Vatra e re e epidemisë së Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ndodhet në një rajon të goditur prej vitesh nga dhuna e grupeve rebele. Përpjekjet për të frenuar përhapjen e virusit po pengohen nga sulmet e militantëve dhe mungesa e sigurisë për punonjësit shëndetësorë
(NYT) - Gjashtë muaj pas shpërthimit, epidemia e Ebolës vazhdon të shkaktojë viktima në lindje të Republikës Demokratike të Kongos. Ajo që në maj nisi si një vatër e përqendruar në disa qytete të një province, tashmë është përhapur në tetë provinca, duke krijuar vatra të shumta infeksioni në një zonë të gjerë pyjore.
Punonjësit shëndetësorë arritën ta frenonin virusin në zonën ku u zbulua fillimisht, por në pjesë të tjera të vendit rastet janë rritur ndjeshëm. Qyteti i vogël Biakato, në thellësi të pyjeve tropikale, në një moment përbënte deri në një të katërtën e rasteve të reja në nivel kombëtar. Megjithatë, banorët e tij mbetën pothuajse pa ndihmë dhe pa mjete të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga epidemia.
Situatën e ka përkeqësuar edhe prania e grupeve të armatosura të lidhura me organizatën terroriste Shteti Islamik. Sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara, në ditët e fundit këta militantë kanë vrarë 106 persona në një seri sulmesh në rajon. Një nga sulmet më të rënda ndodhi rreth 40 kilometra në jug të Biakatos, ku u dogjën shtëpi, dyqane dhe objekte shëndetësore. Për pasojë, pacientët me Ebola u detyruan të largoheshin nga spitali, ndërsa mijëra banorë u larguan nga zona, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të virusit.
Grupi i armatosur quhet Forcat Aleate Demokratike (ADF). Ai vepron prej vitesh në pyjet e dendura të Kongos dhe njihet për sulmet brutale ndaj civilëve, përfshirë vrasjet, rrëmbimet dhe rekrutimin me forcë të fëmijëve. Në vitin 2019, grupi u zotua për besnikëri ndaj Shtetit Islamik. Tashmë, dhuna e këtij grupi po pengon edhe përpjekjet për të frenuar epideminë, pasi punonjësit e ndihmës humanitare druhen të hyjnë në zonat e rrezikuara.
Disa organizata humanitare kanë nisur përpjekjet për të ndihmuar Biakaton. Ato po përdorin helikopterë për të transportuar pajisje dhe personel përmes pyjeve të rrezikshme, si dhe kanë nisur ndërtimin e një qendre për trajtimin e pacientëve me Ebola. Megjithatë, vullnetarët që po përballen çdo ditë me virusin thonë se ndodhen mes dy rreziqeve të mëdha: sulmeve të militantëve dhe epidemisë.
Edhe
Kërcënimi i punonjësve shëndetësorë në Kongo për ta braktisur reagimin ndaj Ebolës
Në këtë qytet, situata në spital është veçanërisht e rëndë. Familjarë të pacientëve mblidhen pranë hyrjes, ndërsa trupat e viktimave të Ebolës nxirren të mbështjellë me qese. Një repart i pediatrisë është kthyer në zonë izolimi, por kushtet janë shumë të këqija. Pacientët qëndrojnë pranë vizitorëve, të ndarë vetëm nga një rrjetë e thjeshtë plastike, e cila nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme nga përhapja e virusit.
Sipas të dhënave të spitalit, rreth 75 për qind e pacientëve me Ebola në Biakato kanë vdekur.
Njëra prej të infektuarve është Espérance Kombi, nënë e shtatë fëmijëve, e cila prej dy javësh po trajtohet në spital. Ajo thotë se është tronditur nga vuajtjet dhe vdekjet që ka parë gjatë qëndrimit në repart.
Sulmet e armatosura
Përveç epidemisë, banorët po përballen edhe me pasojat e sulmeve të armatosura. Në maj, militantët sulmuan qytetin dhe vranë 21 persona. Për të parandaluar sulme të tjera, ushtarë nga Uganda kanë nisur patrullimet në kuadër të një marrëveshjeje me qeverinë kongoleze.
Dhuna ka detyruar shumë familje të braktisin shtëpitë e tyre. Mes tyre është edhe 18-vjeçarja Alice Gloria, e cila tregon se në shtator militantët e rrëmbyen bashkë me familjen nga ferma ku jetonin. Për katër net me radhë, ajo u detyrua të ecte nëpër pyll, duke mbajtur në krahë vajzën e saj njëvjeçare. Gjatë kësaj kohe, ajo u përdhunua vazhdimisht nga militantët. Ditën e pestë arriti të arratisej dhe, pas tri ditësh ecje, mbërriti në Biakato me vajzën. Bashkëshorti i saj, megjithatë, mbeti në pyll dhe ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të.
Ndërkohë, rastet me Ebola në Biakato fillimisht ishin të pakta. Rasti i parë u regjistrua në qershor, te një minator ari që ishte kthyer nga qyteti Mongbwalu dhe më pas kishte vdekur. Në muajt vijues u regjistruan vetëm disa raste, por nga mesi i shtatorit infeksionet u rritën me shpejtësi, duke e mbingarkuar qytetin.
Që nga maji, epidemia ka shkaktuar më shumë se 5 mijë viktima. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse përhapja vazhdon me këtë ritëm, ajo mund të tejkalojë epideminë e Afrikës Perëndimore të viteve 2014-2016, e cila mori mbi 11 mijë jetë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i infeksioneve është rritur sërish javët e fundit, ndërsa në zonën mes qyteteve Beni dhe Mambasa, ku ndodhet edhe Biakato, virusi po përhapet me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja.
Përpjekjeve për ta frenuar epideminë u është bashkuar edhe Jean-Lefranc Sakara, një vullnetar i Kryqit të Kuq, i cili drejton ekipin që mbledh dhe dezinfekton trupat e personave që vdesin nga Ebola. Ai u zhvendos në Biakato katër vjet më parë, pasi militantët i kishin sulmuar shtëpinë në provincën e Kivu Verior, duke vrarë motrën dhe tre vëllezërit e tij.
Sakara thotë se puna është jashtëzakonisht e rrezikshme. Vullnetarët kanë kostume mbrojtëse, por u mungon trajnimi i duhur. Ata duhet të hyjnë në shtëpitë e viktimave, të pastrojnë gjakun e infektuar dhe të largojnë dyshekët e ndotur, duke rrezikuar vazhdimisht të infektohen.
Ekipi i vullnetarëve të Kryqit të Kuq u përball edhe me armiqësinë e banorëve që po përpiqeshin t’i ndihmonin. Gjatë varrimeve, familjarët e viktimave i gjuanin me gurë, i fyenin dhe i akuzonin se po përfitonin nga epidemia. Sipas Jean-Lefranc Sakaras, banorët e quanin këtë situatë “biznes me Ebolën”.
Kjo armiqësi po i vështirësonte përpjekjet për të ndalur përhapjen e virusit. Virusi transmetohet më lehtë nga personat e vdekur prandaj varrimet pa masa mbrojtëse mund të shkaktojnë përhapje të gjerë të sëmundjes.
Sakara tha se vetëm gjatë javës së fundit, katër nga 12 anëtarët e ekipit të tij ishin larguar nga puna, nga frika për jetën e tyre. Askush nuk kishte pranuar t’i zëvendësonte.
Ndërkohë, banorët dhe grupet e armatosura tërhiqen në këtë zonë nga dy burime kryesore të të ardhurave: kultivimi i kakaos dhe nxjerrja e arit. Por epidemia ka ndryshuar jetën e fermerëve. Ismail Mbafumoja, i cili kultivon kakao, thotë se tashmë mezi gjen kohë të kujdeset për të mbjellat, pasi duhet të marrë pjesë vazhdimisht në varrimet e viktimave të Ebolës. Ai tregon se në një nga shtëpitë e lagjes kishte vdekur së fundmi edhe një fëmijë nga virusi.
