Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se një valë sulmesh ruse me raketa gjatë natës kanë lënë të paktën 12 të vdekur në kryeqytetin Kiev dhe në rajonin përreth.
Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës (DSNS), gjatë këtij "sulmi masiv" të së enjtes janë goditur pallate banimi dhe magazina, ndërsa janë dëmtuar një spital pediatrik dhe një shkollë. Të paktën 34 persona kanë mbetur të plagosur,
Autoritetet po punojnë me urgjencë për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë tashmë dy të mbijetuar nga rrënojat.
Ndërkohë, Rumania ka njoftuar se një dron ka hyrë në territorin e saj përmes kufirit verior me Ukrainën, duke aktivizuar sirenat e alarmit ajror.
Në orët e para të së enjtes, "një dron hyri në hapësirën ajrore kombëtare rumune, afërsisht 13 kilometra në lindje të qytetit Galați", thuhet në deklaratën e ministrisë rumune të Mbrojtjes.
Droni është rrëzuar në "një zonë të pabanuar", duke shkaktuar një zjarr të vogël që është shuar më pas.
"Nuk u raportuan viktima apo dëme materiale", ka shtuar ministria, duke theksuar se alarmi fillestar ishte anuluar.
Edhe ushtria polake ka njoftuar se kishte nisur "operacione mbrojtëse ajrore" për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore, duke qenë se vendi ndan një pjesë të kufirit juglindor me Ukrainën.
Ndërkohë, banorët e Kievit janë strehuar nën tokë ndërsa sirenat binin në të gjithë kryeqytetin.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, ka thënë se gjatë sulmeve të natës ishte dëmtuar një spital pediatrik, dritaret ishin thyer dhe veturat aty pranë ishin përfshirë nga flakët. Ai ka shtuar se dëme kishte pësuar edhe një institucion arsimor.
Sipas kryetarit të bashkisë, nga raketat është goditur edhe një qendër industriale në distriktin Solomyanskyi, në jugperëndim të Kievit.
Një sulm në distriktin Brovary, në rajonin e gjerë të Kievit, ka lënë të vdekur një burrë dhe ka plagosur një tjetër, ka njoftuar guvernatori rajonal i Kievit, Tymur Tkachenko.
Shkon në 15 numri i të vdekurve në Kiev, Zelensky bën thirrje për sisteme të mbrojtjes ajrore
Të paktën 15 persona kanë mbetur të vdekur dhe më shumë se 30 të tjerë të plagosur si pasojë e një vale sulmesh ruse me raketa, gjatë orëve të para të se enjtës në Kiev dhe në rajonin përreth.
Sulmet vijnë ndërsa Ukraina vazhdon të përballet me mungesë të raketave për mbrojtjen ajrore.
Blloqe banimi dhe magazina janë goditur në të gjithë qytetin gjatë natës, ka thënë Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.
Edhe një spital për fëmijë dhe një shkollë janë dëmtuar, kanë njoftuar autoritetet vendase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vdekjet erdhën si pasojë e mungesës së raketave të mbrojtjes ajrore, furnizime të cilat Kievi zyrtar i siguron nga aleatët perëndimorë.
Ndërkohë, duke folur për BBC News pranë një pallati të shkatërruar në Kiev, kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, ka thënë se Ukraina ka nevojë për municione dhe sisteme kundër-raketore.
Ndërkohë, Rumania ka njoftuar të enjten se një dron ka hyrë në territorin e saj përmes kufirit verior me Ukrainën, duke aktivizuar sirenat e alarmit ajror.
Edhe ushtria polake ka njoftuar se kishte nisur “operacione mbrojtëse” për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore, duke qenë se vendi ndan një pjesë të kufirit juglindor me Ukrainën.