Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rreth 150 organizata kërkojnë rritje buxheti për mbrojtjen e grave

rrkg

Mbështetje më e madhe institucionale, sidomos financiare, për mbrojtjen e grave që përjetojnë dhunë në familje, është kërkuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës me 108 organizata anëtare, si dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve me 35 organizata anëtare. Gjatë ditës është publikuar një raport dhe është protestuar me qëllimin për të siguruar këtë mbështetje

Femicidi dhe vrasja e grave mbeten shqetësim serioz, ndërsa për mbrojtjen e grave që përjetojnë dhunë nevojitet mbështetje më e madhe institucionale e financiare, është thënë të enjten, në lansimin e raportit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK), “Me çfarë çmimi?”.

Drejtoresha ekzekutive e këtij Rrjeti, Nicole Farnsëorth, theksoi se parandalimi i dhunës kërkon ndryshime jo vetëm në politika, por edhe në mënyrën se si planifikohen dhe ndahen buxhetet.

“Femicidi, vrasja e grave, vazhdon të mbetet një fenomen jashtëzakonisht serioz. Çdo grua është e ndjeshme dhe duhet të mbrohet duke e bazuar në situatën dhe nevojat e saj specifike. Por faktorët që e mundësojnë dhunën nuk janë unikë. Bëhet fjalë për dështimet sistematike të shoqërisë dhe institucioneve tona”, ka thënë ajo.

Edhe shefja e Zyrës së Agjencisë Austriake Koordinuese në Kosovë, Rita Glavitza, tha se zotimet ligjore pa mbështetje financiare nuk mjaftojnë.

Sipas saj, raporti ofron të dhëna për koston reale të shërbimeve që duhet t’u garantohen të mbijetuarave të dhunës, në përputhje me obligimet ligjore dhe Konventën e Stambollit.

“Ky raport vjen në një moment shumë kritik. Ai na rikujton se vetëm ligjet, strategjitë dhe zotimet nuk janë të mjaftueshme. Matësi i vërtetë i përkushtimit tonë është nëse të mbijetuarat e dhunës mund të kenë realisht qasje në mbrojtjen, mbështetjen dhe mundësitë për të cilat kanë nevojë, pikërisht atëherë kur u nevojiten më së shumti. E kjo, në fund të fundit, kërkon burime financiare”, ka thënë Glavitza.

E Blerim Shabani, drejtori i Departamentit për Politika Sociale dhe Familjare që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, është shprehur se financimi për shërbimet sociale ka shënuar rritje ndër vite.

“I konsultova pak numrat ndër vite si ministri e tashme e familjes, nga viti 2020 e deri më tash, ka pasur një rritje progresive. Ata që proceset mund t’i shohin me një sy edhe më kritik dhe që janë kërkues ndaj nesh, me të drejtë mund të kërkojnë që vlerat financiare aktualisht janë të vogla. Po në 2020-n të dedikuara për financim të shërbimeve sociale kanë qenë 900 mijë euro, e në vitin 2023 është rritur kjo vlerë në 1.5 milionë euro, e në 2024-n e me radhë është bërë 2.5 milionë euro”, ka thënë ai.

Po të enjten, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, me 35 organizata anëtare, si dhe Rrjeti i Grave të Kosovës me 108 organizata anëtare, ka mbajtur protestë, si shprehje e pakënaqësisë ndaj ndarjeve aktuale buxhetore për shërbimet sociale, për të cilat kanë thënë se nuk reflektojnë nevojat reale të këtij sektori.

Pjesëmarrësit kanë mbajtur pankarta “Shërbimet sociale nuk mbahen me premtime”, “Mos na harroni, se edhe zëri ynë ka rëndësi” dhe “Nevojat e fëmijëve nuk kanë vit fiskal”.

Donjeta Kelmendi nga KOMF-i ka thënë se ndarjet aktuale buxhetore nuk përkojnë me nevojat reale të sektorit.

“Ndarjet aktuale buxhetore nuk përkojnë me nevojat reale të sektorit të shërbimeve sociale dhe është shumë prapa me buxhet për t’i akomoduar nevojat që kanë fëmijët, gratë, qytetarët në nevojë për shërbime sociale dhe familjet. Çdo fëmijë ka të drejtën dhe duhet t’i sigurohet mbrojtje. Çdo grua duhet të ketë sigurinë dhe duhet të ketë qasje në shërbime sociale cilësore”, ka thënë ajo.

Sipas Kelmendit, vetëm rreth 2 për qind e buxhetit të mbrojtjes sociale në Kosovë ndahet për shërbime sociale dhe familjare.

Në protestë u dëgjua edhe zëri i familjarëve që përballen çdo ditë me sfidat e rritjes dhe përkujdesjes ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Një gjyshe e një fëmije me aftësi të kufizuara u shpreh se mbështetja aktuale financiare nuk i mbulon as përafërsisht nevojat e këtyre fëmijëve.

