Të paktën 27 lojtarë të klubeve të Superligës dyshohet se kanë vënë baste në ndeshjet ku përfshihen ekipet e tyre
Prokurorët në Turqi kanë udhëruar ndalimin e 46 personave, ku përfshihen 29 futbollistë nga klubet e nivelit më të lartë, presidentë klube, komentatorë e të tjerë, si pjesë e një hetimi të zgjeruar mbi bastet e brendshme që kanë tronditur ligat profesionale të futbollit në këtë vend.
Midis lojtarëve të arrestuar dyshohet se janë 27 që kanë vënë baste për ndeshjet që përfshijnë ekipet e tyre, ka thënë Zyra e prokurorit publik në Stamboll në një deklaratë të lëshuar të premten.
Njëri prej tyre është Metehan Baltaci, që luan për kampionin në fuqi të Turqisë, Galatasaray. Më herët këtë muaj ai është suspenduar për nëntë muaj lidhur me skandalin e bastvënies.
Hetimi ka tronditur futbollin në Turqi. Më 10 nëntor, gjashtë gjyqtarëve të futbollit iu caktua masa e paraburgimit, së bashku me presidentin e Eyupsporit, që është klub i Superligës.
Prokurorët kanë identifikuar 26 lojtarët e tjerë të dyshuar për baste që përfshinin ekipet e tyre. Por thanë se Mert Hakan Yandas, që luan për Fenerbahçen, një tjetër klub i madh i Stambollit, kishte vënë baste përmes llogarisë së dikujt tjetër.
“A Haber” njoftoi se ish-presidenti i Adana Demirspor, Murat Sancak, ishte përfshirë gjithashtu në listën e paraburgimit. Janë paraqitur edhe emrat e disa lojtarëve të tjerë.
Asnjëri nga klubet nuk ka komentuar.
Zyra e prokurorit tha se policia deri më tani kishte ndaluar 35 nga 46 personat e përmendur në urdhrin e arrestit. Pesë prej të dyshuarve janë jashtë Turqisë.
Dy presidentë klubesh ishin midis atyre që u vunë në shënjestër për “përpjekje për të ndikuar në rezultatin” e një ndeshjeje midis ekipeve të tyre të divizionit të tretë, në edicionin 2023/2024.
Ndeshja u bë e dyshimtë pasi asnjëra skuadër nuk ka bërë përpjekje për të shënuar gol. Dhe prej këtij rasti nisi i gjithë hetimi, raportojnë mediat turke.
Deri më tani Federata e Futbollit e Turqisë i ka suspenduar më shumë se 1000 futbollistë. Më shumë se 25 prej tyre janë nga Superliga. Ata janë dënuar me ndalesë loje prej 45 ditë deri në 12 muaj.
Vetëm një prej tyre ishte i huaj, sulmuesi i krahut nga Senegali, Alassane Ndao, që luan për Konyasporin. Ai është suspenduar për 12 muaj. Shumica e lojtarëve, mbi 900, janë të divizionit të tretë dhe të katërt.
Në tetor, federata turke suspendoi afër 150 gjyqtarë për bastvënie në ndeshje.