Këngëtarët Usher dhe Chris Brown kanë anuluar dy koncerte tjera nga turneu i tyre i përbashkët “R&B Tour”, duke e çuar në gjashtë numrin e përgjithshëm të performancave të anuluara, ka shkruar Variety.
Koncertet që nuk do të mbahen ishin planifikuar më 16 nëntor në stadiumin SoFi në Los Angeles dhe më 6 dhjetor në Hard Rock Stadium në Miami. Pavarësisht anulimeve, në kalendarin e turneut mbeten edhe nëntë koncerte, deri në përfundimin e tij më 12 dhjetor në Tampa të Floridës.
Anulimet kanë ndodhur në një kohë kur po qarkullojnë zëra për një konflikt mes dy artistëve. Sipas raportimeve, ata janë përfshirë në një debat të ashpër prapa skenës në Atlanta.
Problemet u bënë më të dukshme gjatë koncertit të 5 nëntorit në stadiumin Mercedes-Benz në Atlanta. Shfaqja nisi me tri orë vonesë, pati probleme me cilësinë e zërit dhe dy këngëtarët nuk performuan së bashku, siç kishin bërë në koncertet e mëparshme.
Sipas TMZ, mosmarrëveshja lidhej me orarin e koncertit. Chris Brown kërkonte që shfaqja të shtyhej për shkak të trafikut të rënduar dhe vonesave që po përjetonin fansat. Megjithatë, vonesa prej tri orësh shkaktoi pakënaqësi te publiku dhe, sipas raportimit, përplasjet mes dy artistëve ende nuk janë zgjidhur.
Katër koncertet e tjera ishin anuluar më parë në Baltimore, Cincinnati, Karolinën e Jugut dhe Indianapolis. Organizatorët kishin shpjeguar se vendimi ishte marrë për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e artistëve, ekipit dhe stafit teknik.
“Një turne këtë kohëzgjatje dhe përmasë kërkon shumë angazhim. Këto ndryshime do të ndihmojnë që koncertet e mbetura të zhvillohen në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme”, thuhej në deklaratën e organizatorëve.
Deri më tani, përfaqësuesit e dy këngëtarëve dhe kompania organizatore “Live Nation” nuk kanë dhënë një koment zyrtar për anulimet apo për zërat mbi konfliktin.
Pavarësisht problemeve, raportohet se turneu ka qenë një sukses i madh financiar. Sipas të dhënave të Pollstar, deri më 3 tetor ai kishte gjeneruar mbi 280 milionë dollarë të ardhura nga shitja e biletave.