“Kanoni – Ese për letërsinë shqipe” nën autorësi të akademik Sabri Hamitit, është vepra e radhës që merr në shqyrtim e rishqyrtim një pjesë të konsiderueshme të filleve të letërsisë shqipe. Ky botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, bashkë me atë “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit - 150 vjetori i lindjes” që është produkt i konferencës shkencore të mbajtur vjet për figurën e Gjeçovit, prej së hënës kur është bërë promovimi i tyre, sjellin pikëpamje të reja sa i përket letërsisë dhe veprimtarisë së klerikut të njohur
Studimet për letërsinë shqipe janë pasuruar edhe me një vepër të re. “Kanoni – Ese për letërsinë shqipe” nën autorësi të akademik Sabri Hamitit, është vepra e radhës që merr në shqyrtim e rishqyrtim një pjesë të konsiderueshme të filleve të letërsisë shqipe. Ky botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, bashkë me atë “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit - 150 vjetori i lindjes” që është produkt i konferencës shkencore të mbajtur vjet për figurën e Gjeçovit, prej së hënës kur është bërë promovimi i tyre, sjellin pikëpamje të reja sa i përket letërsisë dhe veprimtarisë së klerikut të njohur. 
Në promovimin e mbajtur në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të pranishmit i kanë vlerësuar këto vepra si pasuri të domosdoshme në krijimtarinë shqiptare. 
Akademik Ali Aliu ka thënë se “Kanoni...” është një libër i jashtëzakonshëm për shumë arsye. “Sabriu ka një vizion për tërësinë e letërsisë shqipe dhe është një univers monumental gjithnjë në lëvizje. Gjithnjë i hapur nga të gjitha perspektivat”, ka thënë Aliu. Ka sqaruar se librin me katër kapituj, akademik Hamiti, veteran i arsimit universitar bën një trajtim të gjerë e shumë specifik.
“Zef Skiroi ndër vepra të tjera ka bërë edhe librin, ‘Këthimi’, poemë. Ky është ndoshta ndër shkrimtarët që menjëherë pas themelimit të shtetit shqiptar është arbëreshi që e viziton. Më 1916 ai e bën këtë libër që u zbulua pas 50 viteve. Studiuesi Hamiti e vë në lëvizje, sikur i lëviz të gjitha raftet e bibliotekës, nga të gjitha perspektivat”, ka thënë Aliu. Më pas ka përmendur disa autorë të tjerë, veprimtarinë e të cilëve sipas tij, Hamiti e vë në lëvizje.
“Shumë autorë që do t’i shihni në këtë libër 350-faqësh janë gjithandej librave të autorit por i gjejmë gjithnjë në kontekste të reja. Sabriu e merr në shqyrtim ‘Këthimin’ e Skiorit dhe e merr në rishqyrtim ‘Tatë Tanushin’”, ka thënë ai midis të tjerash në ngjarjen e moderuar nga akademik Bardh Rugova.
Studiuesi i letërsisë dhe akademik, Nysret Krasniqi, ka thënë se libri studimor “Kanoni – Ese për letërsinë shqipe” i Sabri Hamitit dëshmon njohjen e tërësishme të korpusit letrar shqiptar, i cili lidhet në zinxhirin e leximit, interpretimit, sistematizimit e të kanonizimit të estetikës letrare shqipe. Sipas tij, libri studimor i Hamitit dëshmon forcën e argumentit scientik teorik-letrar, i cili niset që nga rrënja, kalon nëpër analizë konkrete e përimtuese të estetikës së veprës letrare, zbulon specifikat e saj veçuese artistike si dëshmi e rivlerësimit autorial në kuadër të korpusit të përgjithshëm letrar shqiptar dhe nëpërmjet forcës së konkluzës klasifikohet në kanonin letrar shqiptar si vlerë atemporale, apo si e prani e përhershme estetike;
“Libri studimor ‘Kanoni – Ese për letërsinë shqipe’ dëshmon autenticitetin dhe universalitetin e korpusit letrar shqiptar, të përthyer e të distiluar në konceptin sakral të studiuesit Sabri Hamiti se teksti letrar e ka për burimësi shpirtin e autorit që e krijon dhe si i tillë kurrë nuk duhet të kundrohet me ideologji, por duhet të çmohet e vlerësohet si poetikë”, ka thënë ai. Derisa ka folur për kapitullin e parë të librit, “Dorëshkrimi”, Krasniqi ka thënë se dorëshkrimi është gjeneza e krijimtarisë letrare, mirëpo edhe fataliteti historik i letërsisë shqipe. Sipas tij, te dorëshkrimet autori studiues rikrijon hartën estetike letrare pikërisht duke integruar dorëshkrimin e terruar në dritën e veprave të botuara të kanonit letrar shqiptar. Krasniqi në këtë rast ka thënë se në këtë teatër hyjnë Marin Barleti me veprën e historisë së fiksionalizuar “Lufta e Shkodrës”, Anton Santori me romanin në prozë “Sofia e Kominiatëve”, Lazër Tusha me autobiografinë “Jeta ime në Shqipëri” e disa autorë të tjerë. Sipas tij, kapitullin i dytë “Idioma” ka gjashtë ese-studime, në të cilat studiuesi Sabri Hamiti analizon e konceptualizon dy filozofema: idiomën autoriale, në kuptim të veçantisë shkrimore të autorit, dhe idiomën intencionale-tematike.
