Tani, më shumë se dy vjet pas, fëmija i vetëm i çiftit rrëfen përpjekjet e tij për t’i bindur prindërit që ta shtynin vdekjen, ndërsa njëkohësisht mbështeste vendimin e tyre për t’i dhënë fund jetës. Ai tregon barrën emocionale që vendimi i prindërve vendosi mbi të dhe vetminë e thellë që përjetoi më pas
Një mëngjes herët në qershor të vitit 2024, Bas ndaloi veturën pranë autokamperit të prindërve të tij, të parkuar në një port turistik në veri të Holandës.
Babai dhe nëna e tij, Jan dhe Els, kishin kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre martesore pranë ujit. Tashmë në të shtatëdhjetat, ata nuk mund të kujdeseshin më për një shtëpi-varkë. Autokamperi i tyre, i vendosur pranë jahteve dhe varkave të vogla, ishte alternativa më e mirë.
Jan dhe Els hipën në veturën e të birit. Bas ndezi motorin. Kjo do të ishte hera e fundit që ai do t’i dërgonte prindërit diku me automjetin e tij. Për Janin dhe Elsin, ky udhëtim drejt bujtinës lokale për kujdes paliativ do të ishte i fundit.
Në orën 10:30 të asaj paraditeje, mjekët do t’u administronin një medikament vdekjeprurës dhe ata do të vdisnin së bashku, në atë që në Holandë njihet si eutanazia në çift. Kjo praktikë është e ligjshme dhe e rrallë, por çdo vit gjithnjë e më shumë holandezë zgjedhin t’i japin fund jetës në këtë mënyrë.
Tri ditë para takimit fatal në bujtinën e kujdesit paliativ, Jan dhe Els i dhanë një intervistë BBC-së në autokamperin e tyre. Jan jetonte me dhimbje të vazhdueshme, pasojë e viteve të tëra të kaluara duke transportuar mallra në rrugët ujore të brendshme të Holandës. Els ishte diagnostikuar me demencë. Historia e tyre u pasqyrua dhe komentua në mbarë botën.
Tani, më shumë se dy vjet pas, fëmija i vetëm i çiftit rrëfen përpjekjet e tij për t’i bindur prindërit që ta shtynin vdekjen, ndërsa njëkohësisht mbështeste vendimin e tyre për t’i dhënë fund jetës. Ai tregon barrën emocionale që vendimi i prindërve vendosi mbi të dhe vetminë e thellë që përjetoi më pas.
Udhëtimi
Bas kishte planifikuar një rrugë piktoreske drejt bujtinës, duke kaluar nëpër livadhet dhe kanalet e Frieslandit.
“E mbaj mend ende të gjithë udhëtimin”, thotë ai. Nëna e tij ishte ulur në sediljen e pasme, ndërsa babai pranë tij. Në fillim biseduan. Els dukej e vendosur për vendimin e saj për të kryer eutanazi.
“Nëna ime ishte e bindur, e sigurt për atë që do të bënte”, thotë Bas. “Por babai im ishte paksa i emocionuar”.
Jani e pyeti të birin nëse po bënin gjënë e duhur. Bas mbeti i befasuar, pasi kishte menduar se nëna e tij mund të kishte dyshime.
“Nëna ime e kishte shijuar gjithmonë shumë jetën”, thotë ai. “Më kujtohet që më kishte thënë: ‘Do të doja të jetoja deri në moshën 80-vjeçare, ndoshta edhe 90-vjeçare’”.
Por babai i tij kishte folur për eutanazinë për më shumë se një dekadë, për shkak të dhimbjeve që kishte përjetuar ndër vite.
Në veturë, Bas e siguroi të atin se po bënin gjënë e duhur. Pasi Jani u qetësua, ata vazhduan udhëtimin në heshtje, duke dëgjuar muzikë dhe duke soditur peizazhin.
Gjatë muajve para këtij udhëtimi, Bas ishte përpjekur t’i bindte prindërit që ta shtynin vdekjen.
“U përpoqa t’i bindja të qëndronin edhe pak, pse të mos prisnin deri në dimër apo vitin e ardhshëm?”
