Policia norvegjeze ka njoftuar të hënën se ka ndaluar djalin e madh të princeshës së kurorës së Norvegjisë për akuza të reja penale ndaj tij.
Arrestimi i tij u bë pak para një procesi të veçantë gjyqësor që pritet të nisë të martën, e në të cilin ai do të përballet me disa akuza për përdhunim dhe krime të tjera.
Sipas një deklarate të policisë, Marius Borg Hoiby, 29 vjeç, djali i princeshës së kurorës Mette-Marit, u arrestua të dielën me dyshimin se ka shkaktuar lëndime trupore, ka përdorur thikë dhe ka shkelur një urdhër ndalimi afrimi.
Ai deri më tash ishte i lirë në pritje të gjyqit, ku do të përballet me katër akuza për përdhunim, si dhe për dhunë në familje, sulm fizik dhe posedim droge, duke shënuar një prej disa çështjeve që kanë tronditur monarkinë norvegjeze.
Hoiby nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat e përdhunimit dhe dhunës në familje, por i ka pranuar disa vepra më të lehta. Gjykimi ndaj tij pritet të zgjasë deri më 19 mars.