Kulturë

Bienalja e Vizatimit shkrin kultura në gjuhë të përbashkët artistike

Ngjarja, e cila po merr përherë më shu

Ngjarja, e cila po merr përherë më shumë formë në secilin organizim, sivjet ka dëshmuar jehonën e saj përtej kufijve. Rrëfimit të sivjetmë të ngjarjes i janë bashkuar gjithsej 34 artistë. Aty janë fryma e stile të ndryshme. Por arti pamor si medium i bashkon. Si tradicionalisht në natën hapëse të ngjarjes janë shpallur edhe tre fitues për veprat e tyre

Skena ndërkombëtare e artit, përkatësisht vizatimit si medium, shkrihet me artin shqiptar në edicionin e tretë të Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit në Prishtinë. Ngjarja, e cila po merr përherë më shumë formë në secilin organizim, sivjet ka dëshmuar jehonën e saj përtej kufijve. Rrëfimit të sivjetmë të ngjarjes i janë bashkuar gjithsej 34 artistë. Aty janë fryma e stile të ndryshme. Por arti pamor si medium i bashkon. Si tradicionalisht në natën hapëse të ngjarjes janë shpallur edhe tre fitues për veprat e tyre.

Çmimin e madh që mban titullin “Gjelosh Gjokaj” e ka fituar artistja Aleksandra Gieraga. Aq sa abstrakte duket edhe poetike vepra e artistes shumëdimensionale polake. Në sfondin e bardhë ndërtohet i gjithë rrëfimi me shenja të zeza. Duket se qendra e këtij rrëfimi është objekti prej ku burojnë vijat e zeza si shkarravina që ngjan se transmetojnë ndikimin e të qenit afër dhe larg. Si një shpjegim artistik që e shpreh rëndësinë e pozicionit. Por enigmatik mbetet shiriti i kaltër në pjesën më të sipërme të veprës.

Edhe polaku Andrzej Brzegowy dhe kroati Igor Modriq janë shpërblyer për veprat e tyre. Vepra e të parit është e qartë që transmeton estetikën në njërën anë e precizitetin dhe disiplinën e artistit në anën tjetër. Është si një hartë vizash. Vepra e Modriqit në anën tjetër shfaq dy trupa njerëzish të ndryshëm. Teknika është vizatim i pastër në veprat e të dy artistëve. Në disa prej veprave ka pasur kombimin teknikash, të cilat sipas jurisë, nuk kanë mundur të merren parasysh në vlerësimin e tyre.

Juria ka qenë në përbërje prej artistit kroat Marion Richter, profesori i dizajnit grafik Agim Salihu dhe profesori i skulpturës Artan Peqini.

Ky i fundit ka thënë se shumë prej veprave që kanë qenë të punuara goxha mirë, nuk janë marrë parasysh në vlerësim, pasi kanë shkuar përtej teknikës së vizatimit.

“Mendoj se është një ekspozitë shumë interesante, shumë delikate, sepse mbështetet në vetëm një medium, që është vizatimi. Ne si juri jemi përpjekur t’i përmbahemi këtij mediumi. Këtu ka punë shumë të mirë, por që nga pikëpamja e shprehjes, mediumit, dalin përtej teknikës së vizatimit dhe kjo është arsyeja që nuk kanë qenë fituese. Në këtë rast, kemi respektuar teknikën e vizatimit, jemi përpjekur që në bazë të vlerësimit tonë, të gjykojmë tri teknikat më të spikatura të vizatimit dhe ato që kanë qenë edhe tri veprat e zgjedhura”, ka thënë Salihu, ish-prodekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Secila vepër e ekspozuar në kuadër të Bienales së Vizatimit në Galerinë e Fakultetit të Arteve ka qenë rrëfim unik. Vepra e Ismet Jonuzit sjell një lloj shkatërrimi që duket se vjen si pasojë e luftës. Janë dy vepra të tilla që ngjasojnë me njëra-tjetrën, veçse njëra e sjell rrëfimin më të qartë, tjetra e mjegullon atë.

Dy vepra ka të ekspozuara edhe artisti Nehat Beqiri ku kryesisht dominon e zeza në sipërfaqen e lehtë dhe thuhet lehtë nga disa nuanca më të ndezura. Hedhjet e ngjyrave aty krijojnë dy vepra abstrakte që duket se në atë katrahurë ngjyrash arrijnë të depërtojnë disa figuracione të fytyrës së njeriut.

Disa ngjajnë në konstruksione arkitekturore e në ato që tentojnë të dalin nga sipërfaqja e punimit me anë të përdorimit të tekstilit. Krejt kjo e bën të qartë se disa prej veprave në fakt nuk e kanë vendin në një bienale të tillë që i kushtohet krejtësisht vizatimit si medium.

Dy vepra të Adem Rusinovcit në kornizë kanë edhe disa objekte të instaluara.

Në veprën e Valbona Rexhepit e sotmja dhe e djeshmja mbesin nën hije të së sotmes. Unike janë edhe tri figura të artistit Abaz Hado si karikatura që vijnë të përcjella me mbishkrime.

Veprat duket se komunikojnë, por edhe përplasen me ato të artistëve ndërkombëtarë. Janë 19 artistë të huaj dhe 15 vendorë. Në Bienale kanë ekspozuar edhe Ahmet Hosiq nga ShBA-ja, Ake Bergqfist nga Suedia, Anna Zadros Hansen nga Danimarka, Arjeta Mala, Edin Numankadiq dhe Mehmed Klepo nga Bosnja, Elise Jaren dhe Oyvind Sorfjordmo nga Norvegjia, Gazmend Leka, Haxhi Kastrati, Gjeko Hogjiq, Janina Weibengruber nga Austria, Janusz Plota dhe Stanistaw Zbigniew Kamienski nga Polonia, Jovanka Weit dhe Remus Wilson nga Suedia, Marlene Coates nga Gjermania, Masha Silchenko nga Ukraina, Bardh-I rafet Jonuzi-T, Sadko Hagjihasanoviq nga Kanadaja, Teuta Jonuzi, Valbona Rexhepi, Zake Prelvukaj, Zymer Mulliqi dhe Albulen Neziri.

Artisti Neziri ka ekspozuar në Bienale veprën “Vibrimi”, punim abstrakt i punuar këtë vit.

“Një teknikë e kombinuar akrilik në pëlhurë, por edhe grafikë si dhe disa lloje të ndryshme të markerave. Është temë abstrakte. Vibracioni është një prej temave që e trajtoj kohëve të fundit, por me dimensione më të mëdha. Kjo është një prej veprave me dimensioneve më të vogla”, ka thënë artisti Neziri.

Ekspozita ka pasur dy kuratorë. Nysret Gjurkaj është marrë me veprat e artistëve ndërkombëtarë, ndërsa Zeni Ballazhi me ato të artistëve vendorë.

Ballazhi ka thënë se puna me dy kuratorë në një koncept ka qenë e vështirë.

“Ka qenë mjaft e vështirë edhe çështja e komunikimit kur njëri është jashtë dhe tjetri brenda Kosovës. Kuptohet se kemi pasur pëlqime dhe jo pëlqime midis njëri-tjetrit, mirëpo prapë kemi gjetur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë, përderisa e kemi ngritur një këmbë këtë ekspozitë. Në këtë ndërhyrje kemi pasur edhe artistët, sepse nuk kemi pasur një koncept të caktuar për këtë ekspozitë. Tematika ka qenë e lirë, aktualiteti kuptohet dhe krijimtaria e tyre e fundit sa i përket mediumit të vizatimit. Jemi bazuar gjithmonë te pjesa teknologjike ose teknike e vizatimit në aspektin bashkëkohor”, ka thënë kuratori Ballazhi.

Ka thënë se hapësira e Galerisë së Fakultetit të Arteve në Prishtinë i ka kufizuar ata në përfshirjen e një numri më të madh artistësh.

“Kuptohet edhe në hapësirën e galerisë, e cila na kufizon me një numër më të madh të artistëve. Në Kosovë kemi mjaft artistë të mirë, sa i përket edhe fushës së vizatimit. Kuptohet se nuk kemi mundur t’i përfshijmë një numër të madh në këtë ekspozitë, megjithatë kemi bërë përpjekje që një numër të tyre t’i bëjmë pjesë e kësaj gjuhe të përbashkët, gjuhë vizuale, bashkëkohore, e cila mjaft mirë korrespondon me këtë hapësirë të galerisë”, ka thënë ai më tej.

Edicionin e kaluar, Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit kishte zënë vend në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Kamuran Goranci, kryetar i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës që e organizon Bienalen Ndërkombëtare të Vizatimit, ka thënë se sivjet, GKK-ja e ka refuzuar ngjarjen, por ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës e ka bërë Asociacionin me shtëpi, duke i siguruar një hapësirë në Pallatin e Rinisë.

Goranci ka thënë se sivjet është vërejtur një lloj jehone e ngjarjes nëpërmjet pjesëmarrjes më të madhe në numër të artistëve ndërkombëtarë.

“Sivjet është rritur jehona e kësaj bienaleje. E ka marrë një nivel shumë më të gjerë ndërkombëtarisht. Sivjet kemi 23 artistë ndërkombëtarë dhe 11 janë të Kosovës. Ky numër tregon se bienalja është duke e marrë ndërkombëtarizimin e saj. Vizatimi është një ndërtim i ndjeshëm, nuk është pikturë. Aty studiohet viza, shumë krijues e njerëz nuk e kuptojnë, por juritë profesionale e potencojnë dhe e vlerësojnë”, ka thënë ai.

Ka theksuar se kjo ka bërë që të ketë prurje të reja në Bienale.

“Veprat sivjet kanë qenë art më modern, prurje më të reja. Ka pasur më shumë artistë ndërkombëtarë, por edhe artistët tanë kanë sjellë vepra të mirëfillta. Tregon një lloj evoluimi të vizatimit modern”, ka thënë Goranci.

Një vepër e tij është ekspozuar po ashtu, por qe jashtë garës së Bienales.