Futbolli turk ka pezulluar përkohësisht 102 futbollistë të ekipeve të enjten, të cilët dyshohen për përfshirje në bastvënie.
Federata e Futbollit e Turqisë i ka suspenduar 25 lojtarë nga Superliga dhe 77 nga kategoria e dytë e futbollit turk me kohëzgjatje prej 45 ditë deri në një vit.
Mbrojtësi i Galatasarayt dhe Turqisë, Eren Elmali, është suspenduar për 45 ditë. Bashkëlojtari i tij te klubi dhe qendërmbrojtësi i Turqisë U21, Metehan Baltaci, është suspenduar për nëntë muaj. Futbollisti i krahut nga Senegali që aktivizohet te Konyaspori, Alassane Ndao, ka pranuar suspendim prej 12 muajsh.
Elmali ka postuar në Instagram këtë javë se ai ka vënë bast në një ndeshje para pesë vjetësh, por nuk është përfshirë skuadra e tij. Ai iu bashkua Galatasarayt në atë vit.
Baltaci po ashtu ka pranuar se ka vënë baste edhe më herët, por ka insistuar se nuk kanë qenë ndeshje ku ai ka qenë i përfshirë.
“Vite më parë kam vënë bast në kohën kur nuk e kam kuptuar seriozitetin e këtyre rasteve”, ka thënë ai. “Dua ta bëj të qartë se ai veprim nuk ka pasur të bëj asgjë me ndeshjet e ekipeve të cilat i kam përfaqësuar”.
Suspendimi është bërë vetëm për ndeshje, por lojtarët mund të stërviten, ka raportuar të enjten televizioni Haberturk.
Më shumë se 1000 futbollistë janë duke u hetuar nga Bordi Disiplinor i Futbollit Profesionist të Federatës së Futbollit të Turqisë.
Federata e ka ndërprerë kategorinë e tretë dhe të katërt për dy javë, ndërsa ka lejuar që ndeshje të luhen vetëm në Superligë dhe në kategorinë e dytë.
Presidenti i Federatës, Ibrahim Haciosmanoglu, ka bërë thirrje këtë javë se do ta pastrojë futbollin e Turqisë nga korrupsioni, skandali dhe praktikat joetike.
“E kemi marrë detyrën para 16 muajsh me premtimin se do ta ngremë futbollin turk në nivelin që e meriton”, ka thënë ai. “Ne nuk do bëjmë kompromise në luftën për ta mbrojtur futbollin turk nga skandalet, shkatërrimi dhe marrëdhëniet korruptive”.
Futbolli turk është goditur nga hetimet që përfshijnë bastvëniet nga gjyqtarët dhe tani nga lojtarët, gjë që është e ndaluar nga FIFA.
Më shumë se 150 gjyqtarë dyshohet se kanë vënë baste në ndeshje të ndryshme, përfshirë shtatë të cilët kanë udhëhequr ndeshje të nivelit të lartë, bashkë me 15 asistentë të këtij niveli.
Ky skandal është goditje për futbollin turk që synon ringjalljen.
Turqia do të jetë nikoqire e Kampionatit Evropian të vitit 2032 bashkë me Italinë.
Në “Euro 2024”, Turqia ishte çerekfinaliste por u eliminua nga Holanda, kurse Italia shkoi deri në 1/8 e finales kur u eliminua nga Zvicra.
Stambolli është prej vendeve të cilat UEFA i përzgjedhë për organizimin e disa finaleve të garave që i organizon ajo.