Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar dështime në mungesë të menaxhimit me mbeturina në kryeqytet. Në raportin e saj për periudhën 2023 – 2025 theksohet mungesa e mbikëqyrjes institucionale, kamionë jashtë funksionit dhe shpenzime të larta për operatorë privatë
Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të jetë efektive në grumbullimin e mbeturinave gjatë viteve të fundit, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit.
Në raportin për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet për periudhën 2023-2025 është theksuar se sistemi aktual nuk funksionon në mënyrë efikase.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAuditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në një konferencë për media të hënën, ka deklaruar se një nga gjetjet më shqetësuese të raportit është dështimi i pothuajse të gjitha hallkave të mbikëqyrjes institucionale.
“Ky proces kishte dështuar të realizohej pothuajse në të gjitha nivelet nga të gjitha palët. Disa nga shkaqet që i kanë kontribuar kësaj gjendjeje janë, Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi”, që është përgjegjës për vendimet strategjike dhe mbikëqyrjen e Kryeshefit Ekzekutiv, nuk ka ushtruar mbikëqyrje efektive mbi veprimtarinë e KRM-së, sepse në takimet e Bordit nuk ishte trajtuar pothuajse asnjëherë problematika aktuale e mbeturinave në qytet. Në vend të kësaj Bordi ishte marrë me çështje tjera si çështje financiare dhe administrative”, ka thënë Spanca.
Në raport konstatohet se Komuna ka angazhuar operatorë privat që i kushtuan më shtrenjtë se sa KRM “Pastrimi”.
“Operatori privat ishte më i kushtueshëm me rreth 10 euro/ton krahasuar me Kompaninë Publike, duke rritur kostot e Komunës për grumbullim të mbeturinave për 149 mijë euro, për periudhën prill-dhjetor 2024. Çmimi ka rezultuar 61.88 euro/ton për KRM “Pastrimi” ndërsa 71.15 euro/ton për OE privat. Pavarësisht kontraktimit të OE-ve privat, Komuna nuk kishte arritur të bëjë përmirësime të dukshme sa i përket grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet”, ka thënë Spanca.
ZKA-ja ka konstatuar edhe rënie të numrit të kamionëve në mbledhjen e mbeturinave dhe dështimin e planeve investive për zëvendësimin e tyre.
E drejtori i ri i Shërbimeve Publike në kryeqytet që vjen nga Partia Demokratike, Leutrim Retkoceri, nuk ka folur për raportin duke thënë se ai i takon kompanisë “Pastrimi”.
E për situatën me mbeturina ka akuzuar pushtetin qendror, për siç ka thënë, bllokadë.
“Situatën kur kemi hyrë në Komunë e kemi gjetë në njërën anë një vendim të Ministrisë që e ka bllokuar një deponi e ka pamundësuar që të punojë, në anën tjetër kemi pas një kryeqytet të tërin të mbushur me mbeturina vëllimore. Këtu duhet të gjendet zgjedhja, e jo të shërbehen situata për përplase dhe vendime të mendohen për efektet që i kanë”, ka thënë ai.
Retkoceri ka njoftuar se tashmë është bërë zgjidhje për deponinë dhe presin që edhe Kompania “Pastrimi”, por edhe operatorët privatë ta kryejnë punën e tyre, që të mos ketë më probleme me mbeturina në kryeqytet.
Banorët e kryeqytetit, sidomos gjatë këtij dhe vitit të kaluar, janë përballur për muaj të tërë me grumbuj mbeturinash vëllimore në lagje të ndryshme. Me probleme të njëjta janë përballur edhe qytetarë në komunat tjera ku operon KRM “Pastrimi”.