Botë

Izraeli rihap pikëkalimin kufitar Rafah, mijëra palestinezë shpresojnë të largohen për trajtim mjekësor

Gaza

Foto: Associated Press

Pikëkalimi kufitar i vetëm i Gazës me botën e jashtme është rihapur të hënën, pasi kishte qëndruar i mbyllur për rreth dy vjet. Ndonëse kalimi i njerëzve do të jetë i kufizuar, mijëra palestinezë shpresojnë që të largohen nga Gaza për trajtim mjekësor në vendet e tjera, pas luftës që ka shkatërruar territorin. 

Izraeli ka rihapur të hënën kufirin mes Gazës dhe Egjiptit për një numër të kufizuar personash që lëvizin në këmbë.

Vendimi mundëson që një numër i vogël palestinezësh të largohen nga enklava dhe disa prej atyre që kishin ikur nga lufta të kthehen për herë të parë.

Rreth 20,000 fëmijë dhe të rritur palestinezë që kanë nevojë për kujdes mjekësor shpresojnë të largohen nga Gaza e shkatërruar nëpërmjet pikës së kalimit, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gaza.

“Për dy vjet kemi pritur që të hapet kalimi dhe tani kalimi është hapur dhe Ministria e Shëndetësisë na telefonoi, duke na thënë se do të udhëtojmë për në Egjipt për të përfunduar trajtimin. Problemi i tij është me sytë. Tani nuk sheh fare me sy”, ka thënë Rajaa Abu Mustafa, banore e Gazës djali i së cilës ka nevojë për trajtim mjekësor.

E zëdhënësi i gjysmëhënës së kuqe palestineze, Raed al-Nims, ka thënë se aktualisht është e paqartë se kur do të nisë kalimi, ndonëse ekipet e tyre janë përgatitur për të transportuar pacientë jashtë Gazës.

“Ekipet tona janë plotësisht të përgatitura dhe gati, qoftë nga spitalet fushore apo ekipet e ambulancave të pajisura për të transportuar pacientë në kalimin Rafah, por, deri në këtë moment, meqenëse çështja është në fillim, gjërat nuk janë të qarta. Ne jemi duke pritur çdo listë ose ndonjë detaj teknik dhe do t'i transferojmë menjëherë pacientët sipas protokollit të evakuimit shëndetësor”, ka thënë Raed al-Nism, zëdhënës i gjysmëhënës së kuqe palestineze. 

Mijëra palestinezë të tjerë jashtë territorit shpresojnë të hyjnë dhe të kthehen në shtëpi.

Para luftës, Rafahu ishte pika kryesore e kalimit për njerëzit që hynin dhe dilnin nga Gaza. 

Pjesë të tjera të pakta të kalimeve të territorit ndahen të gjitha me Izraelin.

Rafahu ka qenë kryesisht i mbyllur gjatë pjesës më të madhe të luftës, dhe rihapja e tij edhe për një numër të vogël banorësh të Gazës, përbën një nga hapat e fundit madhorë të kërkuar në fazën fillestare të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, i arritur në tetor.

Rafah konsiderohet një pikë kyç hyrjeje për ndihmat në Gazë, ku kushtet humanitare mbeten të rënda pas dy vjetësh lufte, pavarësisht një armëpushimi në fuqi që nga 10 tetori.

Një burim palestinez ka thënë se ditën e parë pritej që 50 palestinezë të hynin në Gazë, ku do t’iu nënshtroheshin kontrolleve të rrepta të sigurisë nga Izraeli, ndërsa një numër i ngjashëm do të lejohej të largohej.

Izraeli e kishte marrë kontrollin e pikës kufitare në maj 2024, rreth nëntë muaj pas fillimit të luftës në Gazë.