Sivjet pop-ylli botëror, Dua Lipa, do të jetë emër qendror në edicionin e pestë të festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë. Në kuadër të turneut të saj botëror “Radical Optimism”, do të ndalet edhe në festivalin e themeluar nga babai i saj, Dukagjin Lipa. Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja në rrjete sociale, pasi fansat kishin shpërndarë listën e vendeve ku do të performojë në kuadër të turneut. “Më duket se u zbulua sekreti. ‘Sunny Hill Festival’, shihemi aty”, ka shkruar ajo
Përderisa edicionin e kaluar ata që admirojnë muzikën e Dua Lipës e prisnin në skenë, qoftë edhe vetëm për një këngë, sivjet pop-ylli botëror do të jetë emër qendror në edicionin e pestë të festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë. Në kuadër të turneut të saj botëror “Radical Optimism”, do të ndalet edhe në festivalin e themeluar nga babai i saj, Dukagjin Lipa.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja në rrjete sociale, pasi fansat kishin shpërndarë listën e vendeve ku do të performojë në kuadër të turneut.
“Më duket se u zbulua sekreti. ‘Sunny Hill Festival’, shihemi aty”, ka shkruar ajo.
Edhe themeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa, ka ndarë lajmin duke shkruar se kjo verë “do të jetë një verë e hareshme”.
Festivali do të mbahet gjatë verës në datat 1, 2 dhe 3 gusht në Bërnicë të Epërme të Prishtinës.
Agjencia “Republika” që menaxhon pjesën e informimit të Festivalit, ka bërë të ditur se Lipa do të performojë në skenën kryesore.
“Dua Lipa bën rikthimin e madh e të shumëpritur në Prishtinë, konfirmon performancën në Sunny Hil Festival këtë verë. Prishtinë, a je gati? Ikona globale e muzikës pop, Dua Lipa, po vjen në Sunny Hill Festival 2025 - për një performancë të paharrueshme në skenën kryesore të festivalit më të madh të muzikës në rajon”, shkruhet në njoftim.
Theksohet se Prishtina është qyteti i vetëm i Evropës Juglindore ku Lipa do të performojë në kuadër të turneut të saj.
“Si pjesë e turneut të saj botëror “Radical Optimism”, Dua do të ndalojë edhe në Prishtinë. Kryeqyteti do të jetë destinacioni i vetëm në Evropën Juglindore ku artistja me famë botërore do të perfomojë”, shkruhet më tej.
Në kuadër të këtij turneu, Dua Lipa ka performuar më 11 e 12 maj në Madrid, më 15 e 16 maj do të jetë në Lyon të Francës, më datat 19 e 20 në Hamburg të Gjermanisë, më 23 e 24 në kryeqytetin francez, në Paris.
Më 27 e 28 maj mban koncert në Pragë të Çekisë, më 31 maj e 1 qershor në Munich të Gjermanisë. Më 3 e 4 qershor do të jetë në Amsterdam. Vendet e tjera që përfshihen në datat në vijim janë Italia, Belgjika, Anglia, Irlanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Argjentina, Kili, Brazili, Peru, Kolumbia e Meksika. Koncertet do të zhvillohen deri më 5 dhjetor të këtij viti.
Edhe në Prishtinë, Dua Lipa pati shkëlqyer në skenën e “Sunny Hill Festival”. Ajo njihet për stilin unik të këngëve të saj me çka ka thyer rekorde botërore në top-lista e me pjesëmarrjen e publikut në festivale të mëdha në botë.
“Pas rekordeve të njëpasnjëshme në skenat më prestigjioze, nga Glastonbury te Royal Albert Hall, dhe pasi ka mahnitur tashmë publikun në Melbourne, Madrid e gjitha kryeqytetet më të mëdha botërore, Dua Lipa do të sjellë hitet dhe energjinë e saj unike në Sunny Hill, që mbahet nga 1 deri më 3 gusht”, shkruhet në njoftimin për media të Agjencisë “Republika”.
Turneu mban emrin e albumit më të fundit të saj, “Radical Optimism”. Është publikuar edhe lista me këngët që do të performojë në koncertet e këtij turneu.