Bas ishte i ndarë mes dy ndjenjave. Edhe pse mendonte se vendimi i prindërve për të kërkuar eutanazi ishte i duhuri, ai nuk dëshironte t’i humbiste.
“Babai im kishte qenë në këtë gjendje për 10 deri në 15 vjet, kështu që ndoshta mund të vazhdonte edhe disa vite të tjera. Por mendoj se, po të prisnim edhe një vit, nëna ime do të kishte probleme…”
Nëse Els do ta shtynte kërkesën për eutanazi, ekzistonte rreziku që sëmundja e Alzheimerit të përparonte, gjë që mund të bënte që ajo të mos konsiderohej më e aftë për të marrë vendimin për t’i dhënë fund jetës së saj.

Në bujtinën e kujdesit paliativ
Bas gjeti një vend për të parkuar.
“Babai im i tha lamtumirë veturës sime. I pëlqente vetura ime dhe më tha: ‘Punë e mirë’ dhe ‘faleminderit’”.
“Pastaj hymë brenda”, tregon Bas. “Imagjinoni ta bëni këtë, të jeni në vendin e tyre, të ndërmerrni atë udhëtim dhe të bëni atë ecje. Është diçka krejtësisht joreale”, rrëfen ai.
Gjatë dy orëve të ardhshme, familjarët dhe miqtë e çiftit hynin dhe dilnin nga dhoma. Ata kujtonin të kaluarën dhe dëgjonin muzikë. Në një moment, Basit i shkoi ndër mend të ndërpriste gjithçka.
“Kisha një ndjenjë sikur doja të thojë: Le të ikim… Le të hipim në veturë dhe të ikim’”, thotë ai. “Por nuk doja të hapja ndonjë temë që mund t’i bënte të ndiheshin të pasigurt. E kisha mbështetur të gjithë procesin e eutanazisë”, shton ai.
“Ishte më mirë që të gjithë të qëndronin të qetë dhe të shfrytëzonim atë moment për t’u përshëndetur”.
Pak para orës 10:30, mjekët mbërritën për t’i injektuar Janit dhe Elsit medikamentin vdekjeprurës. Ata ishin shtrirë në shtretër spitalorë, pranë njëri-tjetrit. Dhe në ato çaste të fundit, para se të humbnin vetëdijen, Bas dëshmoi afërsinë e prindërve të tij.
“Ndoshta i kam parë vetëm tri ose katër herë gjatë gjithë jetës sime duke ecur dorë për dore”, thotë ai.
“Por tani ishin të shtrirë aty, dorë për dore. Dhe kjo më dha një ndjenjë shumë të mirë, ata po e bëjnë vërtet këtë së bashku”, tha ai.
Bas e përshkruan gjysmëorën e parë pasi prindërit e tij pushuan së marri frymë si “një fakt konkret” – ata nuk ishin më gjallë.
“Pastaj e kupton se cila është situata, është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet”.
Në bujtinë, Basin e pushtoi pikëllimi. Ai filloi të përjetonte një vetmi të thellë.
“Vajtimi është diçka shumë, shumë e vështirë për t’u përjetuar”, thotë ai. “Dhe unë nuk kam vëllezër apo motra, u ndjeva vërtet vetëm”.
Kur rritemi me dy prindër, pas vdekjes së njërit, mund t’i ndajmë kujtimet dhe dhimbjen me prindin tjetër, si pjesë e procesit të zisë. Por Jan dhe Els nuk ishin më asnjëri.
“Ishte sikur të më ishin prerë këmbët”, kujton Bas.
Dhimbja e tij ishte edhe fizike, për katër ose pesë javë ndjeu të përziera dhe dhimbje në trup.
“Nuk do t’ua rekomandoja vërtet këtë të tjerëve dhe ndoshta ky është një përfundim i vështirë për t’u arritur”, thotë ai. “Ndoshta për ta, për prindërit e mi, ishte alternativa më e mirë, por humbja e të dyve në të njëjtin moment pati një ndikim shumë, shumë të madh tek unë”.
A vdiqën Jan dhe Els para kohe?
Për njerëzit që planifikojnë të kërkojnë eutanazi në Holandë, veçanërisht për ata që vuajnë nga demenca, si Els, zgjedhja e momentit të duhur për t’i dhënë fund jetës mund të jetë e ndërlikuar.
Përveç dëshmimit se vuajnë në mënyrë të padurueshme, personat që kërkojnë eutanazi duhet të vlerësohen nga mjekët si ende të aftë për të marrë vetë vendimin se dëshirojnë të vdesin.
Kjo mund të shkaktojë shqetësim të madh te pacientët me demencë që mendojnë për eutanazinë, shpjegon doktoresha Rozemarijn van Bruchem, mjeke në Qendrën Mjekësore Erasmus në Roterdam.
“Ata mendojnë: … Unë e kam këtë mundësi tani, por tani është shumë herët. Por ndoshta muajin e ardhshëm do të jetë tepër vonë. Atëherë, si ta vendos se në cilin moment duhet ta nis këtë proces për të parë nëse i plotësoj kriteret dhe nëse mund të përfitoj eutanazi? Dhe nëse pres shumë gjatë, a do të thotë kjo se e kam humbur mundësinë?”, deklaron ajo.
Doktoresha van Bruchem thotë se pikërisht për shkak se eutanazia është e ligjshme në Holandë, pacientët e saj përjetojnë këtë ankth. Ata e dinë gjithashtu se miratimi i vdekjes së asistuar në rastet e demencës së avancuar është i rrallë.
Në vendet ku eutanazia është e ndaluar, si në Mbretërinë e Bashkuar, personat me demencë mund të përballen me shumë sfida, por rrallëherë u duhet të peshojnë alternativa të tilla që kanë të bëjnë me jetën dhe vdekjen, siç bëri Els.
Në vitin 2024, ajo i kishte thënë BBC-së se nuk mund të prisnin, sepse ekzistonte mundësia që sëmundja e Alzheimerit të përparonte. Ndërsa Jani ishte i vendosur të vdiste së bashku me Elsin. Ai i kishte thënë BBC-së se ndoshta po largohej nga kjo botë më herët seç duhej, por se e kishte jetuar jetën e tij dhe se jeta e tij kishte përfunduar.
A u tha gjithçka?
Jan dhe Els ishin plotësisht të vetëdijshëm për barrën që vendimet e tyre për fundin e jetës po i shkaktonin të birit. Bas kishte marrë pjesë në të gjitha takimet që prindërit e tij kishin zhvilluar veçmas me mjekët gjatë procesit të eutanazisë. Në familje kishte pasur diskutime të hapura.
Shpesh, kur humbim një person të dashur, na mbesin peng, veçanërisht gjërat që mund të mos i kemi thënë. Kjo nuk ndodhi me Basin.
Dy ditë para takimit të Janit dhe Elsit në bujtinën e kujdesit paliativ, të hënën, më 3 qershor, ai u shkroi një letër.
“Ishin rreth tetë faqe”, thotë Bas. “Shkova në autokamper vonë, të shtunën në mbrëmje. Ua lexova të gjithë letrën. Ishte për jetën tonë, për t’i falënderuar për gjithçka që kishin bërë”.
Jan dhe Els u prekën thellë. Ashtu siç rrallëherë shfaqnin dashuri ndaj njëri-tjetrit në publik, ata zakonisht nuk e shprehnin hapur as për të birin.
“E ndien se të duan, por këtë ta tregojnë përmes veprimeve, jo duke ta thënë apo duke të përqafuar”, thotë Bas. “Nëna ime filloi të më përqafonte më shumë pasi u sëmur nga demenca, por babai im kurrë – nuk kisha marrë asnjëherë një përqafim prej tij”.
Kjo ndryshoi atë të shtunë të fundit në autokamper. Jani e përqafoi Basin.
“E bëri këtë pasi ia lexova letrën. Ndoshta ishte një nga momentet më të bukura.
“Gjithçka u tha”.