Jakup Krasniqi ishte fytyra e UÇK-së që lidhet me unitet, konsensus politik dhe përgjegjësi për momentin historik në Rambouillet. H. Thaçi, i cili ishte fytyra e polarizimit, një ditë para fundit të konferencës dha dorëheqje në përpjekje për të dështuar konferenca. Këto tash fshihen në libra dhe për këtë nuk mbajnë përgjegjësi personazhet historike, por autorët e librave, përfshirë akademik Arsim Bajramin
1.
Një paragraf i librit të akademik A. Bajrami përmbledh në masë të madhe një premisë të gabueshme, e cila i udhëheq gabimet në këtë libër dhe në masë të madhe në një pjesë të rëndësishme të ligjërimit publik:
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPas presioneve të shumta, më në fund, Thaçi mori vendimin e shumëpritur për t’i thënë po Marrëveshjes së Rambujesë dhe për t’i hapur rrugën intervenimit ushtarak të NATO-s, që solli çlirimin e Kosovës dhe më vonë edhe pavarësinë e saj. Kapërcimi i Thaçit nga një udhëheqës politik i UÇK-së në një figurë qendrore të Konferencës së Rambujesë, bëri që ai më vonë të jetë figurë kryesore e procesit të pavarësisë së Kosovës, kur arriti edhe kulminacionin e lidershipit të tij më 17 shkurt 2008 duke e lexuar Deklaratën e Pavarësisë, me të cilën Kosova shpallej shtet sovran dhe i pavarur. Pa dyshim se Rambujeja ishte pika më e ndritshme e historisë politike të Hashim Thaçit.
Nga rrëfimet e deritanishme të të gjithë dëshmitarëve të Konferencës së Rambouillet del se ai ishte figura kryesore negative e kësaj konference që u përpoq deri në momentin e fundit - të bisedës së z. Rubin dhe përmendjes së Hollywoodit - që Kosova të mos e nënshkruajë Marrëveshjen dhe kështu të humbasë përkrahjen amerikane.
Pra, nuk ka qenë figura qendrore e Konferencës; po, mund të quhej figura më polarizuese e saj. Dhe, me të njëjtin kut të realizmit do të hidhej poshtë edhe konstatimi tjetër, se ka qenë “figura kryesore e procesit të pavarësisë së Kosovës”, ngase lexoi Deklaratën e pavarësisë. Pavarësia ishte paraparë të shpallej më 2007 dhe nëse do t’i rastiste që leximin e Deklaratës ta bënte Agim Çeku, a do të ishte ai “figura kryesore e procesit të pavarësisë së Kosovës”? Apo a do të bëhej i tillë Fatmir Sejdiu, presidenti i Kosovës më 2007 e 2008? Ose a do të bëhej i këtillë Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit më 2007 e 2008?
Për më tepër, procesi Ahtisaari ka qenë njëri prej shembujve më të mirë të unitetit politik të Kosovës, përfshirë edhe pjesëmarrjen e komuniteteve joshumicë. Në këtë proces ka marrë pjesë edhe akademik Bajrami. Nga doli z. Thaçi figurë kryesore kur ishte i barabartë me kolegë të tjerë, Kolë Berishën apo Agim Çekun, për shembull?
2.
Hashim Thaçi ka treguar gjatë karrierës së tij politike aftësi të madhe për të fshehur dështimet trashanike (siç ka qenë sjellja e tij në konferencën e Rambouilletsë apo në procesin negociator me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve) dhe njëra prej formave për ta bërë këtë ka qenë duke krijuar ligjërimin për rolin e tij si “figurë kryesore” në Rambouillet dhe në “procesin e pavarësisë”. Për këtë shtrembërim H. Thaçi nuk mund të mbajë përgjegjësi, ngase me këtë zhdërvjelltësi, mes aftësive të tjera, ka krijuar dhe mbajtur pushtet politik.
Por, për këtë gjë mbajnë përgjegjësi përsëritësit e këtij ligjërimi publik, i cili tashmë ka hyrë në librat shkollorë të historisë apo siç është rasti me z. Bajrami në libër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Gjatë tërë librit të tij z. Bajrami e përshkruan z. Thaçi si kryesues të Delegacionit, që do të duhej të ishte mbase arsyetim i peshës historike të “liderit”. Por, këtu fillon gabimi themelor, ngase Hashim Thaçi ishte njëri prej katër anëtarëve të Kryesisë së Delegacionit. Ai ishte kryesues i Kryesisë, primus inter pares dhe njëra prej arsyeve për këtë (pjesë e një rrëfimi të gjatë për ndonjëherë tjetër) ishte manifestimi i përkrahjes së tërë Delegacionit të Kosovës ndaj UÇK-së.
Akademik Bajrami këtë e di dhe e ka përmendur në libër. Siç ka përmendur parimin e konsensusit në delegacionin tonë. Këtë parim e pata propozuar në Prishtinë në zyrat e “KOHËS Ditore”, në takimin tonë para nisjes për në Rambouillet. Në takim ishin Fehmi Agani, Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi dhe Blerim Shala. E propozova këtë ide për të thyer kundërshtitë që lindën kur UÇK-ja kushtëzoi pjesëmarrjen e saj në Rambouillet me kryesim të Delegacionit.
Propozimi im u pranua dhe si rezultat kishim një realitet e vlerë të re politike, të paprecedent ndër shqiptarët e Kosovës, kishim konsensusin. Kjo, edhe në aspektin praktik do të thoshte se Marrëveshja mund të pranohej vetëm nëse të gjithë anëtarët e Delegacionit e pranonin, pa përjashtim. Zëri i çdo anëtari ishte i barabartë dhe në fund na nevojitej pëlqimi i Hashim Thaçit, jo pse ai ishte vendimtar, por sepse pëlqimi i çdo anëtari ishte vendimtar. E ai kishte mbetur i fundit, deri në bisedën me z. Rubin.
3.
Z. Bajrami, në lëmshin e qëndrimeve jo rrallë kundërthënëse në libër, largon nga plani i parë dy rrëfime dramatike që lidhen me UÇK-në.
Në njërin është Jakup Krasniqi, i cili si pjesëtar i UÇK-së bëhet pjesë e Grupit të negociatorëve (i quajtur Grupi politik-strategjik) së bashku me Fehmi Aganin, Mehmet Hajrizin dhe Blerim Shalën. Ky grup i negociatorëve, së bashku me këshilltarët juridikë (në mesin e të cilëve edhe z. Bajrami) zhvillojnë negociata me treshen ndërmjetëse. Pas çdo raundi negociatash ky grup i raporton tërë Delegacionit, merr udhëzime, rekomandime e përkrahje dhe vazhdon tutje. Ky grup tejkalon me sukses ndasitë, paragjykimet, tensionet e krijuara gjatë tërë viteve nëntëdhjetë me punë të përditshme dhe me sensin e përbashkësisë. Jakup Krasniqi është njëri prej promotorëve kyç të unitetit funksional të Delegacionit të Kosovës. Anëtarët e tjerë të UÇK-së - Xhavit Haliti, Ramë Buja e madje në ditët e fundit në formë më të shprehur edhe Azem Syla, janë pjesë e kësaj përpjekjeje për bashkim të qëndrimeve të krejt Delegacionit. Dhe, ditën kur del si propozim ideja për Qeveri të përkohshme të Kosovës, që do ta përkthente këtë unitet në veprim operacional, që të gjithë ishim të pajtimit për këtë gjë, përfshirë idenë që kryeministër i saj të ishte Jakup Krasniqi.
Rrëfimi tjetër dramatik, i së njëjtës ditë kur duhej deklaruar për Qeverinë e përkohshme, është ai i Hashim Thaçit. Ai më 22 shkurt, pas gati tri javëve përpjekjesh për të ndalur arritjen e Marrëveshjes deklaroi se kush e nënshkruan Marrëveshjen do të shkelë mbi gjakun e dëshmorëve, do të jetë tradhtar dhe do të trajtohet si i tillë. Dhe, pas këtyre fjalëve, e disa të tjerave që duhej të ndërtonin argumentin e tij kundër, dha dorëheqje nga posti i tij i kryesuesit të Kryesisë.
4.
Ky rrëfim nuk gjendet në librin e z. Bajramit. Në momentet më të vështira të historisë së Kosovës, pjesa më e madhe e delegacionit të saj kuptoi se duhej të ruante arritjet e vlefshme historike që ishin bërë në atë Konferencë. Duhej të ruante shansin historik që të ndërpritej lufta, të vendosej një administrim ndërkombëtar me NATO-n si forcë sigurie e të krijoheshin kushtet për vetëvendosje. Duhej të pranonte dorën e shtruar të ndihmës të demokracive perëndimore, me në krye SHBA-në, një shans që vjen vetëm një herë në historinë e njerëzve të Kosovës. Duhej të ruante unitetin e arritur politik, posaçërisht mes LDK-së dhe UÇK-së, e pastaj, edhe siç doli, të ruajë unitetin brenda vetë UÇK-së. Duhej t’i iknim tundimit që një pjesë e Delegacionit ta nënshkruante e tjetra të mendohej se a do ta bëjë pas dy javësh.
Kjo frymë në UÇK mbante emrin e Jakup Krasniqit dhe të tre shokëve të tij të armëve e në fund asaj iu bashkëngjit edhe Hashim Thaçi. Mbase një rol mund të ketë luajtur tundimi i z. Rubin, por kam qejf të shpresoj edhe se në fund mund të nuk ketë dashur të ndahet prej shokëve, të atyre që ishin më të mençur, të matur e largpamës e që vunë interesin e Kosovës para protagonizmit personal.
Fitorja e Kosovës në Rambouillet nuk do të ishte e mundur pa UÇK-në; fitorja e Kosovës në Rambouillet ishte e mundur, pavarësisht përpjekjes të z. Thaçi që të dështojë.
5.
Akademik Bajrami ka mundësi që me librin e tij “Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë” të japë elemente të vlefshme vlerësimi e shpjegimi për ta kuptuar Rambouilletnë si një kthesë të rëndësisë së jashtëzakonshme të historisë së Kosovës (dhe Evropës së asaj kohe). Ato elemente do të vinin në shprehje edhe me një përcaktim të qartë metodologjik, disiplinë shkrimi, redaktim profesional të tekstit dhe seriozitet recensional.
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës do të bënte mirë që këtij libri t’i jepte shans ndryshimi, duke e inkurajuar një libër që përmbush kritere bazike botimi.