ndarjen e hapësirës për këtë festival edhe në tentimin e parë.
Me 14 qershor të vitit të kaluar me 32 vota për, asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës kishin miratuar propozim-vendimin që këtij organizimi t’i ndahet prona komunale në Bërnicë të Poshtme, afër zonës së panaireve në Shkabaj.
Marrëveshja midis Komunës dhe organizatorëve ishte e njëjta. Por edhe asokohe, MAPL-ja kishte kërkuar që lënda të kthehet në pikën zero, gjë që edhe ka ndodhur.
Në shtator të vitit 2019, Dukagjin Lipa, i ati i këngëtares Dua Lipa, pas edicionit të dytë të Festivalit, si organizator i ngjarjes kishte nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës. Rreth 4 milionë euro kishte qenë kostoja e ndërtimit të Qendrës së Panaireve në Bërnicë të Poshtme, objekt i cili për disa vjet me radhë nuk është shfrytëzuar fare për nevojat e promovimit të bizneseve vendore.
Hapësirat e jashtme të Qendrës së Panaireve, afër 8 kilometra në veriperëndim të Prishtinës, sipas marrëveshjes, do të ishin në dispozicion të festivalit “Sunny Hill Festival”, i vlerësuar si një prej ngjarjeve kryesore që po e shënojnë vendin në hartën e organizimeve muzikore në botë.
Më 19 korrik të atij viti, zyrtar të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë u kishin premtuar organizatorëve të “Sunny Hill Festival” dhënien në shfrytëzim të hapësirës që do të akomodonte “dhjetëra mijëra njerëz më shumë, nga gjithë rajoni dhe Evropa, për ta bërë Kosovën destinacionin kryesor për verë”.
Ky premtim qe jetësuar me 2 shtator të vitit 2019 me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe përfaqësuesit të “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa.
“Ishte kënaqësi që bashkë me zotin Lipa të nënshkruanim marrëveshjen e bashkëpunimit, një premtim të cilin si ministër i Tregtisë ua kam dhënë organizatorëve të ‘Sunny Hill Festival’”, kishte thënë ministri i asokohshëm i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.
Pak më herët në gusht të atij viti, ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe themeluesi i fondacionit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, kishin nënshkruar marrëveshjen për dedikim të hapësirës për “Sunny Hill Foundation Music & Art Center”. Fondacioni kishte ndarë 200 mijë euro për këtë projekt. Në hapësirën që gjendet në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në kryeqytet do të zhvendosej edhe shkolla e mesme e ulët e muzikës “Prenkë Jakova” dhe fondacioni “Bonevet”. Por nga planet që puna për “Sunny Hill Academy” të niste në shtator të vitit 2019, çështja kishte marrë tatëpjetën për të mos nisur asnjëherë. Për këtë projekt dhe dy të tjerë që ishin listuar së bashku në planifikimet buxhetore, për vitin 2020 Komuna kishte paraparë 800 mijë euro.
Dukagjin Lipa dhe e bija e tij, Dua Lipa, kishin premtuar edhe të tjera investime në kryeqytet. Me 4 maj 2020, dyshja kishte zhvilluar një bisedë online me ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Një rregullim i amfiteatrit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku do të qëndrojë një instalacion dhe parku i festivaleve në Bërnicë, qenë dy synimet që kishte përmendur ylli botëror i muzikës, Dua Lipa.