“Si e përbrendëson autori shqiptar raportin e ndërliqshëm me natyrën ku e çon jetën dhe ku mediton për universin dhe si e reflekton në botën e artit letrar, do të jetë preokupim estetik-filozofik i esesë ‘Poeta naturae’. Mimetika e kthyer në poetikë do të venerohet te Mjedja e Lasgushi simbolist-metafizik, padyshim në variacione subtile figurash e figurimesh, si dhe te Migjeni metonimik-melankolik, duke përthyer gjithnjë autenticitetin e figurës përballë universalitetit të natyrës ku jeton shpirti e trupi, e ku meditohet njëshi transcedental-Zoti”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, në këtë rast trajtohet bota letrare e Pjetër Bogdanit, Naim Frashërit, Ndre Mjedjes dhe Lasgush Poradecit. Ka sqaruar se te kapitulli i tretë “Persona et ars” vjen blloku tematik i monografive autoriale të poetikës historike, të cilat, qoftë në lidhjen e tyre evolutive, qoftë në ndërndikimet refuzuese apo pajtuese në galerinë letrare shqipe, e formësojnë kanonin letrar shqiptar.
“Nis me trajtimin monografik të letërsinë humaniste të Marin Barletit, me veprat ‘Rrethimi i Shkodrës’ dhe ‘Historia e Skënderbeut’, të cilat e kanë ndikuar tërësisht perceptimin e jashtëm për shqiptarët, si dhe letërsinë e konceptimeve identitare shqipe”, ka thënë ai derisa ka elaboruar këtë kapitull. Midis të tjerash ka treguar se Hamiti një tekst monografik ia kushton veprës së Esad Mekulit “Për Ty” duke e vlerësuar dëlirësinë e tij utopike që e çoi në mallëngjim e zhgënjim. Krasniqi ka sqaruar se kapitulli i kattërt “Post Scriptum” përbëhet nga tekste të lidhura auto-referenciale, të cilat në formë testamentare dritësojnë poetikën krijuese dhe sistematikën studimore të Sabri Hamitit.
“Vepra studimore ‘Kanoni – Ese për letërsinë shqipe’ e akademik Sabri Hamitit e pasunon botën e dijeve humane shqiptare, ngase si e tillë e jep pamjen e dalë nga rivlerësimi i thellë i traditës letrare shqiptare, rivlerësim i cili e ridimensionon organonin letrar e kulturor shqiptar”, ka thënë ai.
Vetë akademik Hamiti ka qenë i shkurtër në fjalën e tij.
“Nuk kam ndërmend të flas për librin pasi e kam shkruar një parafjalë që e kurorëzonte dorëshkrimin tim. Po të flisja sot do të bëja një pasfjalë. Nuk dua ta bëj këtë. Ky është libri im i nëntë me siglën e Akademisë”, ka thënë ai. Ka kërkuar nga studentët që studiojnë për letërsi që ta duan shumë atë që bëjnë pasi përndryshe s’mund të ecet para.
Edhe sa i përket përmbledhjes “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit - 150 vjetori i lindjes” që është botuar pas Konferencës Shkencore Ndërkombëtare, që u mbajt më 14 tetor 2024, ka folur akademik Nysret Krasniqi. E ka përshkruar Gjeçovin si shkrimtar, etnograf e meshtar, prijatar e kulmues në dijet themelore albanologjike. Ka elaboruar se në këtë vëllim janë botuar tekstet e 23 studiuesve, në të cilat, nga perspektiva policentrike është trajtuar trashëgimia kulturore e Gjeçovit.
Më pas ai ka elaboruar shkurt secilin tekst të përfshirë në këtë vepër përfshirë ata të Sabri Hamitit, Mehmet Krajës, Gëzim Hoxhës, Vitor Demajt e të tjerët.
“Në këtë dimension do të veçonim edhe tekstet e Gëzim Gurgës dhe të Agron Camajt, në të cilat shpjegohen proceset e përkthimit të Kanunit të Gjeçovit, te i pari në gjuhën italiane, madje si histori përkthimi, e tek i dyti, si komunikim me botën e traditën receptive malaziase”, ka thënë Krasniqi.