Si e hodhi poshtë Kosova më 22 shkurt të vitit 1999 ofertën unilaterale të SHBA-së që më 2002 të organizohej referendumi për të përcaktuar statusin e vet të përhershëm?
1.
Burimi, apo njëri burim, i të pavërtetave del të jetë Hashim Thaçi. Në librin e akademik Bajramit për Rambouilletnë lexohet ky citat nga njëri prej dy biografive të shkruara nga autorë të huaj, besoj jo pa iniciativë të z. Thaçi dhe jo pa shpërblim përkatës për këtë:
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë librin biografik të dy autorëve britanikë “New State, Modern Statesman” për presidentin Hashim Thaçi, vetë Thaçi jep sqarime për ecurinë e negociatave në Rambuje e Paris. Përfaqësuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, sipas autorëve britanikë, ishte ndër të vetmit që në Rambuje mendonte për pavarësinë e Kosovës, derisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe një pjesë të delegacionit të Kosovës kjo ishte utopike. Ishin dy pika, sipas tyre, që e ndanin Thaçin me bashkësinë ndërkombëtare. Thaçi kishte insistuar që të ketë një qartësi për statusin e Kosovës, nëpërmjet organizimit të një referendumi dhe nëse pala serbe nuk e nënshkruan, të ketë intervenim të NATO-s. Por, dhe pas presionit shumë të madh që ishte bërë mbi një 31-vjeçar, Thaçi sipas autorëve asnjëherë nuk kishte hequr dorë nga përfshirja e së drejtës të popullit për vetëvendosje dhe pikës tjetër që NATO-ja të intervenojë, nëse Serbia nuk e nënshkruan këtë marrëveshje. “Unë bëra një plan që çdo marrëveshje që do të nënshkruhej, duhet të vlejë vetëm për tre vjet. Pas një periudhe të përkohshme, në marrëveshje duhej të shkruhej që populli i Kosovës ka të drejtën të votojë për të ardhmen e vet. Pra, që populli i Kosovës të ketë të drejtën e mbajtjes së një referendumi për vetëvendosje”, citohet të ketë thënë Thaçi për autorët britanikë. Sipas autorëve të librit, presioni më i madh gjatë negociatave ishte ndaj Hashim Thaçit, sepse ishte kundërshtuesi më i madh Më në fund, Olbrajti dhe zëdhënësi i saj, pas bisedave të gjata, të mundimshme dhe përplot presione, kishin arritur ta bindin Thaçin që ta nënshkruante marrëveshjen.
Akademik Bajrami distancohet nga ky citat me konstatimin se:
“natyrisht se këto qasje të autorëve britanikë kanë për qëllim glorifikimin e figurës së Hashim Thaçit, por realisht i tërë delegacioni i Kosovës që nga fillimi e ka ditur se Rambujeja nuk ishte thirrur për pavarësinë e Kosovës, por për ndaljen e dhunës, represionit dhe gjenocidit serb në Kosovë. Delegacioni i Kosovës para fillimit të konferencës i kishte pranuar dhjetë pikat e Grupit të Kontaktit, ku nuk flitej për pavarësinë e Kosovës, por për një zgjidhje kalimtare që Kosovës i siguronte një autonomi substanciale brenda integritetit territorial të RF të Jugosllavisë”.
2.
Por, ky distancim në këtë citat duhej ta kishte udhëzuar akademik Bajramin rreth veprimeve të z. Thaçi përgjatë vlerësimeve të mëtejmë e përgjatë tërë librit. Dhe kjo bëhej duke konstatuar se Hashim Thaçi nuk ka bërë apo kontribuar për asnjë dhe asnjë dhe të vetmin ndryshim në Marrëveshjen e Rambouilletsë, në asnjërin prej drafteve, prej të parit deri te ai i fundit. Hashim Thaçi nuk ka bërë asnjë propozim në tekstin e Marrëveshjes, rrjedhimisht asnjë propozim i tij nuk ka mundur të hyjë në Marrëveshje. Dhe teksti i Marrëveshjes që H. Thaçi (me Bajram Kosumin e ndonjë tjetër) e refuzuan më 20 shkurt është po i njëjti tekst i Marrëveshjes së përkrahur nga delegacioni i Kosovës më 23 shkurt dhe i njëjti tekst i Marrëveshjes të cilin katër anëtarët e Kryesisë së Delegacionit të Kosovës, njëri prej të cilëve ishte H. Thaçi, e nënshkruan në Paris më 18 mars.
Ky konstatim megjithatë nuk pranohet nga akademik Bajrami dhe në librin e tij e vazhdon gënjeshtrën e H. Thaçit sikur të ishte shkruar prej dy biografëve:
Një nga momentet e rëndësishme të Konferencës së Rambujesë, sidomos në pjesën përfundimtare të saj, ishte kërkesa këmbëngulëse e delegacionit të Kosovës për referendum. Në radhë të parë kryesuesi i delegacionit, z. Hashim Thaçi insistonte që marrëveshja, krahas afatizimit të saj si marrëveshje e përkohshme trevjeçare, të përmbante shprehimisht një premtimin që pas tre vjetësh Kosova të mundë të mbante një referendum për pavarësinë e saj. Thaçi kishte këmbëngulur se nuk do të nënshkruhet marrëveshja në Rambuje pa pikën për referendum dhe pas shumë negociatave, ish-sekretarja Olbrajt pranoi që pika për referendum të bëhej pjesë e marrëveshjes.
