Kulturë

“Sunny Hill Festival” rikthehet në Prishtinë pas një javë përplasjesh mes institucioneve

Sunny Hill - Festival

Të tria palët për gati një javë kanë pasur akuza për njëra-tjetrën. Por të martën kanë konfirmuar së bashku se më 4, 5,6 dhe 7 gusht Prishtina do të jetë nikoqire e “Sunny Hill Festival” e po ashtu se do të vazhdojë procesi për një lokacion të përhershëm për këtë organizim. “Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe ‘Sunny Hill Festival’ bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të Festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë. Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë, do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm”, shkruhet në një deklaratë të përbashkët midis Komunës, Qeverisë dhe organizatorëve të Festivalit

Gjashtë ditë pasi organizatorët e festivalit “Sunny Hill” njoftuan për zhvendosjen e Festivalit dhe akuzuan institucionet për zvarritje procedurale e politizim të procesit, ata kanë gjetur gjuhë të përbashkët me Qeverinë dhe Komunën e Prishtinës.

Të tria palët për gati një javë kanë pasur akuza për njëra-tjetrën. Por të martën kanë konfirmuar së bashku se më 4, 5,6 dhe 7 gusht Prishtina do të jetë nikoqire e “Sunny Hill Festival” e po ashtu se do të vazhdojë procesi për një lokacion të përhershëm për këtë organizim.

“Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe ‘Sunny Hill Festival’ bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të Festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë. Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë, do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm”, shkruhet në një deklaratë të përbashkët midis Komunës, Qeverisë dhe organizatorëve të Festivalit.

“Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali ‘Sunny Hill’ të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë”, shkruhet në njoftim.

Aty bëhet e ditur se edhe Tirana do të jetë nikoqire, por nëpërmjet një edicioni të veçantë me një “line-up” tjetër dhe do të mbahet më 26, 27 dhe 28 gusht. KOHA ka kontaktuar organizatorët por ata nuk janë deklaruar përtej asaj që është thënë në njoftim, me arsyetimin se janë marrë vesh që komunikimi me publikun të bëhet me dakordimin e tri palëve.

Njoftimi i Dukagjin Lipës, organizator i Festivalit, se ky edicion do të mbahej në Tiranë kishte ngjallur alamet reagimi publik. Më pas kishin nisur edhe akuzat midis institucioneve.

Për Komunën e Prishtinës ishte Qeveria ajo që kishte zvarritur procesin dhe kishte ndikuar direkt që kryeqyteti të mos ia siguronte lokacionin e përhershëm Festivalit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të enjten bashkë me një pjesë të kabinetit të tij, në një konferencë për media si negociues i marrëveshjes me “Sunny Hill Festival” e propozues që Kuvendi Komunal më 10 maj të votonte pro ndarjes së parcelës prej 17 hektarëve për Festivalin, kishte thënë se Komuna ka bërë të pamundurën që të krijohen kushtet për mbajtjen e ngjarjes në Prishtinë.

Sipas Ramës, Ministria e Administrimit të Pushtetit lokal gjatë vlerësimit të ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit Komunal kishte kërkuar dokumente shtesë. Po ashtu ishte kërkuar që të rinegociohet periudha e shfrytëzimit prej 99 vjetësh. Qeveria e ka pranuar publikisht se periudha e shfrytëzimit duhej të negociohej më shumë.

“Ashtu siç është përcaktuar edhe në ofertën e negociuar, kontrata parasheh që nëse për tre vjet me radhë festivali nuk mbahet për çfarëdo arsye, prona i kthehet Komunës së Prishtinës”, kishte thënë ai, duke shtuar se e ka besimin e plotë që Festivali nga viti tjetër do të jetë në Prishtinë, aty edhe ku nisi.

Më të zëshmit kundër marrëveshjes së Komunës me “Sunny Hill Festival” kanë qenë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që udhëheq me Qeverinë.

Pas konferencës së kryetarit Përparim Rama, me një foltore në krah anëtarët e VV-së janë pozicionuar para Komunës. Asamblistja Nora Kelmendi kishte folur gjatë për procedurat që, sipas saj, nuk janë përfillur nga ekzekutivi komunal. Kishte thënë se kanë munguar autorizimet e përfaqësuesve të Festivalit, dosjet nuk kanë qenë të plota dhe ka përmendur edhe afatin prej 99 vjetësh.

