Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka akuzuar kolegët e saj në parti Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti, për sabotim ndaj partisë.
Ajo ka thënë se ata nuk mund ta fshehin sabotimin që ia kanë bërë LDK-së.
Duke komentuar akuzën që para disa ditësh ia bëri Bajrami duke e quajtur “turiste politike”, Osmani ka thënë se kurrë nuk ka qenë “turiste politike” dhe se asnjëherë nuk i ka ndryshuar qëndrimet e saj.
Ajo gjithashtu ka folur për akuzën e Hotit i cili ka deklaruar se “Osmani po e mohon biografinë e saj”.
“Asgjë nuk mohoj unë, gjatë tërë historisë sime politike nuk ka asnjë vendim që nuk i qëndroj prapa”, ka theksuar Osmani.
“Nuk iu kam faj që nuk po kanë mundësi ta fshehin më sabotazhën ndaj LDK-së që e kanë bërë ... mendoj që është problem shumë i madh në politikën e Kosovës, nëse ne sot dalim dhe kritikojmë këtë Qeveri për diçka përderisa për të njëjtën gjë e arsyetojmë një qeveri paraprake, kjo nuk tregon as konsistencë as kredibilitet. Nuk mund të jetë zajednica e Albin Kurtit e keqe, e zajedinica e Hashim Thaçit e e Isa Mustafës e mirë. Jo nëse është e keqe kjo e Kurtit, ka qenë edhe ajo e vitit 2011 e Thaçit e e Isa Mustafës e vitit 2015 me mbi 20 shkelje kushtetuese të konstatuara nga vetë Gjykata”, ka theksuar Osmani në emisionin “Konfront” në KTV.
Ajo ka shtuar se s’ka asnjë shpjegim të dalësh para qytetarëve të Kosovës, e të thuash kjo Qeveri ka bërë keq me zajednicën e ato mirë.