Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka dilemë që Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë një koalicion joformal dhe se kjo po shihet vazhdimisht nëpër seanca.
Osmani në “Konfront” të KTV-së ka thënë se këto dy parti po bashkëpunojnë në secilën temë, jo vetëm në çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Sot në Parlament u bë e ditur nga ky koalicioni joformal, PDK-VV, se këto dy parti janë duke punuar në një version të draftit të ri të Ligjit për Specialen. Kushdo që i përcjell seancat e Parlamentit, vendimet që merren, e sidomos pas 6 tetorit e tutje, e sheh një gjë të tillë që në fakt është në secilën temë, jo vetëm te kjo tema e Speciales. Por, është çështje e tyre nëse duan të bashkëpunojnë në formate të tilla, është e drejtë e tyre. Mjafton një shikim pak më i detajuar i diskutimeve, debateve, si e arsyetojnë njëri-tjetrin, e ndihmojnë njëri-tjetrin. Në fakt nuk ka asnjë dilemë që ky është koalicion joformal PDK-VV”, tha Osmani.
Osmani ka thënë se nuk e kupton se cila është arsyeja e PDK-së për këtë bashkëpunim.
“Ndoshta shpreson që Qeveria ia voton ligjin e ri apo çfarëdo synimi që ka, nuk e di. Nuk e kuptoj, pasi nga tri herë ditë po i ndryshojnë qëndrimet rreth kësaj teme”, tha Osmani.