Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në komunën e Malishevës gjatë këtij vitit janë paraqitur 210 raste të pickimit nga rriqrat

Dezinsketim

Ka nisur këtë të hëne spërkatja tokësore e zonave endemike në komunën e Malishevës si masë parandaluese nga ethet hemorragjike dhe virusit Krime Kongo. Ky hap nga komuna është ndërmarr pasi gjatë këtij viti janë shënuar 210 pickime nga rriqrat.

Paraqitja e mbi 200 rasteve të pickimeve nga rriqrat ka bërë që Komuna e Malishevës të ndërmarrë masa.

Në kuadër të masave parandaluese në luftimin e etheve hemorragjike Krime Kongo ka nisur dezinsektimin e zonave endemike duke filluar nga fshati Drenoc.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Anëtari i Shtabit për Menaxhimin e Etheve Hemorragjike në Malishevë, Halit Mazreku, ka konfirmuar se spërkatja do të vazhdojë edhe në fshatrat e tjera deri në mbulimin e të gjitha zonave që kanë nevojë.

“Për vitin 2026 deri më tani i kemi mbi 200 pickime të evidentuara por asnjëra nuk rezulton me infektim. Prej 2013 nuk kemi pasur viktima sa i përket kësaj endemie. Por gjatë kësaj kohe është bërë trajtimi qoftë nga ajri apo nga toka. Ndihmesë e madhe është edhe repelimi i kafshëve dhe spërkatja nga ajri e nga toka. 2013 i kemi pasur 11 viktima”, tha Mazreku.

Epidemiologia, Lebibe Hashani, thotë se dezinsektimi selektiv është një masë preventive që duhet të vazhdojë edhe për vite të tëra.

“Vendet ku janë prezentë rriqrat quhen vende endemike dhe fatmirësisht tani nuk kemi raste të infektuara, nuk kemi raste të vdekjes dhe raste me simptome të sëmundjes. Por rastet që kanë kontakt apo e kanë hequr rriqrën dërgohen në Prishtinë dhe pas analizave konstatohet a ka raste pozitive a negative. Prej 2013 të gjithë rastet janë negative në hantam virus dhe në virusin krime kongo”, tha Hashani.

Banorët e Malishevës e mirëpresin fillimin e spërkatjes, duke thënë se çdoherë ata mundohen që të kenë edhe vetë kujdes nga pickimi i rriqrave.

“I kam pa që ishin në lagjen tonë dhe ishin në çdo shtëpi e treguan se janë për rriqra. Jo në familjen time s’ka pas asnjë rast me rriqra. Mendoj që po ndihmon spërkatja. Unë e kam një kopsht jashtë shtëpisë dhe çdoherë që shkoj aty i mbathi çizmet e dorëzat e nuk më ka ndodh kurrë, por të tjerëve po ju ndodh”, tha Ramiz Krasniqi, banor i Drenocit.

“Po kemi pas raste para 3-4 viteve në familje kur jemi pickuar nga rriqrat por nuk kanë qenë infektuese. Besoj që po ndihmon spërkatja. Kemi kujdes zakonisht për fëmijët sepse kemi bari afër por kemi edhe pula e zogj e ato ndikojnë për pastrimin nga rriqrat”, tha banori tjetër, Qerim Krasniqi.

KOHA ka pyetur edhe IKSHPK-në si është situata me infektim të etheve hemorragjike nga pickimi i rriqrave, mirëpo deri më tani nuk ka kthyer përgjigje.

Malisheva në vazhdimësi ka qenë njëra nga komunat më të prekura nga ethet hemorragjike.