Asnjë nga pasagjerët nuk arriti ta identifikonte, ekspertizat nuk e lidhën armën me gëzhojat e sulmit, ndërsa pretendimi për hakmarrje nuk u vërtetua. Këto janë disa nga arsyetimet të cilat Gjykata Themelore në Pejë, i dha në aktgjykimin e plotë për lirimin e tre të akuzuarve për vrasjen e shoferit të autobusit dhe dy nxënësve në Gllogjan më 2021. Sipas Gjykatës, provat e prokurorisë nuk dëshmuan fajësinë e Kreshnik, Kastriot dhe Halil Mehmetajt.
Sulmi ndaj autobusit në Gllogjan më 2021, ku u vranë shoferi dhe dy nxënës, ishte i pamohueshëm, por përfshirja e Kreshnik, Kastriot e Halil Mehmetajt, nuk u dëshmua, sipas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Themelore në Pejë.
Në arsyetimin për lirimin e tre të akuzuarve, Gjykata ka konstatuar se nuk u identifikua sulmuesi, nuk u vërtetua lidhja e armëve me gëzhojat e krimit dhe as pretendimi se vrasja ishte kryer për hakmarrje.
Sipas dokumentit 166 faqesh, shkalla e parë konstatoi se pasagjerët e autobusit nuk arritën ta identifikonin personin që kishte shtënë me armë.
“Nga dëshmitë e këtyre dëshmitarëve (pasagjerëve) rezulton se asnjeri nga ta nuk ka arritur që ta identifikojë sulmuesin, edhe pse në dëshmitë e tyre, secili prej këtyre dëshmitarëve përshkruan karakteristikat fizike që kujtojnë në lidhje me sulmuesin, mirëpo rezulton se këta dëshmitarë japin karakteristika të përgjithësuara, pa ndonjë specifikë që do të ndihmonte në identifikimin e saktë të sulmuesit, përkatësisht nuk japin ndonjë karakteristikë fizike apo tjetër, që do të mund të lidhej ekskluzivisht me të pandehurin Kastriot Mehmetaj, apo ndonjë person tjetër”, thuhet në aktgjykim.
Sipas Gjykatës, as pretendimi i Prokurorisë se i pandehuri Kreshnik Mehmetaj e kishte marrë vëllain e tij Kastriotin nga vendi i ngjarjes nuk u vërtetua.
“Pretendimin e prokurorisë se ka qenë i pandehuri Kreshnik Mehmetaj ai i cili e ka tërhequr apo e ka marrë nga vendi i krimit këtu të pandehurin Kastriot, gjykata gjen se asnjëri nga dëshmitarët okularë nuk thotë ta ketë parë se kryerësi i sulmit të jetë futur në ndonjë veturë apo të jetë tërhequr nga dikush pas kryerjes së sulmit, por se dëshmitarët okularë tregojnë se pas sulmit ndaj autobusit, sulmuesi është larguar në drejtim të kundërt me autobusin, përkatësisht nga mbrapa autobusit në drejtim të fshatit Sh.”
Në arsyetim po ashtu theksohet se as ekspertizat balistike nuk arritën ta lidhin municionin e sekuestruar në shtëpinë e familjes Mehmetaj me gëzhojat e gjetura në vendin e sulmit.
“Gjykata mbështetet në përfundimet e AKF-së dhe të Institutit të Forenzikës në Cyrih, të cilat janë në përputhje me njëra-tjetrën dhe me kufizimet objektive konkrete të fishekut të ekzaminuar, ku rrjedh se nga këto përfundime nuk vërtetohet se fisheku H#1.3 është goditur nga një armë tjetër, por as nuk vërtetohet se është goditur nga e njëjta armë me të cilën janë shkrepur gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes ku është sulmuar autobusi ‘Erblini’, si rrjedhojë ky fishek nuk mund të shërbejë si provë që e lidh municionin e sekuestruar ne shtëpinë e të pandehurve me armën e përdorur në sulm”, thuhet në aktgjykim.
Prokuroria kishte pretenduar se sulmi ishte kryer për hakmarrje, pas vetëvrasjes së vajzës së familjes Mehmetaj, e cila kishte lidhje dashurie me shoferin e autobusit G.Gj. por Gjykata vlerësoi se nuk u vërtetua asnjëra prej këtyre pretendimeve.
Sipas Gjykatës, as vendosja e orës në arkivolin e vajzës nga Halil Mehmetaj, nuk u konsiderua dëshmi se ai ishte betuar për hakmarrje.
Gjykata Themelore në Pejë në gusht të këtij viti ka shpallur aktgjykim lirues ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, lidhur me akuzën për vrasjen e trefishtë të 26 nëntorit 2021, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.