Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: E papranueshme që Speciales t’i hiqet mandati për vrasjet e veprimtarëve të LDK-së

Vjosa Osmani

Ish-presidentja Vjosa Osmani, njëherësh deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se është e papranueshme që Gjykatës Speciale t’i hiqet mandati për trajtimin e rasteve të vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së.

Osmani ka thënë se, pavarësisht dështimit të gjykatave të Kosovës, UNMIK-ut dhe EULEX-it për t’i trajtuar këto raste, familjet e viktimave e kanë parë Gjykatën Speciale si shpresën e fundit për zbardhjen e tyre.

“Për ne është e papranueshme që të hiqet nga mandati i Gjykatës trajtimi i këtyre rasteve. Është totalisht e papranueshme, sepse me vetë faktin që kanë dështuar edhe gjykatat e Kosovës, edhe ato të UNMIK-ut, edhe ato të EULEX-it që t’i trajtojnë këto raste, shpresa e vetme e këtyre familjeve të atdhetarëve të mëdhenj të Kosovës ka qenë që Gjykata Speciale do të merret me to”, ka thënë Osmani të enjten në “Konfront” të KTV-së.

Ajo ka theksuar se LDK-ja ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për viktimat nga radhët e saj, për vrasjet që kanë ndodhur si gjatë luftës, ashtu edhe pas përfundimit të saj.

Ish-presidentja ka sqaruar se kërkesa për trajtimin e këtyre rasteve nuk nënkupton akuzimin e ndonjë individi dhe se duhet të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë.

“Ne nuk e drejtojmë gishtin te ndokush dhe natyrisht që vlen edhe parimi i prezumimit të pafajësisë, por është e papranueshme që t’i hiqet mandati Gjykatës për t’u marrë me raste të tilla, sepse kërkesa për drejtësi e dinjitet të viktimave është një prej parimeve themelore të çdo demokracie”, është shprehur ajo.

Lidhur me qëndrimin e LDK-së lidhur me Gjykatën Speciale, Osmani ka thënë se partia tradicionalisht ka kundërshtuar që Kuvendi të shndërrohet në një institucion që merr rolin e gjykatës.

Ajo ka theksuar se qëndrimi i tyre ka qenë që procesi gjyqësor të trajtohet përmes procedurave në Gjykatën e Apelit, ndërsa krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t'u ofrohet mbështetja e nevojshme financiare dhe profesionale në këtë proces.
 

Lexo përditësimet tjera
Vjosa Osmani

LIVE: Opozita e Vjosa Osmanit