Botë

Sulmi rus në spitalin në Kiev komplikon trajtimin e fëmijëve me kancer

Kiev

Kiev

Foto: Associated Press

Instituti Kombëtar i Kancerit në Kiev ishte më i ngarkuar se zakonisht, pasi një raketë ruse goditi spitalin më të madh të fëmijëve në Ukrainë këtë javë, duke detyruar evakuimin e dhjetëra pacientëve të tij të vegjël që luftonin me kancerin.

Bombardimi më i rëndë i Rusisë në kryeqytetin ukrainas në katër muaj dëmtoi rëndë Spitalin e Fëmijëve “Okhmatdyt” të hënën, duke terrorizuar familjet dhe duke prekur rëndë fëmijët e tyre që tashmë luftojnë me sëmundje kërcënuese për jetën, raporton AP.

Tani, disa familje përballen me një dilemë se ku të vazhdojnë trajtimin e fëmijëve të tyre.

Oksana Halak mësoi për diagnozën e djalit të saj 2-vjeçar, Dmytro “leukemi akute limfoblastike”, në fillim të qershorit. Ajo menjëherë vendosi ta trajtonte atë në Okhmatdyt, "sepse është një nga spitalet më të mira në Evropë".

Ajo dhe Dmytro ishin në spital për trajtimin e tij kur sirenat u ndezën në të gjithë qytetin. Ata nuk mund të vraponin të strehoheshin pasi djali i vogël ishte duke marrë medikamente përmes venave. 
"Është me rëndësi jetike që të mos ndërpriten këto trajtime”, ka thënë Halak. 

Pas shpërthimeve të para, infermierët ndihmuan t'i zhvendosnin në një dhomë tjetër pa dritare, e cila ishte më e sigurt.

“Ne ndjemë një valë të fuqishme shpërthimi. Ne ndjemë dhomën duke u dridhur dhe dritat u fikën. E kuptuam se ishte afër, por nuk menduam se ishte në Okhmatdyt”, ka shpjeguar ajo. 

Menjëherë pas kësaj, ata u evakuuan në Institutin Kombëtar të Kancerit dhe tani Dmytro është një nga 31 pacientët që, mes një lufte të vështirë me kancerin, duhet të përshtaten në një spital të ri. Me ardhjen e tyre, numri i fëmijëve që trajtohen për kancer atje është dyfishuar.

Dmytro dhe pacientëve të tjerë iu ofrua evakuimi në spitalet jashtë vendit dhe Halak dëshiron që trajtimi i tij i mëtejshëm të jetë në Gjermani.

"Ne e kuptojmë se me situatën tonë, nuk mund të marrim ndihmën që duhet të marrim dhe jemi të detyruar të aplikojmë për evakuim jashtë vendit”, ka shtuar ajo.

Spitalet e tjera në qytet që morën fëmijë për trajtim u përballën me një situatë të ngjashme mbipopullimi pas mbylljes së Okhmatdyt, ku qindra fëmijë po trajtoheshin në kohën e sulmit.

"Okhmatdyt i shkatërruar është dhimbja e të gjithë kombit”, ka thënë drejtoresha e përgjithshme e Institutit Kombëtar të Kancerit, Olena Yefimenko.

Pothuajse menjëherë pas sulmit, mesazhet filluan të qarkullojnë në rrjetet e mediave sociale për të mbledhur para për restaurimin e spitalit. 

Në vetëm tri ditë, ukrainasit dhe bizneset private mblodhën më shumë se 7.3 milionë dollarë nëpërmjet platformës kombëtare të mbledhjes së fondeve UNITED24.

Puna për rindërtimin e spitalit tashmë është duke u zhvilluar. Mjekët e Okhmatdyt po balancojnë detyrat e tyre për të trajtuar pacientët e tyre të vegjël të evakuuar ndërsa punojnë për rihapjen e spitalit të fëmijëve. Por edhe me burime dhe vendosmëri, kjo mund të marrë muaj.

Megjithatë, Yuliia Vasylenko tashmë ka vendosur që djali i saj 11-vjeçar, Denys, të qëndrojë në Kiev për trajtimin e kancerit.

Ditën e sulmit, djali, i diagnostikuar me tumore të shumta të shtyllës kurrizore, duhej të fillonte kimioterapinë. Sulmi e vonoi trajtimin e tij për një kohë të pacaktuar dhe Denys duhet t'i nënshtrohet ekzaminimeve dhe testeve shtesë, sipas nënës së tij.

Denys ishte shumë i frikësuar gjatë sulmit, bëri të ditur nëna e tij ndërsa e shoqëronte në Institutin Kombëtar të Kancerit përmes një karrige me rrota.

“Nëse shkojmë diku, me diagnozën tonë, do të duhet t’i përsërisim të gjitha testet që nga fillimi”, është shprehur ajo, duke shtuar se kjo mund të zgjasë tre deri në katër muaj.

"Dhe ne nuk e dimë nëse e kemi atë kohë”, ka shtuar ajo.