Arbëri

AP: Festivali i themeluar nga babai i Dua Lipas arratiset nga Kosova

Mediat ndërkombëtare kanë vazhduar të shkruajnë për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë, vendim që u bë i ditur nga organizatorët të martën, me arsyetimin se autoritetet në Kosovë nuk ia ndanë parcelën e premtuar prej 17 hektarëve në Bërnicë për 99 vjet shfrytëzim.

“Një festival ndërkombëtar muzikor i themeluar nga babai i kantautores Dua Lipa për të promovuar vendlindjen e tij, Kosovën, ka çuar në akuza vendin e vogël evropian, pasi humbi ngjarjen ndaj Shqipërisë fqinje”, shkruan Associated Press të mërkurën.

Festivali Sunny Hill bëri debutimin e tij në kryeqytetin e Kosovës - Prishtinë, në vitin 2018 dhe u zhvillua sërish në vitin 2019, duke sjellë artistë si Miley Cyrus, Calvin Harris, Martin Garrix dhe Action Bronson në një nga vendet më të reja dhe më të varfra të Evropës, sipas AP-së.

Dua Lipa ishte gjithashtu aty.

“Dukagjin Lipa, babai dhe menaxheri i këngëtares, tha se festivali i solli Kosovës publicitet të paçmuar, duke përfshirë mbulimin në më shumë se 500 media ndërkombëtare. Ngjarja u pezullua në vitet 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë së koronavirusit. Është vendosur të rikthehet këtë verë, por Lipa tha të martën vonë se pas një pritjeje të gjatë, shumë përpjekjeve, kërkesave, ai kishte marrë një vendim të vështirë por të nevojshëm për të organizuar ngjarjen e 4-7 gushtit në kryeqytetin e Shqipërisë - Tiranë. Ai foli për një mosmarrëveshje politike midis partisë që udhëheq Qeverinë e Kosovës dhe asaj në pushtet në Prishtinë”, thuhet më tej në shkrimin e AP-së.

Ai dhe drejtorët e tjerë të festivalit kishin kaluar tre vjet duke u përpjekur ta bindnin qeverinë që t'i lejonte ata të menaxhonin një sipërfaqe prej 17 hektarësh dhe të ndërtonin infrastrukturën e duhur për festivalin vjetor.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në nivel qendror ndodhet në opozitë, favorizoi mbajtjen e festivalit muzikor. Ai akuzoi qeverinë, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, se po vonon vendimin dhe po përpiqet të ndryshojë vendimin e këshillit të qytetit.

Ministri i Kulturës i Kosovës, Hajrulla Çeku, tha se pengesa erdhi nga organizatorët e festivalit që kërkonin shfrytëzimin e parcelës për 99 vjet.

“Qeveria nuk mund të nxitonte në një marrëveshje të tillë dhe procesi i vendimmarrjes kërkon kohë që të jetë i plotë dhe jo i gabuar apo abuziv”, tha Çeku.

Lipa, megjithatë, ia atribuoi vonesën një lufte për pushtet midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Sido që të jetë, zhvendosja e festivalit nuk u ka pëlqyer njerëzve në Kosovë. Një parti tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkoi dorëheqjen e qeverisë që humbi një festival që do të promovonte Kosovën”, shkruan AP-ja.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj tha për Associated Press se qeveria e tij e ofroi menjëherë kryeqytetin e Shqipërisë “si një zëvendësim në një përpjekje për të mbajtur festivalin ndërkombëtar në një qytet të madh shqiptar”.

Image
Foto: AP