Kulturë

Dua Lipa merr shtetësinë e Kosovës

Dua Lipa dhe Vjosa Osmani

Këngëtarja me famë botërorë Dua Lipa ka marrë shtetësinë e Kosovës. 

Ajo të enjten është pritur në takim nga presidentja, Vjosa Osmani, e cila me dekret presidencial ia ka dhënë shtetësinë këngëtares.   

“Mirë se erdhe në shtëpi, Dua! Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t'ia jap shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook. 

Ajo ka thënë se Kosovë gjithmonë do të jetë krenare me artisten. 

“Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook. 

Lipa po qëndron në Kosovë ku do të marrë pjesë në “Sunny Hill Festival”. Ajo do të interpretojë  në natën e parë të festivalit, të premten.