Komuna e Prishtinës ka angazhuar edhe 22 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta në shkolla dhe çerdhe. Me këtë angazhim, numri i përgjithshëm i asistentëve është arritur në 86. Megjithatë, as ky numër nuk mjafton për të mbuluar nevojat e gjithë fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje
Janë angazhuar 22 asistentë të rinj nga Komuna e Prishtinës për 42 fëmijë me nevoja të veçanta, por as ky numër nuk ka arritur t’i mbulojë të gjitha nevojat për mbështetje në shkollat dhe çerdhet e kryeqytetit.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, ka thënë se për 193 fëmijë është rekomanduar mbështetja, dhe se me numrin aktual të asistentëve mbulohen nevojat e vetëm 172 fëmijëve.
Sipas tij, mbështetja duhet të shtohet.
“Aktualisht i kemi 193 fëmijë, për të cilët rekomandohet asistenti dhe për këta 193, na realisht i kemi diku për 172 fëmijë, i mbulojmë përmes këtyre 86 asistentëve. Nuk është e mjaftueshme. Këto familje, këta fëmijë kanë nevojë për një mbështetje më të madhe nga Komuna e Prishtinës, për një mbështetje më të madhe nga Ministria e Arsimit, nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie sociale e në këtë rast edhe nga Drejtoria. Prandaj të gjithë akterët institucionalë e ato të partnerëve tanë, të donatorëve dhe organizatave joqeveritare kanë nevojë që të rrisin fokusin dhe të kenë në prioritet këtë kategori”, ka thënë Elshani.
Njëra nga shkollat që nuk ka përfituar asnjë asistent nga angazhimet e reja është “Pavarësia”, ndonëse i ka kërkuar pesë.
Halil Brahaj, drejtor në këtë shkollë, e ka konfirmuar këtë.
“Ne kemi bërë kërkesën, i kemi dërguar raportet e nevojshme për nxënësit që kanë shumë nevojë për mbështetje profesionale. Edhe dje, jo më larg e kemi dërguar përsëri këtë domosdoshmëri të shkollës. Ndoshta se ne i kemi tre asistente aktualisht dhe ndoshta në ndonjë shkollë nuk ka asnjë asistent dhe kanë menduar që duhet të bëjnë ndonjë balance. Në shkollë, me diagnozë janë 20 nxënës, por ndoshta numri mund të jetë më i madh. Gjashtë prej tyre marrin shërbime nga shkolla”, ka thënë ai.
E drejtori Elshani ka thënë se shpërndarja e asistentëve është bërë në bazë të rekomandimeve të ekipit komunal për vlerësim pedagogjik.
“Është shumë e rëndësishme që asistenti të shkojë te fëmija i cili është rekomanduar që të ketë asistent, jo tek ata fëmijë të cilët vërtet kanë nevojë për një mbështetje, por nuk është rekomanduar nga logopedi apo gjithë ekipi në këtë rast. Për neve ka qenë e rëndësishme të bazohemi në këtë dokumentacion. Prandaj këtë databazë, ne si Drejtori Komunale e Arsimit e kemi edhe do ta trajtojmë secilën kërkesë veç e veç, por jo kërkesa individuale, qoftë të familjeve apo të drejtorëve të shkollave”, ka thënë ai.
Komuna e Prishtinës ka 43 shkolla fillore, 14 shkolla të mesme dhe 15 çerdhe.