Një javë pas fillimit të procesit të dezinsektimit në disa prej zonave më të prekura të Malishevës, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka dalë në terren për të përcjellë nga afër zhvillimin e punimeve në fshatin Lladrovc. Banorët thonë se Malisheva vazhdon të mbetet një nga zonat më të rrezikuara nga rriqrat.
Një javë pasi ka nisur dezinsektimi në disa fshatra të Malishevës, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka dalë nga afër për të përcjellë procesin, i cili të dielën është zhvilluar në fshatin Lladrovc.
Pas paraqitjes së mbi 200 rasteve të pickimeve nga rriqrat, ky aktivitet kishte nisur në zonat endemike të Malishevës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMinistri Armend Muja është shprehur se masat e ndërmarra kanë dhënë rezultat, duke theksuar se tash e më shumë se 10 vite nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me ethe hemorragjike Krime-Kongo.
“Kjo masë vjen si mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, me qëllim që fermerëve tanë t’u krijohen kushte më të sigurta gjatë punimit të tokës, pasi ata janë më të ekspozuar ndaj pickimeve nga rriqrat. Besoj se ky është një kontribut i rëndësishëm për Malishevën, Rahovecin, Prizrenin dhe Klinën, zona të cilat, sipas Institutit, konsiderohen me rrezik më të lartë. U informova se që nga viti 2013 nuk ka pasur raste të infektimit me Krime-Kongo dhe kjo tregon se masat parandaluese, si dezinsektimi, po japin efekt”, tha Muja.
Anëtari i Shtabit për Menaxhimin e Etheve Hemorragjike në Malishevë, Halit Mazreku, ka deklaruar për KOHËN se që nga viti 2013 nuk ka pasur më viktima ndërsa në atë viti ishin shënuar 11 viktima.
Ndërkohë, epidemiologia Lebibe Hashani, nga kompania që po realizon dezinsektimin, tha se banorët janë njoftuar paraprakisht për procesin.
“Qytetarët janë të njoftuar nga menaxheri i shtabit të krizës dhe emergjencës në Komunën e Malishevës. Çdo qytetar në komunë është i informuar lidhur me situatën dhe datën kur do të bëhet dezinsektimi. Procesi do të vazhdojë derisa të përfshihen të gjitha komunat, ndërsa përzgjedhja e fshatrave do të bëhet bazuar në rastet e pickimeve. Do të përcjellim zonat ku ka më shumë raste dhe ato fshatra do të trajtohen”, tha Hashani.
Edhe banorët e fshatit thonë se Malisheva vazhdon të mbetet ndër zonat më të rrezikuara nga rriqrat.
“Malisheva ka qenë zona ku është paraqitur më së shumti ky problem dhe këtu ka qenë rreziku më i madh. Më ka ndodhur edhe mua derisa isha duke punuar në arë. U ula për pak të pushoj dhe kur u ngrita e pashë që më kishte hyrë një rriqër, por për fat nuk kishte depërtuar. Ka disa zona, si Serravrani dhe fshatra të tjera përreth, që konsiderohen më të rrezikuara”, tha banori Januz Hoxha.
“Tash është krijuar një vetëdijesim më i madh. Po dëgjojmë që ende ka rriqra dhe u ngjiten njerëzve, por nuk janë aq të rrezikshme si më parë. Nuk kemi dëgjuar për raste të rënda dhe mirë është që po bëhet dezinsektimi. Sot pashë që kanë ardhur edhe me makinat përkatëse”, tha banori Nebih Zogaj.
Ky projekt financohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me vlerë prej 971 mijë e 100 eurosh për periudhën 2025–2028 dhe parasheh trajtimin e rreth 5 mijë e 200 hektarëve çdo vit në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut.