Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, ka arritur marrëveshje për kalim te Juventusi. Tani gjiganti italian ka nisur bisedimet me Lillein për futbollistin, ka raportuar “Tuttosport” të mërkurën.
Kontrata e 26-vjeçarit me klubin francez përfundon në qershor të vitit të ardhshëm.
Zhegrova raportohet se ka arritur marrëveshje prej 2.5 milionë eurosh në vit deri më 2030 me “Zonjën e Vjetër”.
Sipas raportimit, Zhegrova e ka njoftuar Lillein se nuk do të vazhdojë kontratën dhe kjo ka nxitur francezët të mendojnë për shitjen e tij.
Lille sivjet e ka humbur edhe një yll. Jonathan David kaloi te Juventusi dhe Lille dëshiron ta shmangë të njëjtin skenar me Zhegrovën verën e ardhshme.
Në tavolinë, Lille ka kërkuar rreth 25 milionë euro për të, por Juventusi shpreson t’i sigurojë shërbimet e kosovarit për më pak se 20 milionë euro.