Futboll

Miqësoret dëshmuan që Kosovën e pret rrugë shumë e gjatë drejt suksesit të synuar

Lojtarët e Kosovës para ndeshjes me Hungarinë

Fitore 1:0 ndaj Armenisë e humbje 2:0 ndaj Hungarisë. Ky ishte bilanci i përfaqësueses së Kosovës në futboll nga grumbullimi i marsit. Ishte grumbullimi i parë me selektorin e ri, Franco Foda, që ndër të tjera dëshmoi se Kosova ka rrugë të gjatë para, drejt realizimit të synimeve. Synim i madh mbetet kualifikimi në Kampionat Evropian apo Botëror. Dhe me ecurinë aktuale, e po ashtu me nivelin e shfaqur në dy ndeshjet e marsit, ngjarjet e mëdha nuk duken shumë afër për “Dardanët”.

Miqësorja me Armeninë nuk mund të vlerësohet matës i mirë. Armenia, e ranguar në vendin e 94-të në renditjen e FIFA-s, vlerësohet prej përfaqësueseve të vogla evropiane. Ndaj saj Kosova fitoi 1:0, por jo pa u sfiduar.

Matës shumë më i mirë ishte takimi me Hungarinë, që ka 14 ndeshje pa humbje dhe që është kualifikuar në Euro 2024. Te Kosova vlerësuan se Hungaria është rival i duhur për këtë fazë, pasi prezanton nivelin e përfaqësueses ku Kosova synon të jetë.

Në pjesën e parë të ndeshjes së luajtur të martën mbrëma në Budapest Kosova shfaqi cilësi. Kishte raste për gol, por po ashtu ka rrezikuar të pranojë gol. Pjesa e dytë ishte tregim krejt tjetër. Hungarezët shfaqën shumë më tepër dhe realizuan dy gola, ndërsa nuk e pranuan asnjë. Kështu entuziazmi i shfaqur pas fitores ndaj Armenisë, u ul ndjeshëm.

Te Kosova pranuan se një pjesë, e madje as 60 minuta, nuk mjaftojnë për sukses në nivel serioz ndërkombëtar. Dhe Hungaria, e 27-ta në ranglistën e FIFA-s, e bëri plotësisht të qartë këtë.

Tekniku gjerman, Foda, nuk është se ka sjellë shumë ndryshime në lojën e Kosovës. Të paktën jo në bazë të asaj që është parë në dy ndeshjet e këtij muaji. “Dora” e tij ende pritet të shihet.

Lojtarët ishin thuajse të njëjtit. Sulmi vazhdon të varet nga Vedat Muriqi dhe nga Milot Rashica e Edon Zhegrova që paraqiten në krahë. Aro Muriq mbetet në portë, Amir Rrahmani e Fidan Aliti në qendër të mbrojtjes, Mërgim Vojvoda e Leart Paqarada në krahë. Në vend të Paqaradës që kishte telashe fizike, ndaj Hungarisë rastin e fitoi Donat Rrudhani. Ndërkohë mesfusha, me Valon Berishën, Blendi Idrizin e Florent Muslijën ndaj Hungarisë, vazhdon të mbetet pika më e ndjeshme. Fodën e pret punë e madhe për të rritur nivelin në këtë repart.

Këtë e kanë pranuar edhe lojtarët.

“Ka qenë lojë shumë e rëndësishme për ne. Ishte lojë pozitive. Kemi luajtur mirë 60 minuta. Më pas morëm golin që na uli përtokë. Besoj që duhet të mësojmë nga këto gabime. Kemi luajtur me një kundërshtar të fortë. Duhet të vazhdojmë me pozitivitet me stafin e ri dhe çdo gjë do të jetë në rregull”, ka thënë Mërgim Vojvoda.

Kosova në qershor pritet të luajë dy miqësore. Tashmë e ka të konfirmuar miqësoren e 5 qershorit me Norvegjinë, ndërsa një tjetër pritet të aranzhohet ndërkohë.

Prej shtatorit deri në nëntor është edicioni i ri i Ligës së Kombeve, që po ashtu mund të shërbejë si periudhë testimi para kualifikimeve të ardhshme, atyre për Kupën e Botës.

Kështu që Foda do ta ketë kohën e mjaftuar. Por mbetet dilemë nëse do të ketë lojtarët e duhur në dispozicion, përkatësisht të tillë që garantojnë ngritje të nivelit. Mbetet të shihet nëse grupi aktual i lojtarëve mjafton për gjëra më të mëdha.

“E kemi nisur ndeshjen shumë mirë. Në pjesën e dytë pësuam pas gabimeve tona. Ishin ndeshje miqësore dhe trajneri do t’i shohë gabimet dhe shpresoj do t’i përmirësojmë. Trajneri i ka parë gjithë lojtarët, besoj që do të ketë edhe lojtarë të rinj që do të vijnë. Shpresojmë që në shtator të kemi ekipin më të mirë. Duhet të mësojmë nga gabimet. Kemi ende shumë punë dhe duhet të përmirësohemi shumë”, ka pranuar Edon Zhegrova.

Selektori Foda ka pranuar se Kosova ende nuk mund të mbajë nivel të lartë për 90 minuta.

“E për Botëror apo Evropian duhet të performojmë për 90 minuta”, ka thënë ai.