3.
Konstatimi se H. Thaçi e ka bindur sekretaren Albright “që pika për referendum të bëhej pjesë e marrëveshjes” është i pavërtetë, të mos e përdorë versionin kosovar për këtë fjalë, dhe këtë do të duhej ta dinte më së miri vetë akademik Bajrami. Grupi politik-strategjik përgjatë tri javëve të negociatave, e posaçërisht javën e fundit, kishte zhvilluar negociata intensive me negociatorët (amerikanë, evropianë dhe rusë) për të saktësuar kohëzgjatjen dhe formën e përcaktimit të statusit të përhershëm të Kosovës. E tërë përpjekja e këtij grupi është bërë me përkrahje të plotë konsensuale të gjithë anëtarëve të delegacionit të Kosovës dhe më 20 shkurt ishte arritur ky formulim:
“Tre vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, do të thirret një takim ndërkombëtar për të përcaktuar një mekanizëm për një zgjidhje përfundimtare për Kosovën, mbi bazën e vullnetit të popullit, opinioneve të autoriteteve përkatëse, përpjekjeve të secilës palë lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, si dhe Aktit Final të Helsinkit.”
Anëtarët e këtij grupi, Fehmi Agani, Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi dhe Blerim Shala, arritën maksimumin e mundshëm negociator në bashkëpunim të ngushtë me ndërmjetësit amerikanë duke inkuadruar në tekst formulimin “mbi bazën e vullnetit të popullit” që është një referencë jo aq e fshehur e vetëvendosjes.
Akademik Bajrami është dashur ta dijë këtë, ka qenë këshilltar juridik i këtij grupi dhe kontribuues i vlefshëm i punës në të.
4.
Në fakt “pika për referendum” ka një historiat tjetër që akademik Bajrami ka mundur ta dijë qoftë duke mbajtur mend çka ka ndodhur në sallë, qoftë duke lexuar librat e Blerim Shalës, Marc Wellerit, Tim Judah e të tjerë.
Në vazhdimin treditor të konferencës, i kam kërkuar sekretares Albright mundësinë që ajo të formulojë një letër (“side letter”) me të cilën do të shprehej interpretimi zyrtar amerikan për referendum kur bëhet fjalë për formulimin në Marrëveshje rreth statusit të përhershëm të Kosovës. Në negociata kishim arritur fundin e rrugës, nuk kishte më mundësi të ndryshohet as edhe një fjali; Blerim Shala u përpoq në momentin e fundit ta fusë edhe shtesën “vullneti i shprehur i popullit” por me gjithë simpatinë e ndërmjetësve amerikanë nuk u arrit ndryshimi në tekst.
Pas një konsultimi të zonjës Albright me ekipin e saj në sallën plenare, Jim O’Brien, kryejuristi i delegacionit amerikan erdhi dhe ma dorëzoi letrën e sekretares Albright. Qëndroi në sallë deri sa ua lexova me zë anëtarëve të delegacionit dhe më tha që letra vlente vetëm brenda kësaj dite, nëse delegacioni i Kosovës e pranon Marrëveshjen. Nëse jo, do të konsiderohej e pavlefshme.
Letra thoshte kështu:
Rambuje, 22 shkurt 1999
Kjo letër ka të bëjë me formulimin (bashkëngjitur) të propozuar për Kapitullin 8, Nenin 1 (3) të Marrëveshjes së Përkohshme Kornizë. Ne do ta konsiderojmë këtë propozim, ose çdo formulim tjetër, të atij neni që mund të miratohet në Rambuje, si konfirmim të së drejtës së popullit të Kosovës për të mbajtur një referendum mbi statusin përfundimtar të Kosovës pas tre vjetësh.
Me respekt,
Madeleine Albright, Sekretare e Shtetit
5.
Juristët ndërkombëtarë – Paul Williams dhe Marc Weller dhe diplomati i rryer M. Abramowitz - gati se nuk mund të besonin që kishim arritur deri në atë pikë të përkrahjes amerikane. Letra e sekretares së Shtetit konsiderohej obligim i SHBA-së sipas Konventës së Vjenës, kushdo të ishte në të ardhmen në pushtet në SHBA.
Por, siç konstaton akademik Bajrami, disa në delegacionin tonë filluan të tallen e të pyesin ku është vula dhe a vlen ky dokument pa vulë?
Akademik Bajrami ka mundur të konstatojë edhe se njeriu që i priu refuzimit ishte Hashim Thaçi. Kosova, më 22 shkurt të vitit 1999, hodhi poshtë ofertën unilaterale të SHBA-së që më 2002 të organizohej referendumi për të përcaktuar statusin e vet të përhershëm.
(Nesër: Mësim i Rambouilletsë: UÇK-ja nuk ka (një) emër)
LEXO EDHE: