Një ngjarje tragjike ka ndodhur të mërkurën në jug të Shqipërisë, ku ka vdekur një turiste holandeze, 23-vjeçarja M.B., kanë raportuar mediat vendase.
E reja ndodhej në shoqërinë e miqve të saj në zonën e thepisur të Gjirit të Filikurit, një ndër plazhet më të vizituara në jug, kur aksidentalisht ka rrëshqitur nga një lartësi prej rreth 30 metrash. Sipas raportimeve, shoku i saj kishte tentuar ta mbante nga dora, por nuk kishte mundur ta ndalonte rrëzimin.
Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar shërbimet e emergjencës, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e Policisë së Himarës, policia kufitare, zjarrfikësit dhe një autoambulancë. Pas përpjekjeve në terrenin e vështirë shkëmbor, është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të viktimës.
Përveç viktimës, një 18-vjeçare tjetër ka mbetur e lënduar si pasojë e rënies së gurëve dhe është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Fatmirësisht, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Turistët e tjerë që ndodheshin në zonë janë ndihmuar të largohen në mënyrë të sigurt, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Gjiri i Filikurit është një destinacion i njohur turistik në Vlorë, por për shkak të terrenit të vështirë, mund të arrihet vetëm përmes detit ose duke zbritur me litarë nëpër shkëmbinj të pjerrët.
-
Australianja 22-vjeçare vdes pasi u bllokua në ashensorin e skive në Japoni
-
Shtetasja gjermane dyshohet se vdiq në Malet e Sharrit nga hipotermia, i kishte ngecur këmba mes shkëmbinjve
-
Tre turistë të huaj shpëtohen nga policia, nxirren nga shkëmbinjtë në Himarë
-
Vdiq një 23-vjeçar nga Kosova gjatë pushimeve në Lezhë
-
Një shqiptare mbytet në brigjet e Puketit në Tajlandë