Ndihma mjekësore që u mungonte pacientëve në Biakato ndodhej vetëm rreth 65 kilometra larg, në qytetin Beni. Atje, organizata Mjekët pa Kufij kishte ngritur një qendër moderne për trajtimin e Ebolës, me më shumë se 200 punonjës, reparte të posaçme dhe masa të rrepta mbrojtëse. Pacientët merrnin kujdes mjekësor dhe mbështetje psikologjike. Megjithatë, hapja e një qendre të tillë në Biakato ishte penguar. Në vitin 2013, militantët e ADF-së kishin rrëmbyer katër punonjës të kësaj organizate në një sulm në provincën e Kivu Verior. Njëri prej tyre arriti të arratisej pas 13 muajsh, ndërsa për tre të tjerët nuk dihet ende asgjë.
Dilema e vështirë
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka një histori të dhimbshme në këtë qytet. Gjatë epidemisë së vitit 2019, persona të armatosur sulmuan objektin ku qëndronin punonjësit e saj, duke vrarë tre anëtarë të ekipit që po luftonte Ebolën.
Kjo e ka vendosur autoritetet shëndetësore përballë një dileme të vështirë. Nëse vonojnë ndërhyrjen, Biakato mund të kthehet në një vatër të madhe të virusit, nga ku infeksioni do të përhapet në rajone të tjera. Por, nëse veprojnë me shpejtësi, rrezikojnë sulme, rrëmbime apo vrasje të punonjësve humanitarë.
Një tjetër pengesë është mosbesimi i banorëve ndaj autoriteteve dhe organizatave të huaja. Pas dekadash konflikti dhe operacioneve të pasuksesshme ushtarake, shumë banorë nuk u besojnë institucioneve. Sipas zyrtarëve, edhe ushtarët që duhet t’i mbrojnë shpesh i shfrytëzojnë, duke u kërkuar ryshfet ose duke përfituar nga tregtia e arit. Për këtë arsye, disa banorë e kanë parë edhe epideminë si një tjetër përpjekje për t’i shtypur.
Edhe
Kongo raporton më shumë se 2,000 vdekje nga Ebola
Kur rastet filluan të rriteshin në shtator, një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u kthye në Biakato për të vlerësuar nevojat. Por edhe ata u përballën me kërcënime. Një mëngjes, para hotelit ku po qëndronin, gjetën një dele me kokë të prerë, si shenjë se nuk ishin të mirëpritur.
Megjithatë, përkeqësimi i epidemisë bëri që udhëheqësit lokalë të kërkonin ndihmë. Më 12 tetor, përfaqësues të OBSH-së u pritën ndryshe nga herët e kaluara. Udhëheqësit e qytetit kërkuan falje për vrasjen e punonjësve shëndetësorë në vitin 2019 dhe kërkuan që organizata të dërgonte ndihmë. Që atëherë, OBSH-ja ka shtuar personelin dhe ka përmirësuar funksionimin e qendrës shëndetësore, ndërsa qeveria kongoleze ka ngritur një laborator për testimin e pacientëve. Edhe organizata zvicerane Medair ka dërguar ekipe mjekësore.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të mos mjaftojë. Për të ndalur Ebolën, punonjësit shëndetësorë duhet të identifikojnë dhe gjurmojnë të gjithë personat që kanë pasur kontakt me të infektuarit. Kjo është pothuajse e pamundur për sa kohë militantët e ADF-së vazhdojnë të kërcënojnë zonën.
Eksperti i Ebolës, Jean-Jacques Muyembe, i ka bërë thirrje qeverisë kongoleze të shqyrtojë edhe mundësinë e vendosjes së kontakteve me grupin e armatosur, ndonëse ai është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, militantëve duhet t’u bëhet e qartë se virusi përbën rrezik edhe për ta. Muyembe paralajmëroi se, pa një zgjidhje të tillë, frenimi i epidemisë mund të bëhet i pamundur.
Ndërkohë, gjendja e pacientëve vazhdon të përkeqësohet. Moise Kalindera, 27 vjeç, mezi arriti të ngjitej në shkallët e repartit të Ebolës, i ndihmuar nga një punonjës shëndetësorë me veshje mbrojtëse. Për javë të tëra, familjarët e tij e kishin dërguar nga një klinikë në tjetrën, duke kërkuar një kurë. Por, edhe pasi testi konfirmoi se ishte i infektuar me Ebola, familja refuzoi ta pranonte diagnozën. Motra e tij, Consolee, tha se ata besonin se ai ishte helmuar.
Moise Kalindera u vendos në një dhomë të vogël, bashkë me një pacient tjetër, i cili i kishte shpresë se mund të shërohej. Germain Kanyungu, 31 vjeç, punëtor në një fermë, po luftonte me Ebolën prej disa javësh, por gjendja e tij më në fund ishte përmirësuar.
Kthimi në shtëpi
Testi i fundit kishte rezultuar negativ dhe, nëse edhe testi i radhës do të dilte i tillë, ai mund të largohej nga spitali.
Kanyungu mezi priste të shërohej. Ai u tha të tjerëve se, sapo të dilte nga spitali, nuk do të kthehej më kurrë në Biakato.
Gjatë natës, dy pacientët biseduan, bënë shaka dhe qeshën së bashku. Kanyungu e ndihmoi shokun e dhomës të hante dhe u përpoq ta qetësonte kur ai i tregoi se kishte frikë se do të vdiste.
Të nesërmen, motra e Moises, Consolee, dhe njëri nga vëllezërit e tij shkuan për ta vizituar. Por asnjëri prej tyre nuk kishte veshur pajisje mbrojtëse. Madje, vëllai i tij e zbrazi enën ku pacienti mblidhte urinën, duke e prekur atë me duar pa dorëza. Kanyungu e konsideroi këtë veprim jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Gjatë natës, gjendja e Moises u përkeqësua ndjeshëm. Ai villte, kishte diarre dhe kërkonte vazhdimisht ujë. Një infermier u përpoq t’i vendoste infuzion, por nuk arriti t’ia gjente venën. Pak më vonë, Moïse vdiq në gjumë.
Askush nuk erdhi ta largonte trupin, ndaj Kanyungu u detyrua ta kalonte natën pranë shokut të tij të vdekur. Të nesërmen, ai tha se nuk dëshironte të kthehej më në repart, pasi kishte parë shumë njerëz të vdisnin.
Trupi i Moises u vendos në një arkivol me lule të vizatuara dhe u transportua në një varrezë të improvizuar në pyll, disa kilometra larg qytetit. Atje ishin hapur më shumë se 100 varre të reja, mes palmave të larta. Kryqet prej druri nuk kishin emra, ndërsa varrmihësit vazhdonin të hapnin gropa të tjera.
Vullnetarët e Kryqit të Kuq e bartën arkivolin drejt një varri të hapur. Gjatë lëvizjes në hapësirën e ngushtë mes varreve, njëri prej tyre rrëshqiti dhe arkivoli ra brenda gropës. Të pranishmit reaguan të tronditur, ndërsa familjarët shpërthyen në vaj.
Pa prift dhe pa lutje, varrmihësit nisën ta mbulonin shpejt varrin me dhe. Një grua u rrëzua përtokë duke qarë, ndërsa dheu mbulonte arkivolin. “Oh, Moise!”, bërtiti ajo.
Consolee nuk ishte e pranishme, pasi familjarët e kishin izoluar nga frika se mund të ishte infektuar gjatë vizitës në spital.
Ndërkohë, në afërsi po përgatiteshin varre të tjera dhe po silleshin arkivole të reja. Në atë moment, një grua iu drejtua gazetarëve dhe i akuzoi të huajt se e kishin sjellë Ebolën në vend. Edhe varrmihësit nisën t’i fyenin dhe t’i kërcënonin, duke i akuzuar për vdekjen e Moises. Disa prej tyre kërkuan që të sulmoheshin, ndërsa një burrë i zgjati një shati gazetarit, duke i kërkuar të ndihmonte në hapjen e varreve. Një tjetër drejtoi nga ai një pushkë lodër prej druri.
Gazetarët u larguan nga vendi, ndërsa drejt tyre u hodhën grushte dheu që merreshin pranë varrit të Moises.
Edhe
Vlerësohet “alarmante” situata me përhapjen e Ebolës në Kongo
Të nesërmen, Germain Kanyungu doli nga reparti i Ebolës me një buzëqeshje të madhe. Edhe testi i dytë kishte rezultuar negativ.
Ai më në fund ishte shëruar dhe po kthehej në shtëpi.