UEFA e ka dënuar rëndë Federatën e Futbollit të Kosovës për shkeljet e bëra në ndeshjen ndaj Izraelit.
Ndaj FFK-së u hapën disa procedura disiplinore për hedhje të gjësendeve, transmetim të mesazhit të papërshtatshëm për ngjarje sportive, pengim të himnit dhe sjellje raciste ose diskriminuese.
FFK-ja është gjobitur me 42 mijë e 250 euro dhe me dënim me kusht me mbyllje të pjesshme të stadiumit në ndeshjen e ardhshme si vendase.
Me 10 mijë euro FFK-ja është gjobitur për sjellje raciste ose diskriminuese. Për këtë shkelje UEFA ka urdhëruar mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri” për një ndeshje, por ky dënim është me kusht. Është saktësuar se mbyllja duhet të jetë për një sektor.
Për hedhjen e gjësendeve në fushën e lojës, FFK-së është gjobitur me 2250 euro. Për fishkëllimat gjatë himnit të Izraelit, FFK-ja do të paguajë në UEFA 10 mijë euro të tjera.
Plot 20 mijë euro është dënimi për transmetimin e mesazhit që nuk është i përshtatshëm për ngjarjet sportive. Nuk është saktësuar se për cilin mesazh bëhet fjalë.