Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mungesa e barnave nxit sërish përplasje në Kuvend

Arben Vitia

Foto: Driton Paçarada

Për mungesën e vazhdueshme të barnave në QKUK dhe për përgjegjësinë për furnizimin me to, deputetja Blerta Deliu-Kodra e kritikoi ministrin Arben Vitia. Ajo e akuzoi ministrin edhe për mungesën e medikamentit Avastin dhe deklaratat e tij për pacienten që vdiq, dhe e cila pati thënë se katër muaj i mungoi ky ilaç

Mungesa e medikamentit Avastin në Klinikën e Onkologjisë dhe deklaratat e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në interpelancën e javës së kaluar për rastin e pacientes që vdiq, dhe e cila për katër muaj pati thënë se ka mbetur pa terapi, u bënë shkak për përplasje mes deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, dhe ministrit Vitia në seancën plenare të së enjtes.

Deliu-Kodra e kritikoi ministrin për dy çështje: pritjen e gjatë të mjekëve për takime me të dhe pritjen e pacientëve për të marrë shërbime shëndetësore.

Ajo kundërshtoi edhe deklaratën e Vitisë në interpelancë, kur ai ka thënë se pacientja për të cilën KOHA pati raportuar, kishte mbetur dy muaj pa terapi, ndonëse vetë pacientja sa ishte gjallë ka deklaruar se për katër muaj nuk kishte arritur ta siguronte atë.

“Dhe ministri që duhet t’i trajtojë këto dy probleme – përgënjeshtron pacientët duke u thirrur në dy muaj ditë që kanë munguar barnat, përderisa edhe sot shumë pacientë paguajnë nga xhepi i tyre mijëra euro”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra.

Vitia iu përgjigj asaj duke thënë se në interpelancën e kaluar ka paraqitur vetëm faktet.

“Përndryshe, nuk kam përgënjeshtruar askënd, asnjë pacient, në seancën e kaluar. Unë kam paraqitur vetëm faktet që i kam pasur në dispozicion”, ka thënë ai.

E Deliu-Kodra e përmendi edhe suspendimin e katër farmacistëve shkaku i mungesës së medikamenteve që janë pjesë e listës së barnave esenciale, duke thëne se përgjegjësia është në një hallkë më të lartë.

Ajo ia përmendi edhe një bar që vazhdon të mungojë në QKUK tash e dy muaj.

“Fakti që i keni suspenduar katër farmacistë, unë mendoj që kjo është hallka e fundit e përgjegjësisë. Madje dje, pardje dhe sot pacientët kanë mungesë të Avastinit, që duhet ta paguajnë 600 deri në 800 euro në tregun e zi, dhe përballja e pacientëve me mungesa po vazhdon”, ka thënë ajo.

Edhe kësaj iu kundërpërgjigj Vitia.

“Për Avastinin është nënshkruar kontrata. Ka edhe 10 ose 11 ditë operatori afat për me sjellë dhe është një kontratë afatgjatë që do ta stabilizojë furnizimin me Avastin”, ka thënë ai.

KOHA vazhdimisht tash e dy muaj ka raportuar për mungesën e këtij medikamenti.

Klinikat e QKUK-së gjatë vitit janë përballur vazhdimisht me mungesa të barnave.