Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LVV-ja e PDK-ja pajtohen për Projektligj të ri për Specialen

Kuvend

Foto: Driton Paçarada

Deputetët nuk do ta rrëzojnë veton e presidentes, me të cilën ka kthyer në Kuvend ligjin e miratuar në dy lexime, për t’ia kufizuar mandatin Gjykatës Speciale. Kryeministri Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, janë marrë vesh që projektligji i ri të hartohet nga një grup punues me ekspertë dhe të dorëzohet në Kuvend javën e ardhshme. PDK-ja ka marrë zotimin e Qeverisë se ligji do të zbatohet pas miratimit, ndërsa veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar protesta nëse procesi vazhdon të zvarritet

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike (PDK) janë pajtuar të enjten ta bëjnë një projektligj të ri me të cilin synohet t’i kufizohet mandati Gjykatës Speciale.

Ligji është miratuar në dy lexime, por me kërkesë të PDK-së, presidentja Justina Shiroka Pula e pati kthyer në Kuvend. E, PDK-ja ishte bërë sërish pishman, dhe kërkoi që të rrëzohej vetoja e presidentes, në mënyrë që ndryshimet të bëheshin pasi ligji të hynte në fuqi.

Por, pas mospajtimeve me procedurën, dy partitë janë marrë vesh për nismë të re ligjore e për rrjedhojë nuk është mbajtur vazhdimi i seancës së Kuvendit, që në rend dite kishte rrëzimin e vetos.

Sipas kryeministrit Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, drafti i ri pritet të dorëzohet në Kuvend gjatë javës së ardhshme.

“Nga pakënaqësia lidhur me aktgjykimin erdhi edhe shkrimi i shpejtë i atij ligji, për të cilin patëm shprehur rezervat tona. Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë, duhet të kemi edhe sukses. Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht dhe bëhet praktik në realitet. Ne presim që javën e ardhshme, grupi punues ta sjellë draftin e parë. Aty janë të angazhuar të gjithë dhe ne e presim strategjinë javën e ardhshme. Presim gjithashtu që ky ekip me ekspertë ta sjellë javën e ardhshme draftin e ri të ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë kryeministri Kurti.

E Çitaku tha se i pranon kritikat për mënyrën se si është vepruar në këtë proces dhe u kërkoi ndjesë atyre që u shqetësuan se nisma mund të mbetej në gjysmë.

Sipas saj, iniciativa e re ligjore do të bëjë që ligji të jetë me i qëndrueshëm juridikisht dhe më i zbatueshëm në praktikë.

“Ne, sigurisht që kemi vlerësuar që edhe ligji i kaluar ka qenë i rëndësishëm dhe i dobishëm. Mirëpo, siç e kam thënë tashmë disa herë, në momentet e fundit kemi pranuar disa sugjerime konkrete nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët me dashamirësi, me qëllim të mirë, kanë synuar ta mbështesin këtë projekt në mënyrë që ta bëjnë më të qëndrueshëm juridikisht”, ka arsyetuar Çitaku ndryshimet që disa herë i ka bërë PDK-ja përkitazi me nismën ligjore që vetë e ka sponsorizuar, pas dënimit në shkallë të parë të ish-udhëheqësve të UÇK-së.

PDK-ja u pajtua për nismë të re pas takimit që Çitaku pati me Kurtin. Ajo ka thënë se ka marrë zotimin e kryeministrit që ligji që do të miratohet, edhe do të zbatohet.

“Ka zotimin e Qeverisë për zbatim, nuk mbetet vetëm një copë letër e miratuar në Kuvendin e Kosovës. Me Kurtin jemi dakorduar edhe për një varg hapash të tjerë që do t’i ndërmarrim në kuadër të institucioneve”, ka thënë ajo.

Çitaku ka thënë se janë zhvilluar diskutime edhe me diplomatë e përfaqësues të BE-së që të kontribuojnë në Kuvend.

“Ne kemi pasur diskutime me diplomatë dhe përfaqësues të BE-së, të cilët edhe sot i ftoj të bëhen pjesë e diskutimeve. Jo vetëm ata, por të gjitha palët e interesuara, që të kontribuojnë në këtë proces. Me Gjykatën Speciale nuk negociojmë për këtë çështje. Ajo është organ i themeluar nga Kuvendi, institucion që ka devijuar në plotni nga mandati që deputetët i kanë dhënë në Kuvend dhe që ka rezultuar me dy aktgjykime të turpshme, të kurdisura dhe të pabazuara në faktet e ofruara në sallën e gjykimit”, ka thënë ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së.

