Komuna e Prishtinës ka angazhuar kompani private dhe, me mbështetjen e UNDP-së, ka shtuar flotën e kamionëve për pastrimin e kryeqytetit për t’i dalë në ndihmë kompanisë “Pastrimi”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë lansimit të kësaj flote të enjten ka thënë se bëhet fjalë për masa alternative të ndërmarra nga komuna për të përmirësuar gjendjen me pastrimin e qytetit.
“Siç po e shihni, kemi ndërmarrë masa alternative, masa shtesë që përmes sektorit privat dhe me ndihmën e UNDP-së po vazhdojmë me pastruar kryeqytetin”, ka thënë Rama.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka siguruar tashmë 14 kamionë nga sektori privat, ndërsa pritet të angazhohen edhe dhjetë të tjerë nga kompania “Pastrimi”.
“Do të kemi edhe dhjetë të tjerë që do të jenë të ‘Pastrimit’, pra 24 kamionë, dhe kjo do të ndikojë dukshëm në pastrimin e kryeqytetit”, u shpreh Rama. Por nuk tregoi se sa do të zgjasë ky angazhim dhe sa i ka kushtuar Komunës.
Ai shtoi se komuna do të vazhdojë të gjejë alternativa për të përmirësuar shërbimet dhe paralajmëroi se gjendja me pastrimin e kryeqytetit pritet të përmirësohet në ditët në vijim.
Ai kritikoi sërish Qeverinë për, siç tha, bllokimin e mjeteve të destinuara për blerjen e kamionëve dhe kontejnerëve për menaxhimin e bërllokut.
Edhe
Rama akuzon VV-në për sabotim pas dështimit të themelimit të kompanisë komunale “Pastrimi”
“72 milionë euro që kanë qenë të dedikuara për t’i blerë 100 kamionë e më shumë se 10 mijë kontejnerë për ta zgjidhur problemin jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë regjionin, ky proces është bllokuar prej nivelit qendror, prej Hekuran Muratit, sikurse shumë projekte të tjera që ngecin aty”, deklaroi Rama.
Prishtina tash e një kohë të gjatë po ka probleme me bërllok. Niveli lokal vazhdimisht e ka akuzuar Qeverinë përkatësisht ministrin e Financave, Hekuran Murati, se nuk po e nënshkruan garancinë për një kredi 74 milionë euro te Banka Gjermane për Zhvillim e cila sipas tyre do t’i adresonte problemet me bërllok.
Por, Murati pati thënë se Banka Gjermane për Zhvillim kërkon qëndrueshmëri të kompanisë “Pastrimi”, ndërmarrje kjo që sipas tij, është keqmenaxhuar nga qeverisja e kryetarit Përparim Rama.
-
Rama synon të themelojë kompani të re për mbeturinat në Prishtinë, LVV-ja nuk e përkrah
-
Rama: Nesër në Asamble do të votohet për themelimin e kompanisë komunale “Pastrimi”
-
Rama thotë se kanë nisur themelimin e ndërmarrjes së re të pastrimit për Prishtinën
-
Investimi 74 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave, afër zhbllokimit