“Për përkrahjen e fëmijëve, sa më shumë fëmijë të ketë familja, aq më shumë nevoja ka. Fëmijët me aftësi të kufizuara marrin rreth 130 euro, por ato nuk dalin për asgjë, duke pasur parasysh nevojat që kanë këta fëmijë. Prandaj, ne bëjmë kërkesë që të rriten shtesat, përkatësisht pensionet për fëmijët me aftësi të kufizuara”, ka bërë thirrje ajo.

Aktualisht, fëmijët me aftësi të kufizuara, të moshës 1 deri në 18 vjeç, përfitojnë 150 euro në muaj, pasi nga nëntori i vitit 2025, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, shtesat janë rritur për 30 euro.

E përfaqësuesja e Sindikatës së sindromës Down, Sebahate Hajdini, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që t’i mbështesin tri kërkesat konkrete për përmirësimin dhe financimin e shërbimeve sociale.

“Kërkesa e parë është punësimi i 200 zyrtarëve të shërbimeve sociale, përfshirë psikologët klinikë, në Qendrat për Punë Sociale, me një kosto shtesë prej rreth 1.68 milion euro në vit. Kërkesa e dytë është punësimi i dy zyrtarëve shtesë të shërbimeve sociale në secilën komunë dhe katër në Prishtinë, për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën në familje. Kostoja vjetore e kësaj kërkese është rreth 707 mijë e 78 euro. Ndërkaq, kërkesa e tretë është rritja e buxhetit për organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare”, ka thënë ajo.

Rekomandimet janë elaboruar edhe në një letër që e kanë shpërndarë organizatat.

Nëpërmjet të parit është kërkuar të alokohet buxhet i mjaftueshëm për Qendrat për Punë Sociale, në kategorinë e Pagave dhe Mëditjeve si pjesë e Grantit të Përgjithshëm të Qeverisë, për punësimin e 200 zyrtarëve të shërbimeve sociale (me fokus psikologët klinikë) në kuadër të Qendrave për Punë Sociale, me qëllim të plotësimit të kërkesave minimale ligjore për funksionalizimin e Organeve të Kujdestarisë, si dhe sigurimin e infrastrukturës dhe mjeteve logjistike, me qëllim të mundësimit të ofrimit të shërbimeve cilësore e në kohë për qytetarët.

“Kostoja shtesë e punësimit e 200 zyrtarëve të shërbimeve sociale në çdo komunë do të ishte rreth 1.68 milion euro në vit”, thuhet në rekomandim.

Nëpërmjet të dytit është kërkuar të alokohet buxhet i mjaftueshëm për Qendrat për Punë Sociale, në kategorinë e Pagave dhe Mëditjeve si pjesë e Grantit të Përgjithshëm të Qeverisë, për punësimin e më shumë zyrtarëve të shërbimeve sociale, të cilët do të kenë përgjegjësi specifike për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore.

“Kostoja shtesë e punësimit të dy zyrtarëve në çdo komunë, për rastet e dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën në familje, do të ishte rreth 707,078 euro në vit për Qeverinë e Kosovës. Kjo shumë merr parasysh që Prishtina, si komuna më e madhe, do të kishte nevojë për katër zyrtarë të shërbimeve sociale. Rekomandojmë që kjo kërkesë të përfshihet nga të gjitha komunat në buxhetet e tyre, për zbatimin e kuadrit ligjor dhe të Protokollit të ri Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale”, thuhet në rekomandimin e dytë.

E i treti kërkon të rritet buxheti i dedikuar për thirrjen publike për organizatat e licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë së tyre.

“Linja aktuale buxhetore prej 2.500.000 eurosh ka mbetur e pandryshuar dhe mbulon të gjitha shërbimet sociale dhe familjare, duke përfshirë strehimoret, shërbimet në familje dhe shërbimet ditore. Sipas raportit ‘Me çfarë kostoje?’ publikuar nga RrGK-ja, vetëm për mbulimin e shpenzimeve bazike të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje nevojiten 2.339.631 euro. Ndërkaq, bazuar në të dhënat e organizatave anëtare të KOMF-it, shërbimet në familje dhe ato ditore aktualisht financohen mesatarisht vetëm në masën 25% të kostove të tyre. Prandaj, bazuar në nevojat e evidentuara dhe analizat financiare, propozojmë rritjen e buxhetit aktual për thirrjen publike për organizatat e licencuara, nga 2.500.000 euro në së paku 5.000.000 euro në vit”, thuhet në reagimin e tretë.

Shqetësimi për sigurinë e grave është kthyer në vëmendje, sidomos pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor. Asaj institucionet nuk ia ofruan mbrojtjen e mjaftueshme, ndonëse i kishte alarmuar se mund të vritej në familje.

Sipas të dhënave të Policisë, ky është rasti i tetë i vrasjes së një gruaje nga familjarët gjatë vitit 2026. E që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë 67 gra brenda familjes.