Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjobiten institucionet përgjegjëse për kaosin me mbeturina në Prishtinë

mbeturina

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shqiptuar gjoba ndaj institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, pas inspektimit të gjendjes në kryeqytet, ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli. Por Pacolli nuk ka treguar se për cilat institucionet bëhet fjalë.

Në një postim në rrjetet sociale, Pacolli ka thënë se gjatë inspektimit është konstatuar një gjendje e rëndë, e cila, sipas saj, po rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.

Pacolli ka kritikuar Komunën e Prishtinës dhe ndërmarrjen publike përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave, duke thënë se bartja e fajit nga njëra palë te tjetra nuk e zgjidh problemin.

“Hedhja e fajit ping-pong mes Komunës dhe ndërmarrjes publike është thjesht një tentativë për të fshehur paaftësinë”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe të ekipit të tij menaxhues, duke theksuar se menaxhimi i mbeturinave është një nga detyrat themelore të qeverisjes lokale.

“Nëse kryetari Përparim Rama dhe i gjithë zinxhiri i tij menaxhues dështojnë në këtë detyrë kaq elementare, atëherë qytetarët me të drejtë pyesin se cili është funksioni i këtij pushteti. Neglizhenca nuk mund të normalizohet. Kushdo që nuk i kryen detyrat dhe i lë qytetarët të përballen me këtë rrezik, duhet të mbajë përgjegjësi të plotë, pa pasur mundësi t'i shmanget asaj duke e pasuar fajin te tjetri”, ka deklaruar ministrja.

Ajo ka theksuar se ligji do të zbatohet dhe se përgjegjësia do t’u kërkohet të gjitha institucioneve që kanë detyrime në menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.