Në dy edicionet e para, më 2018 dhe 2019 “Sunny Hill Festival” kishte sjellë emra të mëdhenj të botës në muzikë, me në krye Dua Lipën. Numri i atyre që merrnin pjesë në koncerte shkonte mbi 15 mijë çdo natë dhe “Gërmia” qe bërë vend që nuk akomodonte publikun e interesuar për Festival. Qysh prej 2019-s organizatorët kanë kërkuar që t’u jepet në shfrytëzim një hapësirë për ta rritur Festivalin.

Problemet procedurale e kishin përcjellë ndarjen e hapësirës për këtë festival edhe në tentimin e parë.

Më 14 qershor të vitit të kaluar me 32 vota për, asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës kishin miratuar propozim-vendimin që këtij organizimi t’i ndahej prona komunale në Bërnicë të Poshtme, afër zonës së panaireve në Shkabaj.

Marrëveshja midis Komunës dhe organizatorëve ishte e njëjta. Por edhe asokohe, MAPL-ja kishte kërkuar që lënda të kthehet në pikën zero, gjë që edhe ka ndodhur.

Në shtator të vitit 2019, Dukagjin Lipa, i ati i këngëtares Dua Lipa, pas edicionit të dytë të Festivalit, si organizator i ngjarjes kishte nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës. Rreth 4 milionë euro kishte qenë kostoja e ndërtimit të Qendrës së Panaireve në Bërnicë të Poshtme, objekt i cili për disa vjet me radhë nuk është shfrytëzuar fare për nevojat e promovimit të bizneseve vendore.

Hapësirat e jashtme të Qendrës së Panaireve, afër 8 kilometra në veriperëndim të Prishtinës, sipas marrëveshjes, do të ishin në dispozicion të festivalit “Sunny Hill Festival”, i vlerësuar si një prej ngjarjeve kryesore që po e shënojnë vendin në hartën e organizimeve muzikore në botë.

Më 19 korrik të atij viti, zyrtar të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë u kishin premtuar organizatorëve të “Sunny Hill Festival” dhënien në shfrytëzim të hapësirës që do të akomodonte “dhjetëra mijëra njerëz më shumë, nga i gjithë rajoni dhe Evropa, për ta bërë Kosovën destinacionin kryesor për verë”.

Ky premtim qe jetësuar më 2 shtator të vitit 2019 me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe përfaqësuesit të “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa.

“Ishte kënaqësi që bashkë me zotin Lipa të nënshkruanim marrëveshjen e bashkëpunimit, një premtim të cilin si ministër i Tregtisë ua kam dhënë organizatorëve të ‘Sunny Hill Festival’”, kishte thënë ministri i asokohshëm i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Pak më herët, në gusht të atij viti, ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe themeluesi i fondacionit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, kishin nënshkruar marrëveshjen për dedikim të hapësirës për “Sunny Hill Foundation Music & Art Center”. Fondacioni kishte ndarë 200 mijë euro për këtë projekt. Në hapësirën që gjendet në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në kryeqytet do të zhvendoseshin edhe shkolla e mesme e ulët e muzikës “Prenkë Jakova” dhe fondacioni “Bonevet”. Por nga planet që puna për “Sunny Hill Academy” të niste në shtator të vitit 2019, çështja kishte marrë tatëpjetën për të mos nisur asnjëherë. Për këtë projekt dhe dy të tjera që ishin listuar së bashku në planifikimet buxhetore, për vitin 2020 Komuna kishte paraparë 800 mijë euro.

Dukagjin Lipa dhe e bija e tij, Dua Lipa, kishin premtuar edhe të tjera investime në kryeqytet. Më 4 maj 2020, dyshja kishte zhvilluar një bisedë online me ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Një rregullim i amfiteatrit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku do të qëndrojë një instalacion dhe parku i festivaleve në Bërnicë, qenë dy synimet që kishte përmendur ylli botëror i muzikës, Dua Lipa.