“Training season”, “End of an era”, “Break my heart”, “One kiss”, “Levitating” “Illusion”, “Falling forever”, “Love again”, “Be the one”, “New Rules”, “Don’t start now”, “Dance that night” e “Houdini” janë prej hiteve që ylli botëror nga Kosova do të performojë edhe në “Sunny Hill” në Bërnicë të Epërme. Pjesa tjetër e programit të saj përfshin këngë nga albumi më i ri.
Peggy Gou, emër i njohur i muzikës elektronike për hite energjike, e cila javën e kaluar u zbulua si një prej emrave kryesorë që do të performojnë në edicionin e sivjetmë të festivalit.
Sipas njoftimit të organizatorëve, pos yjeve ndërkombëtare, do të performojnë edhe 60 artistë të tjerë vendorë e të huaj. Në njoftim është theksuar se ka ndryshime edhe në skena, që sipas organizatorëve, janë më të mëdha se të edicionit të kaluar.
Peggy Gou është artiste nga Koreja e Jugut. Hiti kryesor i saj është “(It Goes Like) Nanana”. Po ashtu ajo njihet për hitet “It Makes You Forget (Itgehane)” dhe “Starry Night”.
Vitin e kaluar personazhe qendrore qenë Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy e DJ Snake, derisa figura qendrore në skenën C4 – DJ me nam në botë “Black Coffee”.
Vitin e kaluar të gjata kanë qenë katër netët e fundit në Prishtinë, ku për adhuruesit e muzikës dhe yjtë botërorë të muzikës, dielli ka lindur dhe perënduar me “Sunny Hill Festival”. Elektrizuese ishte finalja në Bërnicë të Poshtme, me DJ Snake deri në orët e para të mëngjesit. Ky ka qenë edicioni i katërt i festivalit, dhe i pari në shtëpinë e vet.
“Skenari” – prej hapjes me Bebe Rexhën pasuar nga Burna Boy e Stormzy – për ta finalizuar maratonën 96-orëshe të dielën e fundit të korrikut me mbrëmjen e elektrizuar të DJ Snake, shumë emra të tjerë botërorë e vendorë, kanë thurur kapitullin e “Sunny Hillit...”. Artisti francez ka qenë në tjetër dimension. Ka diçka tjetër pos repertorit të tij ikonik të këtij zhanri – mesazhet që përcjell nëpërmjet ritmeve.
Ritmet e muzikës tradicionale të Palestinës e kanë pasuar thirrjen e tij për liri të këtij vendi. Ai është bërë një me publikun të cilin e ka bërë për vete me simbolin e shqiponjës e duke e valëvitur flamurin e Kosovës derisa atë kombëtar e ka mbajtur në supe.
Por Dua Lipa që ishte e pranishme në festival, vjet kishte thënë se është krenare edhe për edicionin e fundit të festivalit që e ka themeluar bashkë me babanë e saj, Dukagjin Lipa.
“Kam aq shumë për të postuar nga këto katër ditët e fundit në ‘Sunny Hill Festival’ sa nuk di as nga t'ia filloj!! Unë kam ngelur me një ndjenjë kaq të madhe krenarie pas kësaj fundjave të gjatë sa nuk mund të shkëputem nga të gjitha emocionet!!! Nuk mund të shpreh sa duhet gëzimin e pastër që është të dëshmosh që ky festival të bëhet ai që është bërë gjatë pesë vjetëve të fundit. Duke e parë atë të rritet dhe të bëhet diçka më shumë nga sa mund të kishim ëndërruar ndonjëherë”, kishte shkruar këngëtarja në rrjete sociale.
Sipas saj, çka e bën dhe më të veçantë atë është fakti se e ka bërë këtë me të gjithë familjen e saj dhe të gjithë ata që janë pjesë e agjencisë “Republika”. “Të shohësh të gjithë duke punuar kaq palodhur gjatë gjithë kohës ka qenë gjëja më emocionuese, e bukur, frymëzuese, energjike, stresuese (nganjëherë), por gjëja më shpërblyese për të cilën jam shumë krenare të jem pjesë e saj. Nevojitet vërtet një armatë e tërë dhe ne e bëjmë këtë për qytetin tonë. Faleminderit të gjithëve që erdhët për t'u bashkuar me ne, të gjithë artistët dhe ekipet e tyre. U jemi shumë mirënjohës”, kishte shkruar ajo në anglisht për të përmbyllur me një “Ju dua shumë”, në shqip.