Çitaku gjithashtu tha se pos ligjit e strategjisë shtetërore për procedurat që do të zhvillohen në shkallë të dytë, do të ketë edhe nisma të tjera.

“Ky është vetëm hapi i parë. Do të ketë edhe nisma të tjera edhe në Kuvend, do të ketë edhe nisma të tjera edhe në institucione të tjera të Republikës së Kosovës. Do të rezervohem të flas për specifikat, sepse siç e thashë, tashmë ky nuk është vetëm ligj i Partisë Demokratike të Kosovës dhe mua kjo më gëzon. Edhe po besoj që do të duhej ta gëzonte secilin qytetar të Republikës së Kosovës që është shqetësuar shumë sinqerisht për këtë proces”, ka thënë Çitaku.

E, kryeministri Kurti, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka thënë se nuk e ka ndryshuar qëndrimin për Dhomat e Specializuara që nga viti 2015.

“Mendimi është i njëjtë, se kjo gjykatë është e pazakontë, aq sa edhe termi ‘sui generis’ për të është i ngushtë”, ka thënë ai. “Duhet ta përmendim se ku janë rrënjët e kësaj gjykate. Në pranverën e vitit 2008, dy delegatë në Këshillin e Evropës e lansuan rrëfimin horror për të ashtuquajturën ‘Shtëpia e Verdhë’ dhe trafikimin e organeve. Nuk pati kundërvënien e duhur nga ana jonë. U bënë hulumtime dhe nuk u gjet asgjë”.

Sipas tij, ajo që mbeti dhe duhet të trajtohet në Apel është e ashtuquajtura ndërmarrje kriminale. Kurti ka shprehur bindjen që korrigjimi i vendimit të 16 shtatorit duhet dhe do të ndodhë në Apel, gjë që, sipas tij, pritet të ndodhë gjatë vitit 2027.

Në seancën e së enjtes, në Kuvend, parashihej shqyrtimi i këtij riprojektligji, por kjo pikë u shty pas marrëveshjes LVV-PDK për iniciativën e re ligjore.

E, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpërmjet një reagimi ka bërë të ditur se po i përcjell me shqetësim zhvillimet rreth plotësim-ndryshimit në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Në të është thënë se është e papranueshme zvarritja dhe është paralajmëruar protestë gjithëpopullore.

“Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi. Po ashtu, OVL e UÇK-së rithekson se është e papranueshme dhe e pandershme që një çështje kaq e ndjeshme të shfrytëzohet për të krijuar ndasi politike apo për të thelluar përçarjet mes subjekteve politike. Pavarësisht deklarimeve publike për vullnet politik, nëse ky proces vazhdon të zvarritet dhe nuk përfundon së shpejti, OVL e UÇK-së paralajmëron se do t’i kundërvihet kësaj qasjeje përmes organizimit të protestave gjithëpopullore”, thuhet në reagim. “Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon që plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale”.

Iniciativa e parë për ndryshimin e Ligjit të Speciales u ndërmor pas pakënaqësive ndaj vendimit dënues për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

Ndonëse Ligji kaloi në Kuvend dhe i parapriu marrëveshjes për formimin e institucioneve, me kërkesë të sponsorizuesit të saj, PDK-së, u kthye në Kuvend nga Presidenca.

Kurti: Do të ndajmë buxhet aq sa kërkuan ekipet mbrojtëse

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në Buxhetin e 2027-s është paraparë edhe rritja e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar në shkallë të parë për krime lufte.

Ai ka thënë se buxheti do të ndahet në përputhje me kërkesat e paraqitura nga vetë ekipet mbrojtëse.

“Për angazhimin dhe mbështetjen e mëtejshme në këtë proces, presim edhe strategjinë e Grupit Punues, të kryesuar nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca”, ka thënë Kurti gjatë mbledhjes së Kuvendit, ku është shqyrtuar në lexim të parë Buxheti për vitin e ardhshëm.