Nuk ka luajtur që nga viti i kaluar dhe javët e fundit i kishte goxha të ndërlikuara. Por ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, po e realizon lëvizjen që e ka synuar gjatë. Sulmuesi i krahut më në fund po transferohet në një top-skuadër të futbollit evropian.
Zhegrova do të kalojë nga Lille te gjiganti italian, Juventus. Sipas raportimeve të bëra të dielën mbrëma, marrëveshja është arritur tashmë dhe ka mbetur vetëm prezantimi nga klubi italian dhe ai francez.
Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, ka shkruar të dielën se Zhegrova kalon te Juve për 20 milionë euro. Ai ka insistuar për transferim në klubin nga Torino, ndërsa Lille ka pranuar ofertën e bërë nga Juventusi.
Juventusi është prej klubeve më të mëdha në Evropë. Lufton vazhdimisht për trofe dhe ka bazë të gjerë të tifozëve, jo vetëm në Itali.
Edicionin e kaluar skuadra që për trajner e ka Igor Tudorin përfundoi në vendin e katërt.
Me 36 tituj të kampionit, Juventusi është bindshëm klubi më i suksesshëm në Itali. Titullin e fundit e ka fituar në vitin 2020. Kupën e Italisë, Juventusi e ka fituar 15 herë, së fundi vitin e kaluar. Ndërkohë Superkupës i është gëzuar nëntë herë, së fundi në vitin 2020.
Garën elitare evropiane Juve e ka fituar dy herë, në vitet 1985 dhe 1996. Por i ka humbur shtatë finale, të fundit në vitin 2017.
Juventusi të dielën mbrëma fitoi 1:0 ndaj Genoas. Ka fitore në dy ndeshjet e para të edicionit të ri në Itali dhe ndan pozitën e parë me skuadra të tjera.
Zhegrova e bën lëvizjen e madhe në moshën 26-vjeçari. Talenti i tij i madh ka rënë në sy në moshë shumë të re. U zhvillua te Flamurtari, Prishtina, Standardi e Sint-Trudeni. Në nivelin e të rriturve debutoi te Genku belg. Më pas luajti për Baselin në Zvicër, ndërsa prej vitit 2022 ishte te Lille në elitën franceze.
Më 14 dhjetor të vitit të kaluar, Zhegrova luajti një pjesë ndaj Marseilles. Dhe ka munguar prej atëherë për shkak të telasheve në muskujt e pjesës së poshtme të barkut. Kthimi i tij në fushë ishte shtyrë disa herë, por dribluesi nuk luajti më në edicionin 2024/2025. Pasi kishte vetëm edhe një vit në kontratë, Lille e ka ditur se e ka rastin e fundit të përfitojë financiarisht nga Zhegrova. Dhe e ka shitur atë në Itali.
Marseille ishte skuadër tjetër e interesuar për Zhegrovën, por ai megjithatë ishte i vendosur për ekip më të madh, me më shumë tifozë.
Zhegrova largohet nga Lille me 107 ndeshje, 26 gola e 18 asistime. Te Baseli i luajti 74 ndeshje, ndërsa realizoi 11 gola e 17 asistime. Te Genku i kishte pesë gola e tri asistime në 27 paraqitje.
Në kampionatin francez ylli dardan ka 80 ndeshje, 15 gola, 13 asistime. Në Superligën e Zvicrës ka 60 paraqitje, nëntë gola 15 asistime.
Megjithatë, janë paraqitjet në Ligën e Kampionëve që kanë dëshmuar se Zhegrova është gati për nivelin më të lartë. Para se të lëndohej në dhjetor kishte shkëlqyer ndaj Real Madridit dhe ishte shpallur më i miri i ndeshjes. Më pas kishte luajtur ndeshje të mëdha edhe me Atletico Madridin dhe pikërisht me Juventusin.
Lëndimi i kushtoi jo pak, por Zhegrova megjithatë po e bën hapin e madh në karrierë. Shpërthimet e tij në krah tani do të shihen në Serie A, në njërën prej skuadrave më të mëdha në Evropë.