Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, nuk përmendi emra kur tha se “shumë lojtarë kanë luajtur pak javët apo muajt e fundit” në klubet e tyre. Por ai la të kuptohet se mungesa e minutazhës së vogël e lojtarëve në klubet e tyre po i kushton Kosovës.
Në fakt, Foda kishte të drejtë.
Kosova ka disa lojtarë që luajnë në klube të “top-pesë” kampionateve më të forta në Evropë.
Arijanet Muriq, Mërgim Vojvoda, Edon Zhegrova e Albion Rrahmani janë pjesë e klubeve të Serie A.
Fisnik Asllani, Leon Avdullahu, Albian Hajdari në Bundesligë. Vedat Muriqi, Milot Rashica luajnë në Superligë, po ashtu një ligë e vlerësuar e ku luajnë edhe shumë yje të futbollit botëror. Të tjerët janë pjesë e klubeve ku kampionatet e tyre janë më poshtë të ranguara në UEFA.
Por me përjashtime, pak lojtarë po luajnë rregullisht për klubet e tyre.
Për shembull, Vedat Muriqi, në katër ndeshjet e fundit te Fenerbahçe, ka luajtur një ndeshje 33 minuta, dy tjera nga shtatë minuta dhe një tjetër nëntë minuta.
Muriqi është sulmuesi kryesor i Kosovës. Ai është bindshëm golashënuesi më i mirë i “Dardanëve” me 33 gola.
Muriqi nuk kompletoi asnjërën prej dy ndeshjeve të këtij muaji kundër Izraelit dhe Irlandës.
Në barazimin në Prishtinë të shtunën e kaluar kundër Izraelit luajti 68 minuta, kurse të martën në Dublin kundër Irlandës u paraqit 59 minuta.
As zgjedhja e parë në portë te Kosova, Aro Muriq, nuk ka pasur stabilitet te Sassuolo në Serie A.
Muriq nga katër ndeshjet e fundit ka luajtur vetëm një ndeshje. Ai pësoi tri gola ndaj Romës në humbjen 3:0, ndërsa në tri ndeshje ishte në stol. Muriqi ishte në stol te Kosova edhe për ndeshjen kundër Izraelit, ndërsa ndaj Irlandës në ndeshjen e fundit pësoi po ashtu tri gola në disfatën 3:0. Në ndeshjen ndaj Izraelit në portë ishte Amir Shaipi, që nuk ka luajtur asnjë ndeshje në La Liga 2 të Spanjës për Castellonin.
Edon Zhegrova po ashtu nuk po gjen ritmin te Juventusi.
Në njërën prej katër ndeshjeve të fundit në Serie A, ishte në stol. Luajti 45 minuta ndaj Genoas, 31 minuta kundër Napolit dhe 33 minuta kundër Fiorentinas.
Por si, Zhegrova, Muriqi, e po ashtu edhe Vojvoda janë kritikuar në Itali për paraqitjet e tyre.
Rashica po ashtu s’ka hapësirë te Beshiktashi. Për më tepër, Beshiktashi planifikon shitjen e Rashicës në janar.
Rashica ndaj Izraelit luajti 68 minuta, kurse kundër Irlandës mbeti në stol. Ndaj irlandezëve një minutë luajti Albion Rrahmani, ndërsa kundër Izraelit ishte në stol.
Në stol disa herë ka mbetur edhe te Venezia në Serie A.
Prej lojtarëve, sa i përket paraqitjes në një prej “top-pesë” ligave më të mira në Evropë, më stabili është Leon Avdullahu. Ai thuajse i ka kompletuar të gjitha prej ndeshjeve të deritashme në Bundesligë. Edhe bashkëlojtari i tij te Hoffenheimi, Fisnik Asllani, ka gjetur ritmin pas kthimit nga lëndimi. Ka shënuar gola e po ashtu ka kontribuar me asistime.
“Rëndësi ka që lojtarët tanë tash të luajnë në klubet e tyre dhe në mars t’i kemi të gjithë në formën më të mirë”, ka theksuar përzgjedhësi Foda.
Për shumë lojtarë nuk pritet të ndryshojë shumë situata në klubet e tyre. Shpejt do të vijnë edhe ndeshjet e marsit të vitit të ardhshëm. Por Foda uron që shpejt të ndryshojë edhe situata e lojtarëve në klubet e tyre.
Kosova e mbylli edicionin e pestë të Ligës së Kombeve me një fitore, tri barazime dhe dy humbje në Grupin B3.
Kosova i mëson më 6 dhjetor kundërshtarët për ciklin e ri kualifikues të Kampionatit Evropian 2028. Kosova është në vazon e tretë në short. Kualifikimet nisin në mars.
“E pamë që Liga B është nivel tjetër me Ligën C”, ka thënë Foda.
Lojtarët janë kthyer menjëherë pas ndeshjes kundër Irlandës në klubet e tyre dhe kanë nisur përgatitjet për ndeshjet në fundjavë.