Futboll

Zhegrova te Juventusi deri në vitin 2030

Edon Zhegrova

Edon Zhegrova është lojtar i Juventusit. Gjiganti italian e ka zyrtarizuar të hënën mbrëma transferimin e Zhegrovës nga klubi francez, Lille.

Zhegrova me Juven ka firmosur për pesë vjet, deri në vitin 2030. Është ky hap shumë i madh në karrierën e sulmuesit të krahut. Është po ashtu prej lëvizjeve më të mëdha që kanë bërë ndonjëherë lojtarët e Kosovës.

Juventusi vlerësohet prej klubeve të mëdha në Itali e po ashtu në Evropë. Pak lojtarë shqiptarë kanë luajtur e luajnë në klube të këtij niveli.

Zhegrova transferohet në Serie A në moshën 26-vjeçare, ndërsa shpresohet se do të jetë i suksesshëm në njërën prej top-ligave evropiane. Konkurrenca për vend në formacionin bazë do të jetë e madhe, por megjithatë vlerësohet se ai ka cilësi për ta përballuar atë. 

Zhegrova ka nisur karrierën në Kosovë, ndërsa më pas është zhvilluar edhe te Standard Liege dhe Sint-Triuden në Belgjikë. Në nivelin e të rriturve nisi te Genku, po ashtu në Belgjikë. Më pas luajti te Baseli në Zvicër, kurse prej vitit 2022 ishte te Lille. Tani do të luajë për gjigantin italian, Juventus.

Te Juventusi për trajner e ka kroatin Igor Tudor, ndërsa do të luajë përkrahë yjeve të shumtë.

“Pas tri vjet e gjysmë, 107 ndeshje dhe 26 golave në të gjitha garat, Edon Zhegrova largohet nga Lille për Juventusin. Dy klubet dhe lojtari janë pajtuar për të transferuar sulmuesin e Kosovës”, ka shkruar Lille.

“Lille është i lumtur që mori pjesë në zhvillimin e talentit të Edon Zhegrovës, që erdhi te ne me potencial të madh. Ai tani i bashkohet klubit të madh evropian, Juventus, ku do të bashkohet me ish-bashkëlojtarin, Jonathan David”, ka shkruar tutje klubi francez.

Zhegrova shquhet për shpejtësinë, shpërthimet në krah dhe driblimet e bukura dhe të suksesshme. Po ashtu e dallojnë krosimet e bukura dhe golat nga distanca. Sipas raportimeve, Zhegrova është transferuar te Juventusi për 20 milionë euro. 

Zhegrova është dashur të grumbullohet të hënën me Kosovën. Por është lënë i lirë nga selektori Franco Foda. Zhegrova nuk ka luajtur që nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar për shkak të një lëndimi. Juventusi megjithatë i besoi potencialit të tij dhe vendosi ta transferojë.

Ai mund të debutojë më 13 shtator në derbin e madh ndaj Interit, që zhvillohet në Torino.