Rihapja sërish e pjesshme, është episodi i tretë i Kalasë së Prizrenit në katër muajt e fundit. “Ju njoftojmë se, nga data 7 shtator 2026, Kalaja e Prizrenit është e hapur për vizitorë nga ora 12:00. Ju informojmë gjithashtu se punimet në Kala do të vazhdojnë, për këtë arsye disa pjesë të hapësirës do të jenë të mbyllura për vizitorët”, ka njoftuar Ministria e Kulturës të martën. Këto ditë institucioni më i lartë kulturor në vend ka bërë disa ndërhyrje emergjente në Kala por pa zgjidhje të problemeve që janë pasojë e mosmirëmbajtjes
Në një hark kohor prej katër muajsh, Kalaja e Prizrenit është mbyllur pjesërisht për vizitorë, më pas është mbyllur krejtësisht dhe tash është rihapur pjesërisht. Se kur do të hapet plotësisht, nuk dihet. Por një gjë dihet me siguri të plotë: monumenti ku janë investuar mbi një milion euro dhe një prej aseteve më të vizituara në vend ka degraduar me të madhe shkaku i mungesës së mirëmbajtjes viteve të fundit.
Ministria e Kulturës të martën ka lëshuar njoftimin e radhës në raport me Kalanë e Prizrenit.
“Ju njoftojmë se, nga data 7 shtator 2026, Kalaja e Prizrenit është e hapur për vizitorë nga ora 12:00. Ju informojmë gjithashtu se punimet në Kala do të vazhdojnë, për këtë arsye disa pjesë të hapësirës do të jenë të mbyllura për vizitorët. Ju lutemi të respektoni shenjat orientuese dhe kufizimet e vendosura gjatë vizitës”, shkruhet në njoftim.
Këto ditë institucioni më i lartë kulturor në vend ka bërë disa ndërhyrje emergjente në Kala. Problemet janë tejet më të thella, por se kur do të ketë ndërhyrje përmbajtjesore, s’di ta thotë Ministria e Kulturës. E, Instituti Arkeologjik s’thotë gjë pasi komunikimi është centralizuar nga MKT-ja. Tash, arkeologët – shumica doktorë shkencash – presin që politika t’i vizitojë vendpunishtet, t’i komentojë e t’i prezantojë për publik gjetjet, restaurimet apo çfarëdo tjetër. Ata duhet të marrin leje për deklarime dhe ato t’iu miratohen nga eprorët. Në këtë kundërtën, shqiptohen masa disiplinore.
Ndërhyrja emergjente në Kala ka nisur në fundgushtin e sivjetmë kur edhe u njoftua se Kalaja është mbyllur tërësisht për vizitorë. Tenderi për ndërhyrje është dhënë në fund të korrikut.
“Masat emergjente në Kalanë e Prizrenit dhe Kalanë e Novobërdës” mban titullin thirrja, për të cilën kishte aplikuar vetëm një kompani dhe është zgjedhur që t’i kryejë punimet me 110 mijë e 820 euro. Prej tyre, shumica e mjeteve, mbi 80 mijë euro, investohen në Kalanë e Prizrenit, e intervenimi në Novobërdë është krejt i thjeshtë – çështje tabelash.
Në Kalanë e Prizrenit synohej pastrimi i terrenit, rrethojat mbrojtëse, kamerat e jashtme e të brendshme, centrali i monitorimit, zërimi, lëndët këmbësore për vizitorë, riprodhimi dhe montimi i dyshemeve të shtigjeve të drunjta, rregullimi i tabelave informuese, riprodhimi dhe montimi i karrigeve në amfiteatër dhe zhvendosja e tualeteve nga hapësira brenda mureve rrethuese në atë të jashtme. Sipas MKT-së ndërhyrja vazhdon edhe në ditët e ardhshme.
Por telashet e Kalasë janë tejet më përmbajtjesore. Këtë e ka konstatuar edhe vetë Komisioni, mbi raportin e të cilit Ministria ka vendosur që të mbyllë disa pjesë për vizitorë. Komisioni ka rekomanduar ndërhyrje urgjente.
“Sigurimi i segmenteve murale të dobësuara përmes mbështetjeve të përkohshme; pastrimi i fugave të zbrazëta dhe plotësimi i tyre me llaç origjinal; kufizimi i menjëhershëm i qasjes së vizitorëve në zonat që paraqesin rrezik; planifikimi urgjent i një programi të plotë konservimi dhe restaurimi; vendosja e rrethojave metalike si masa të përkohshme për mbrojtjen e vizitorëve; vendosja e kamerave të sigurisë, ndriçimi dhe shenjëzimi i rrezikut”, shkruhet në raportin e hartuar nga punonjësit e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Sipas raportit të hartuar nga Veron Tara, Caner Tatar, Elvis Shala, Sara Sylejmani, Jusuf Xhibo dhe Besar Grazhda, jepen të dhëna se në muret e larta rrethuese është vërejtur që llaçi lidhës me bazë gëlqereje ka humbur në masë të madhe qëndrueshmërinë e tij, për shkak të ndikimeve atmosferike dhe depërtimit të ujit në brendësi të murit nga pika të ndryshme. Si pasojë, janë shtuar zbrazëtirat në faqet e murit, janë krijuar humbje materiali në mbushjet e brendshme dhe në disa zona janë evidentuar rënie gurësh. Është konstatuar se hapësirat e krijuara kanë shkaktuar shembje të pjesshme në disa segmente dhe se procesi i degradimit është në zhvillim.
Në pyetjet e KOHËS se përse në Kala s’ka ndërhyrje më përmbajtjesore, Ministria e Kulturës ka sqaruar se Kalaja e Prizrenit tashmë ka hyrë në fazën e hartimit të detyrës projektuese për përgatitjen e projektit të restaurimit dhe konservimit. Sipas MKT-së, ky projekt do të trajtojë në mënyrë gjithëpërfshirëse tërë hapësirën e Kalasë dhe nuk do të kufizohet vetëm në pjesët që aktualisht paraqesin nevojë për intervenim emergjent.
“Duke qenë se hartimi, miratimi dhe zbatimi i një projekti të tillë kërkon kohë dhe duhet të zhvillohet në përputhje me standardet profesionale të konservimit të trashëgimisë kulturore, është vlerësuar e nevojshme që deri në implementimin e tij të ndërmerren masa të përkohshme për rritjen e sigurisë së vizitorëve dhe përmirësimin e kushteve të vizitës”, shkruhet në përgjigje. Sipas MKT-së, për këtë arsye, në procedurën aktuale të prokurimit janë paraparë ndërhyrje të karakterit mbrojtës dhe funksional, si vendosja e rrethojave mbrojtëse, sistemit të kamerave të sigurisë, ndriçimit, rregullimi i shtigjeve të ecjes, nyjave sanitare dhe elementeve të tjera të nevojshme për menaxhimin e sigurt të lokalitetit.
Sa u përket pjesëve ku vërehen dëmtime, sipas përgjigjeve, ato do të trajtohen në kuadër të projektit të restaurimit dhe konservimit, i cili do të ofrojë zgjidhje të plota dhe të qëndrueshme në përputhje me parimet e ruajtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore.
Në vitin 2014, në monument janë investuar 700 mijë dollarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përkatësisht nga Fondi i Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore. Bëhet fjalë për një monument që gjatë muajve të verës, sipas të dhënave institucionale, vizitohet deri në 5 mijë vizitorë në ditë. Deri sivjet, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, aty janë shpenzuar 1 milion e 117 mijë euro.